Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Violinisti Iskandar Widjaja do të performojë në “DAM Festival 2017”

Violinisti Iskandar Widjaja do të performojë në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit DAM, është konfirmuar përmes një komunikate për media.

“Widjaja do të paraqitet përpara publikut prishtinas më 4 prill në mbrëmjen e pestë të festivalit. Ylli i muzikës klasike e ka konfirmuar edhe në ueb faqen e tij koncertin në Kosovë në kuadër të aktivitetit të ngjeshur koncertal”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se Widjaja do të interpretojë ‘Simfoninë spanjolle” nga Edouard Lalo i shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës.

“Ndryshe ai vlerësohet për stilin e veçantë interpretues, imagjinatën muzikore me nuanca dhe tipare zëri nga më të ndryshmet dhe teknikën e jashtëzakonshme. Bashkëpunon me muzikantët më të mirë të muzikës klasike si Zubin Mehta, Christoph Eschenbach, Rolando Villazon dhe Fazil Say. Albumi i tij i tretë “Tango Fuego” arriti të jetë një nga “bestsellerët” në kuadër të prodhimeve të muzikës klasike për vitin 2014”, thuhet më tutje.

Ai është imazh i dy brendeve të njohura botërore, Tommy Hilfiger dhe Volkswagen.

Festivali DAM do të hapet më 31 mars në Prishtinë me interpretimin e operës instrumentale "Errësira" nga kompozitorja luksemburgase me origjinë bullgare Albena Petrovich – Vratchanska.