Kulturë

Vera gjallëron libraritë, prijnë fëmijët e të huajt duan autorë vendorë

Vera aktivizon libraritë me oferta për lexuesit e në këtë periudhë, sipas tyre, ka rritje kërkesash. Latif Mustafa nga libraria “Dukagjini” ka thënë se interesimi për librin është konstant, veçse gjatë verës ka interesim më të theksuar nga fëmijët

Vera aktivizon libraritë me oferta për lexuesit e në këtë periudhë, sipas tyre, ka rritje kërkesash. Latif Mustafa nga libraria “Dukagjini” ka thënë se interesimi për librin është konstant, veçse gjatë verës ka interesim më të theksuar nga fëmijët

Se përditë ka lexues më pak, është një konstatim i kahershëm i konfirmuar edhe nëpërmjet hulumtimeve, por imazhi që japin libraritë e kryeqytetit është në kontrast. Sipas disa prej tyre, në verë ka rritje kërkesash. Ata që prijnë janë fëmijët, librarët thonë se ndikon edhe koha e lirë, përderisa të huajt kërkojnë të lexojnë autorë të Kosovës e kjo, sipas tyre, është thirrje për botuesit që të investojnë në përkthimin e veprave. “Është krijuar edhe një traditë e ofertave që libraritë bëjnë gjatë periudhës së verës, gjë që pashmangshëm ndikon edhe në rritjen e kërkesës për libra”, ka thënë botuesi Edon Zeneli. E, Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA”, ka thënë se frekuentimi nëpër librari nuk është tregues për lexueshmërinë

Nëse vizitohen libraritë në ditë të zakonshme – aty ku lexuesi ka më shumë gjasa të blejë libra sesa ta vizitojë hapësirën – teoria e shtëpive botuese në Panairin e Librit se numri i lexuesve po zvogëlohet secilën herë, bie ndesh me imazhin në librari. Gjatë verës nuk mungon oferta për lexuesin, fëmijët dallohen në interesimin për librin, ndërsa te të huajt veçohet kërkesa për të lexuar autorët nga Kosova.

Veprat e shkrimtarit e publicistit Veton Surroi janë prej më të kërkuarve në librarinë “Dukagjini”, siç ka treguar koordinatori për media dhe komunikim, Latif Mustafa.

“Lirisht mund ta them se librat e Veton Surroit kërkohen shumë këto ditët e fundit, sidomos në anglisht. Kur ua ofroj, për shembull, Kadarenë, të cilin e kemi të përkthyer, ose e kanë ose marrin disa prej titujve të tij, por më së shumti kërkojnë vendorë, jo të Shqipërisë. Librat në anglisht të letërsisë bashkëkohore, klasike, mund t’i gjejnë në tregjet e tyre, por librat tanë e kanë të vështirë t’i gjejnë atje”, ka thënë Mustafa për KOHËN.

Sipas tij, kjo është thirrja për autorët për t’i përkthyer veprat e tyre në gjuhë të huaja.

“Kemi pak tituj të përkthyer në anglisht, prandaj u kisha apeluar autorëve vendorë që t’i përkthejnë librat e tyre në anglisht. Mund të thonë se nuk kërkohen e gjëra të tilla, por ka njerëz që kërkojnë. Nuk ndodh brenda ditës që nuk vjen një lexues, të paktën, që nuk kërkon libra në anglisht të autorëve kosovarë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë”, ka thënë Mustafa.

Është e përvitshme ankesa e shtëpive botuese në përgjithësi për mungesë vizitorësh e rënie të lexuesve, por në librari thonë se numri i lexuesve është konstant gjatë gjithë vitit.

E verës, sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, për shkak të pushimeve, vërehet një rritje e interesimit, sidomos te fëmijët.

