Kulturë

Vladar: Kultura duhet të jetë prioritet, nacionalizmi po fuqizohet

Prishtinë, 29 prill − Se ngecjet në fushën e kulturës janë të pandashme nga ato politike e ka potencuar edhe dirigjenti dhe pianisti austriak Stefan Vladar në një konferencë për media, të dielën pasdite ,në Sallën e Pallatit të Rinisë. Më shumë sesa për detajet e koncertit të Filarmonisë së Kosovës – që është mbajtur të dielën mbrëma, me të cilin është përmbyllur edicioni i dhjetë i “Chopin Piano Festit” – ai së bashku me drejtorin e Filarmonisë, Baki Jashari, drejtoreshën artistike të Festivalit, Lejla Pula, dhe me drejtoreshën organizative të këtij festivali, Besa Luzha, kanë folur për “plagët” që tash e një dekadë diskutohet, premtohet dhe asgjë nuk ndryshon. Por ai ka folur edhe për nacionalizmin gjithnjë në rritje në Evropë e më gjerë e për internacionalizmin e domosdoshëm.

Salla koncertale është kryefjalë që pas çdo aktiviteti përmendet, por edhe pamundësia e artistëve për të lëvizur lirshëm, e mospërfillja e institucioneve ndaj kulturës jenë telashet që nuk shkaktojnë më pak dëme.

Vladar, i cili vjen për herë të parë me Filarmoninë e Kosovës në rol të dyfishtë, si dirigjent e pianist, vitin e kaluar kishte performuar së bashku me bashkëshorten e tij në kuadër të festivalit të pianos “Chopin Piano Fest”. Ai është ndër personalitetet më të shquara muzikore të Austrisë dhe performon rregullisht si pianist e dirigjent në qendrat e muzikës në Evropë, Amerikë e Azi. Në vitet 2015-2016, Shtëpia e Koncerteve në Vjenë ka shënuar 50-vjetorin e themelimit me një seri prej 13 koncertesh ku ai u shfaq si solist, dirigjent dhe muzikant i dhomës. Ka vlerësuar muzikantët kosovarë për përkushtimin dhe entuziazmin dhe ka thënë se shpreson që në një të ardhme të afërt situata me viza të ndryshojë, si dhe kushtet në të cilat ata punojnë. Vladar ka thënë se shpreson se edhe Kosova në një të ardhme të afërt të jetë më afër Bashkimit Evropian.

Besa Luzha ka thënë se “Chopini...” i sivjetmë me 16 koncerte ka pasur përkrahjen e madhe të publikut, gjë që dëshmon që edhe ky intensitet nuk është i paarritshëm dhe njerëzit janë të interesuar, të etur për koncerte, muzikë të mirë e vlera të mirëfillta artistike/ .

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")