Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Muzeu në Shkodër që dokumenton krimet e komunizmit, drejt transformimit

Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, i ndërtuar disa vjet më parë me synim për dokumentimin e krimeve të komunizmit, do të transformohet rrënjësisht, “për t’u shndërruar në një muze mbresëlënës destinacion i Shkodrës historike, jo vetëm për vizitorët e për turistët, po edhe për nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë”. Zotimet si këto i ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka vizituar të premten institucionin muzeor i shoqëruar nga kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, si dhe drejtuesi i institucionit, Pjerin Mirdita. Kanë vizituar mjediset e brendshme të ish-burgut, ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, në mesin e të cilëve klerikët At Zef Pëllumbi, Imzot Ernest Çoba, At Benardin Palaj, përfaqësues të tjerë të besimit klerik, si dhe qytetarë të njohur nga Shkodra e më gjerë.

“Ka kohë që e kemi pritur këtë vizitë për vetë simbolikën që ofron ky muze, për rëndësinë që ka për qytetin e Shkodrës, sepse është i vetmi muze që faktikisht në Shqipëri është i hapur në ambientet e një ish-burgu, që ka qenë në funksion gjatë periudhës së diktaturës komuniste. E gjithë hapësira që ne kemi këtu është e konceptuar e atillë, kjo është një galeri faktikisht është ndërtuar për qëllime muzeale. Është një projekt që ka filluar në vitin 2010 mes Bashkisë së Shkodrës, Ministrisë së Kulturës së kohës normalisht, por edhe Kishën Françeskane. Faktikisht një aktivitet, i cili për publikun ka filluar në vitin 2014, pasi mbaroi e gjithë ndërtimi dhe konceptimi”, ka thënë drejtori i Muzeut, Pjerin Mirdita, teksa ka shtuar se synohet që ky vend të jetë një qendër e mirëfilltë edukimi.

Kryeministri Rama citohet të ketë thënë se është momenti për të ndërhyrë me investime në infrastrukturën e Muzeut, për t’u pasuruar me materiale të reja, të ndërthurura në mënyrë më interesante, sa i përket ekspozimit të tyre.

“Ka nevojë për një rishikim, por edhe për t’i bërë një ndërhyrje si në syrin e Muzeut të Marubit, sepse besoj se ka shumë mundësi që të bëhet akoma më mirë, sidomos kjo pjesa e hyrjes që mund të ketë më shumë figurat e personave të persekutuar, familjeve, me fotografi autentike. Mund të bëhet diçka shumë spektakolare”, ka thënë ai. Ka thënë se Shqipëria nuk e ka në asnjë vend të përmbledhur historinë e persekutimit dhe të fesë E ky është vendi. Këtu ke gjithë hapësirën. Edhe biblioteka mund të pasurohet“, citohet të ketë thënë Rama

Edhe Benet Beci ka theksuar se “Marubi” është shumë pikë tërheqëse në Shkodër, por edhe ky muze po ashtu mund të bëhet shumë tërheqës.

Artikuj të ngjashëm