“Sezoni i verës karakterizohet me rritje të interesimit për blerje librash si rrjedhojë e pushimeve që njerëzit gjatë kësaj periudhe kanë. Është krijuar edhe një traditë e ofertave që libraritë bëjnë gjatë periudhës së verës, gjë që pashmangshëm ndikon edhe në rritjen e kërkesës për libra. Po njëjtë, fëmijët, meqë nuk janë në obligimet e përditshme shkollore, kanë kohë të mjaftueshme edhe për lexime vere”, ka thënë ai për KOHËN.

Ai ka thënë se “vizitat e mërgimtarëve janë ndihmesë e madhe për libraritë gjatë sezonit veror”. Ka thënë se kërkohen kryesisht librat historikë dhe ata të autorëve shqiptarë.

“Do të thosha letërsia e lehtë, ajo që cilësohet rozë, në njërën anë dhe librat psikologjikë e jofiksionalë në anën tjetër përbëjnë interesin kryesor të lexuesve gjatë sezonit veror. Te fëmijët ndërkaq janë romanet për të vegjël dhe librat komikë”, ka shtuar ai.

Latif Mustafa nga libraria “Dukagjini” ka thënë se interesimi për librin është konstant, veçse gjatë verës ka interesim më të theksuar nga fëmijët.

“Lektyrat shkollore, libri për fëmijë shitet shumë, ndërsa për të rritur është konstant. Kemi një frekuentim pak më të madh të turistëve, të cilët nuk janë të interesuar vetëm për libra, por edhe për aksesorët të cilët i kemi në librari”, ka thënë ai.

E quan kërkesë të çuditshme atë të lexuesve të huaj për të lexuar autorët nga Kosova.

“Kohëve të fundit, një fenomen që e vërej është se kërkojnë libra të autorëve shqiptarë të përkthyer në anglisht. Është shumë fenomen interesant, më herët nuk më ka ndodhur të kërkohet në këtë masë, aq më pak kur kërkojnë libra të autorëve nga Kosova. Është një kërkesë e çuditshme kohëve të fundit”, është shprehur ai.

Aktualisht “Dukagjini” po e organizon festivalin e librit “Book Fest” prej 11 deri më 20 korrik, ku oferta e zbritjes shkon deri në 60 për qind. Ndërkohë çdo muaj mbahet edhe takimi i lexuesve në kuadër të Klubit të Librit të cilin e organizon. Anëtarë janë 10 deri 15 pjesëmarrës të rregullt. Grupi përcakton një libër për t’u lexuar e më pas diskutohet për të në takimin e radhës.

Por gjatë verës konsiderohet se frekuentimi i librarive varet shumë nga klima momentale. Megjithatë, sipas Agon Ahmetit, drejtor i organizatës “ETEA”, frekuentimi nëpër librari nuk është tregues për lexueshmërinë. Ka thënë se ata kryesisht janë blerës të rregullt.

“Po flas në bazë të të dhënave hulumtuese që i kemi në dispozicion ndër vite që i kemi realizuar, njerëzit që i frekuentojnë libraritë dhe bibliotekat publike dhe aktivitetet që ndërlidhen me lexueshmërinë e me letërsinë, janë kryesisht komunitet i vogël që e frekuenton në mënyrë konstante. Nuk është se kemi vizitorë të rinj në mënyrë sistematike. Janë klientë e blerës të rregullt, jashtë rastit që mund të ketë edhe klientë të rinj ku diaspora mund të furnizohet me libra në gjuhën shqipe për ta kultivuar gjuhën e gjëra të ngjashme”, ka thënë Ahmeti në një përgjigje.

Derisa është bazuar në hulumtimin e vitit 2023, të kryer nga organizata të cilën e drejton, ka përmendur të dhënat se mbi gjysma e popullsisë nuk mund të përmendë tre tituj librash.

“Gjendja e lexueshmërisë në Kosovë, po flas te qytetarët rezidentë, dihet pak a shumë, të gjitha raportet na kanë folur për një lexueshmëri të një niveli jo të kënaqshëm, apo tepër të ulët, ku mbi gjysma e popullsisë nuk kanë fare raport apo ndërveprim me librin apo leximin, nuk janë në gjendje t’i përmendin tre tituj të librave”, ka thënë Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA”.