Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Vrapo pas diellit” nëpër rrugët e kujtimeve të Kaltrina Hotit

Prishtinë, 6 qershor – Veprat e saj janë si një rrugëtim nëpër kujtime, thurje malli për vendlindjen e thirrje shprese. Krejt këto, Kaltrina Hoti i ka bërë bashkë në ekspozitën personale “Vrapo pas diellit” e hapur të mërkurën në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë e që i paraprinë festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” që nis të dielën.

“Kohë e trazuar“, “Pëshpëritje”, “Të vdesësh për të jetuar” ,”Dashuria” ,”Liria e robëruar“, “Durimi”, “Nën zinxhir” janë disa prej titujve të pikturave që, siç shkruan publicisti Mesut Shabani, përthekojnë edhe fshikullimin e padrejtësive. Hoti, e lindur në Plavë - Hot të Malit të Zi, ka kryer shkollimin fillor e të mesëm në Prishtinë, për të emigruar në ShBA në vitin e parë të studimeve. I është rikthyer vendlindjes e që nga viti 2011 edhe pikturës.

Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, që organizon “Drinin poetik” që sivjet shënon edicionin e dhjetë, ka thënë se Hotin e kanë përzgjedhur për ekspozitë pasi ajo si poete është edhe anëtare e LShK-së.

Veprat e saj janë përshtypjet e para të përjetimit të kthimit aty ku u lind në Plavë-Hot.

“Të kthehesh pas 32 vjetëve, jam përgatitur. Edhe kur jam kthyer prapë kam gjetur një befasi. Unë jetoj në Plavë, aty është sikur zogu me qenë në kafaz. Gjuha shqipe nuk mund të flitet ashtu siç dëshirojmë. Është mungesa e madhe e lirisë shpirtërore. Ajo që ma ngarkon shpirtin, sot është shprehur në këtë ekspozitë”, ka thënë ajo.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")