Filharmonia e Kosovës ka akorduar tingujt për vepra të romantizmit e moderne. Secili koncert i institucionit është premierë për publikun, kapitull tjetër ME emrat e shquar të muzikës klasike, por jo hapësira ku interpreton.
Rrugëtimi muzikor i radhës në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet megjithatë, nuk e ndikon cilësinë e interpretimit dhe profesionalizmin e Orkestrës.
Të dielën mbrëma koncerti nisi me veprën “Attempt” të kompozitorit të ri Ersan Jonuzi. Tingujt e saj u zbërthyen para publikut për të parën herë. Vepra e shkruar për orkestër harqesh karakterizohet me ritme konstante e tinguj të lehtë.
Filharmonia e Kosovës ka interpretuar veprën e cila, bashkë me veprën e atë të Hajrullah Sylës, ishte fituese e çmimit për vepër kamertale në kuadër të çmimeve tradicionale të Ministrisë së Kulturës në fushën e muzikës në qershor të 2021-s.
Për kompozitorin e gjeneratës së re, Ersan Januzi, interpretimi i veprës nga Filharmonia e Kosovës është privilegj.
“Vepra është e kompozuar në vitin 2021, është shpallur fituese me çmimin vjetor nga Ministria e Kulturës, kështu që për mua është nder dhe kënaqësi që premiera të jepet premiera pikërisht nga Filharmonia e Kosovës. Unë si kompozitor mitrovicas e kam kompozuar veprën në qëllim të zhvillimit të përpjekjes së Orkestrës harkore”.
Vepra moderne e Januzit ka qenë kontrasti me pjesën tjetër të programit. Koncerti numër një për violonçel i kompozitorit rus Dmitri Shostakovich me kontraste të mprehta ka sjellë tjetër frymë në skenë. Violonçelisti Konstantin Manaev me prejardhje ruse, e ka bërë tejet virtuoze lojën e cila dominon në të katër kohët e veprës. Duartrokitjet e publikut e kanë kthyer disa herë në skenë ku si falënderim ka interpretuar një pjesë të Bachut.
Violonçelisti Manaev, që jeton e vepron në Gjermani, e ka vlerësuar koncertin në kryeqytet si një prej më të mirëve ku ka interpretuar.
“Për mua ishte kënaqësi e madhe të luaj këtu, është vizita ime e parë në Kosovë. Jam ndier si në shtëpi sepse kam shumë miq në Orkestër, janë shumë profesionistë. Jam ndier shumë mirë të interpretoj me ta muzikën kamertale. Atmosfera ishte e mrekullueshme. E di se nuk e keni tani sallën koncertale me të cilën do të bëheni, por ju veçse keni publikun e mrekullueshëm, Orkestrën dhe muzikantët fantastikë”.
Ritmet e epokës së Romantizmit janë sjellë nëpërmjet Simfonisë numër një të finlandezit Jean Sibelius. Veçanti e saj janë partiturat që ngjajnë në solo interpretim të instrumenteve. Vepra tejet serioze kulmon kur krejt instrumentet bashkohen dhe shpesh situatat përmbysen.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka vlerësuar programin e zgjedhur nga dirigjenti amerikan Gregory Charette si literaturë të veçantë të muzikës klasike. Për Orkestrën ka thënë se ka treguar nivel të jashtëzakonshëm profesional.
Pas dy jave, Filharmonia e Kosovës sjell kapitullin tjetër të Sibeliusit, “Simfoninë e dytë”. Edhe këtë koncert do ta drejtojë amerikani Gregory Charette.