Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” pikë unike e shpalosjes së dhunës komuniste

E ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, struktura në pronësi të Provincës Françeskane ishte një kolegj ku edukoheshin dhe arsimoheshin fëmijë, që pastaj ndiqnin rrugën meshtarake. Në vitin 1946, me vendim të Qeverisë së asaj kohe, godina dhe hapësira përreth u sekuestruan, duke i kthyer në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës

“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër është një prej muzeve më unikë që shpalos torturat e pushtetit komunist pas vitit 1945 në Shqipëri. Si hapësira e parë e këtij lloji në shtetin shqiptar që pas gati gjysmë shekulli monizëm përjetoi demokracinë, ofron të dhëna mbi krimet komuniste në qytetin verior. Pos kësaj hapësirat e asaj që ishte Degë e Punëve të Brendshme ofrojnë qelitë ku kanë vuajtur të përndjekurit e pushtetit që ishte ndër diktaturat më të errëta në këto anë.

Bashkia e Shkodrës vazhdimisht synon që ta promovoi këtë muze. Llogaritet të jetë ndër hapësirat e trashëgimisë kulturore më të vizituara sidomos në veri të Shqipërisë.

E ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, struktura në pronësi të Provincës Françeskane ishte një kolegj ku edukoheshin dhe arsimoheshin fëmijët, që pastaj ndiqnin rrugën meshtarake. Në vitin 1946, me vendim të Qeverisë së asaj kohe, godina dhe hapësira përreth u sekuestruan, duke u kthyer në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës.

“Tashmë kjo ndërtesë vjen e rikonceptuar si një vend kujtese, ku pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit. Hapësira është e ndarë në dy kate, por qelitë e katit të parë janë ato ku vuanin dënimin të burgosurit politikë. Në mjediset jashtë qelive ndodhet oborri i ajrimit me një derë hekuri që kishte komunikim direkt me zyrat e hetuesisë”, shkruhet në përshkrimin që i ka bërë Bashkia Muzeut.

Një tjetër hapësirë e rëndësishme është fondi bibliotekar me vepra të shumta mbi të kaluarën komuniste, memuaristikë, dëshmi, dokumente dhe gazeta me propagandën e kohës.

Edhe Shkodra me projekt të ri për kujtesën e krimeve komuniste Kulturë Shkodra me projekt të ri për kujtesën e krimeve komuniste

“Që nga hapja e tij në vitin 2014, ‘Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës’ në Shkodër është një nga pikat më të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë Shkodrën”, shkruhet në komunikatë.

Vizitorët mund të njihen me fotografitë dhe emrat e të dënuarve nga sistemi komunist. Nuk mungojnë objektet e përdorura prej tyre, shënimet apo dhe letërkëmbimet e bëra me familjarët.