Një tjetër copëz e artit të rrugës, e krijuar nga artisti i grafiteve, Banksy, është shfaqur në Anglinë lindore.
Një model i ngulitur miniature, që del të jetë nënshkruar nga artisti, është gjetur në Merrivale Model Village në Great Yarmouth, Norfolk, mëngjesin e së dielës.
Një art me stil të Banksyt është shfaqur të premten edhe në Admiralty Road në qytet, në Gorleston, ashtu sikurse edhe në Oulton Broad dhe Lowestoft në Suffolk. Asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar.
Fillimisht e vënë re nga një vizitor, vepra e re është model i një shtëpie të mbuluar me kashtë që paraqet një brejtës sa troha që rri në një rrotë të drunjtë të vendosur ndanë ngrehinës. Është shkruar “Go big or go home”.
Një afishim në një faqe në “Facebook” ka thënë: “një model që nuk e kemi parë më herët po rri mes kasolleve tona të vogla” dhe “duket sikur vandalët e kanë zbukuruar atë”.
“Me një hetim më të afërt ajo qe zbukuruar me emrin e njohur të skenës së artit të rrugës…”, është thënë në postim.
Pronari Frank Newsome ka thënë për BBC: “Nuk është një prej kasolleve tona. Dikush e ka sjellë atë”. “Unë jam profan, por e kam kërkuar në Google dhe duket burimore, ndaj tani po përpiqemi të sigurohemi me anë të webfaqes së Banksyt nëse është e tij apo jo”.
Ai ka thënë se këto do të mbahen aty për vizitorët në fshatin model, porse do të hiqen natën e do të vendosen gjetkë.
Kjo nuk është hera e parë prejse Banksy ka shtuar veprat e tij në atraksione që veç ekzistojnë. Ai më parë ka vizituar edhe galeri përfshirë si Tate Britain, Le Louvre dhe katër muzetë më prestigjioze të New Yorkut, duke vendosur ndër mure veprat e tij teksa fshihej, ashtu sikurse që ka vendosur edhe një kukull të veshur si një i burgosur i Guantanamos në Disneyland.
Një tjetër vepër është pikasur në Great Yarmouth që paraqet njerëz tek vallëzojnë në një pritore autobusi, ashtu sikurse edhe një lodër në formë vinçi në Gorleston.
BBC-ja ka provuar të kontaktojë përfaqësuesit e Banksyt, veprat e fundit të të cilit përfshijnë edhe një vajzë me rreth si dhe një i burgosur që është arratisur. Ai zakonisht mëton përgjegjësi për veprat e artit në rrugë nëpërmjet afishimeve në llogarinë e tij në Instagram si dhe webfaqe.
Eksperti i Banksyt, profesori Paul Gough, që është kryesori në Arts University Bournemouth, ka thënë se ai është “mjaft i sigurt” që veprat janë të Banksyt ose “kopje fort të mira” dhe që artisti “ashiqare e ka shijuar vendqëndrimin në Anglinë lindore”.