Statuja e David Bowie në Aylesbury të Anglisë është vandalizuar më pak se 48 orë pas inaugurimit. “Fillimisht ushqeni të pastrehët” është shkruar me sprej në tokë para statujës, derisa “RIP DB” është shkruar në murin prapa statujës. Dëmi që u shkaktua është përshkruar si i “tmerrshëm” dhe “i panevojshëm”.
Kjo vepër e punuar nga artisti i njohur Andrew Sinclair është titulluar “Earthly Messenger”, shkruan The Guardian, ndërsa e transmeton sot “Koha Ditore”. Ndërsa është financuar nëpërmjet granteve dhe kampanjës së mbledhjes së parave online, ku u siguruan 100 mijë funta, iniciativë kjo e nisur nga promotori muzikor, David Stopps.
“Është vepër e artit publik dhe ne do të kujdesemi për të në baza ditore”, ka thënë ai. “Është kamera mbi statujën që funksionon tërë kohën, kështu që kushdo që e ka bërë këtë e kemi zënë në kamerë”, ka shtuar ai.
Steve Hogarth, këngëtari i rock-bendit britanik “Marillion”, e zbuloi statujën me datën 25 të muajit mars. Në ditën kur është shfaqur para publikut, nga altoparlantët mbi skulpturën e bronztë, dëgjoheshin këngë të ndryshme të Bowiet.
“Me zemër të rënduar dhe dëshpërim dëgjova se brenda 48 orëve dikush e ka vandalizuar statujën e jashtëzakonshme të Andrew Sinclair të David Boweit”, ka thënë ai. “Është turp. Shpresoj se do të mundë të pastrohet dhe shpresoj se kjo vepër e mrekullueshme arti do t’u japë njerëzve arsye të vijnë sa më shumë në Aylesbury. Udhëtim që ia vlen”, ka shtuar ai.
Një pjesë e statujës është e ngjitur për muri, derisa një pjesë rri jashtë tij. Aty Bowie është rikrijuar në disa forma, varësisht prej personazheve me të cilat paraqitej. Por një i ri, i cili shihet në kamerë, ka ngjyrosur edhe skulpturën, përveç shkrimeve që i ka bërë.
“Taksapaguesit tani do të duhet të paguajnë për të pastruar, pra për ironi është vandali i cili po i bie se do të marrë para nga të pastrehët”, ka thënë Helen Light, një banore e Aylesbury. Grafiti është bërë gjatë mbrëmjes së 26 marsit, ndërsa pastrimi ka filluar të nesërmen. Qytetarë në formë vullnetare ishin mbledhur për të pastruar ngjyrën në statujë.
Bowie performancën e tij si Ziggy Stardust e dha në klubin “Friars Aylesbury” në korrik të vitit 1972. Prandaj edhe skulptura paraqet disa personazhe muzikore të Bowiet, derisa personifikimi i Stardust është në qendër.
Anëtari i parlamentit David Lidington është kryesues i taskforcës qeveritare kundër të pastrehëve, e cila është kritikuar për pasivitet, e cila u mblodh për herë të parë pas katër muajsh më 7 mars. Në muajin janar, në shoun televiziv “The Andrew Marr Show”, Lidington ka thënë se qeveria ka “lënë mënjanë një shumë të madhe të parave të taksapaguesve” për të ndihmuar të pastrehët deri në vitin 2022 dhe për ta zhdukur atë deri më 2027.
Fjetja nëpër rrugë në Britani të Madhe shënoi rritje të madhe vitin e kaluar, me shifër prej 15 për qind më shumë se në vitin 2016. Organizatat bamirëse thonë se edhe ky nivel i pjerrët kap nivelin e vërtetë të strehimit të njerëzve që flenë në rrugë.