Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shkodra me projekt të ri për kujtesën e krimeve komuniste

Shkodra

“Ekspozimi i krimeve të diktaturës komuniste si edhe tregimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra”, ka thënë kryeministri Edi Rama.

Muzeu i Kujtesës është projekti i ri që synon t’i japë Shkodrës një tjetër hap në turizmin kulturor edhe sa i përket historisë së monizmit që qyteti verior e vuajti shumë. Të hënën është prezantuar projekti i arkitektit spanjoll, Jesús Hernández, që transformon edhe sheshin e Xhamisë qendrore të qytetit

Rikonceptimi i Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës duke e futur brenda një kompleksi të emëruar Muzeu i Kujtesës është projekti i ri që synon t’i japë Shkodrës një tjetër hap në turizmin kulturor edhe sa i përket historisë së monizmit që qyteti verior e vuajti shumë. Të hënën është prezantuar projekti i arkitektit spanjoll, Jesús Hernández, që transformon edhe sheshin e Xhamisë qendrore të qytetit.

Vetë arkitekti që ka konceptuar edhe muzeun kombëtar të fotografisë, “Marubi” ka thënë se projekti i ri është i ndarë në katër pjesë. Sipas tij, ndërtesë aktuale e Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës duhet ruajtur.

“Muzeu aktualisht funksionon si memorial, por ne mendojmë se duhet një memorial i ri. Duhet të jetë në qendër një pjesë tjetër e re që është memoriali që aktualisht nuk ekziston. Për Muzeun kërkohet narrativë e re, program të ri. Pjesa tjetër do të shërbejë si qendër edukative”, ka thënë ai derisa ka shpjeguar kompleksin. 

Sipas arkitektit, ndërtesa ekzistuese ka një histori të gjatë e të trishtë. “Ndërtesa mund të flasë edhe vetë, ne thjesht duhet ta dëgjojmë”, ka thënë ai për ish-Degën e Punëve të Brendshme ku u maltretuan një numër i  madh i intelektualëve shkodran prej vitit 1945 kur nëpërmjet një vendimi shtetëror iu ndërrua destinimi objektit.

Sipas Hernández, Memoriali do të jetë krejt i hapur e pa pagesë. “Do të ketë murin me të gjithë emrat e viktimave. Kulla e memorialit do të jetë një hapësirë për meditim e kujtesë. Ka thjesht dritën e ujin baskë me shumë simbolika”, ka thënë ai.

Edhe Shkodra me muze etnografik synon të fuqizohet si destinacion turistik Kulturë Shkodra me muze etnografik synon të fuqizohet si destinacion turistik

Në këtë prezantim kryeministri Edi Rama ka thënë se bashkë me rindërtimin e hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës, këto janë tanimë dy projekte konkrete. Sipas tij, investimi do t’i kthejë këto dy godina, në dy pika kyçe referimi për qytetarët, vizitorët e turistët e kryeqytetit të Veriut të vendit.

“Ekspozimi i  krimeve të diktaturës komuniste si edhe tregimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra”, ka thënë Rama.

Muzeu i Kujtesës sipas tij, në sensin e marrëdhënies me të shkuarën dhe të domosdoshmërisë për të pasur një ekspozim të hapur të gjithë atyre plagëve të tmerrshme që diktatura komuniste hapi në Shkodër.

“Dhe i dyti për të krijuar një situatë absolutisht të re brenda perimetrit të zemrës së Shkodrës, duke e transformuar parkun sot të mbyllur të Xhamisë së Madhe në një hapësirë që sa e ngre lart në pah godinën domethënëse të xhamisë aq edhe i shërben komunitetit si një pikë takimi ku ndërthuren të gjitha moshat dhe ku shërbimet e xhamisë nga njëra anë dhe marrëdhëniet e një qyteti të tërë gjejnë vendin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas të parit të Qeverisë, Muzeu i Kujtesës do të jetë një tjetër hallkë domethënëse e zinxhirit të këtyre hapësirave si  ‘Bunkart’ e Muzeun e Gjetheve në Tiranë.

“Do të bashkëpunojmë me komunitetin mysliman dhe myftiun e Shkodrës dhe gjithë ata që do të duan të bëhen pjesë e kësaj nisme për të siguruar financimin edhe të sheshit të madh të xhamisë, i cili do ta kthejë Xhaminë e Shkodrës në një nga objektet më spektakolare të kultit jo vetëm në Shqipëri por botërisht”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka thënë se Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës do të shërbejë si një memorial dinjitoz për të gjithë ata që kanë vuajtur, duke i dhënë qytetit një hapësirë për të kujtuar historinë e tij të vështirë.

Edhe Muzeu Hebraik Shqiptar ende larg finalizimit Kulturë Muzeu Hebraik Shqiptar ende larg finalizimit

“Gjithashtu do të kemi një muze për të gjithë vizitorët, ku do të studiohet dhe komunikohet e kaluara jonë në mënyrë intensive. Falënderoj kishën katolike, misionin françeskan dhe motrat klarise për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë propozim”, ka thënë ai. Sipas Becit, një tjetër projekt i rëndësishëm është sheshi i xhamisë “Ebu Bekër” që do të krijojë një hapësirë publike dinjitoze për besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës.

“Ky projekt do të kombinojë objektin e kultit me hapësira publike dhe do të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e qytetit, përfshirë parkimin nën tokë dhe hapësira tregtare. Dëshiroj të falënderoj Myftiun e Shkodrës për bashkëpunimin në këtë projekt dhe për mundësinë që po na jep që të zhvillojmë pronat e komunitetit në funksion të krijimit të hapësirave publike”, ka thënë ai. Sipas Becit, me këto dy projekte do të krijojnë hapësira të bukura dhe funksionale si në rastin e “Marubit”, Shirokës dhe në Parkun e hyrjes, duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në kujtesën e qytetit.