Prishtinë, 25 tetor – Kur anëtarët e orkestrës kanë zënë vendet e tyre në sallë, entuziazmi i të pranishmëve është ndierë fort. Shumë prej atyre që donin të përcillini nga afër koncertin nuk kanë pasur karrige të lira. Kanë bërë hall në korridoret e katit të epërm duke ndjekur interpretimin nga një tjetër perspektivë, në Atelienë përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë.
Entuziazmi ka marrë hov edhe më sapo dirigjenti amerikan Gregory Charette ka dhënë shenjë për t’ia nisur interpretimit. Ritmike dhe e ngjashme me muzikë marshi, vepra “Uverturë shqiptare” e Hajrullah Sylës që është luajtur për herë të parë, ka hapur mbrëmjen koncertale në kuadër të edicionit të 19-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “Kosova KamerFest”. E vlerësuar si fillim i mbarë i krijimtarisë për kompozitorin e ri, ajo ishte intro e koncertit të së martës mbrëma. Më pas ishte radha e një prej veprave më me nam të krijimtarisë së kompozitorit gjerman Max Bruch. “Koncerti për violinë dhe orkestër nr.1 në g-mol” – i cili sipas kritikës së bashku me “Scottish Fantasy” përbën nivelin më të lartë të krijimtarisë së kompozitorit – ka marrë me vete publikun në udhëtimin muzikor të ndarë në tri kohë.
Instrumentisti virtuoz, Rudens Turku, është prezantuar para publikut, fiks ashtu siç edhe pritej. Me një elegancë të lartë të lojës, ai ia ka shtuar edhe më peshën veprës dhe krejt koncertit
Pas kësaj vepre, ishte radha e suitës simfonike “Sheherzadja” të kompozitorit rus, Nikolai Rimsky-Korsakov. Midis muzikës tradicionale ruse dhe asaj orientalistike, vepra e bazuar në “Një mijë e një net” apo siç njihet ndryshe edhe si “Netët arabe” e ka futur shpejt publikun në lojë.
Akademiku Zeqirja Ballata pa menduar dy herë ka thënë se bëhet fjalë për një koncert shumë të suksesshëm (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
Filarmonia e Kosovës në ritëm dinamik me koncertin e radhës
-
Violonçeli dhe Filharmonia kumbojnë nëpër epoka
-
Filharmonia me tinguj drejt magjisë së Rexho Mulliqit
-
Dialogu atraktiv me publikun, prej kolonave zanore kulmon te “Baresha”
-
Kori i Kosovës në Gjermani dëshmon se jehon qartë në skena evropiane