Fotografitë e shkrepura nga perspektiva e dronit nga artisti Agon Nimani si dhe veprat e tri cikleve të punuara me materialin e qeramikës nga duart e Gresa Islamit, janë ekspozuar në përurimin e hapësirës më të re të Qendrës së Informimit dhe Kulturës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Shtëpia e Evropës, tashmë do ta mbajë emrin kjo hapësirë e cila do të shërbejë për organizimin e ekspozitave, paneleve, koncerteve dhe aktivitete tjera të artit pamor.
Në njërën nga dy sallat e kësaj qendre kulturore janë prezantuar punimet e artit të qeramikës të formësuara nga Gresa Islami, e të cilat ajo i ka ndarë në ciklet: “Rrjedhë jete”, “Çka vyshkët mbin” dhe “Pëshpërimë”.
Nga ana tjetër, fotografitë e autorit Nimani në muret e kësaj hapësire kanë një rrëfim vizual për ambiente përrallore, raporton “Express” i KTV-së.
Skulptorja Gresa Islami thotë se figurat e saj të paraqitura në këtë ekspozitë shfaqin konfliktin e të qenët të heshtur përballë zhurmës dhe veprimit.
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, në hapjen zyrtare ka deklaruar se kjo shtëpi e artit është adresa e Evropës për Kosovën.
“Shtëpia Evropiane do të na mundësoje neve që të jemi së bashku në shumë ngjarje të artit. Ne kemi hapur dyert për një të ardhme më të mirë, që të jemi sa më afër me partnerë të ndryshëm që duan të punojnë së bashku me ne. Kjo shtëpi është një mundësi më shumë për Kosovën, një palë sy dhe një palë vesh për ju, dhe do të krijojë një rrjet të rëndësishëm për shumë vite”, ka thënë Apostolova.
Ekspozita me veprat e Nimanit dhe Islamit do të prezantohen deri në fund të muajit maj në Shtëpinë e Evropës.