Kinematografia shqiptare ka humbur njërën prej ikonave të filmit. Në moshën 89-vjeçare ka vdekur Dhimitër Anagnosti, emri i të cilit ka vulosur historinë e artit.
Anagnosti u diplomua në Moskë më 1960 dhe që në fillim të karrierës u dallua me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, i vlerësuar me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave të Kinemasë në Holandë.
Gjatë katër dekadave krijimtarie ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke hyrë në historinë e artit shqiptar me vepra të pavdekshme.
“Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, janë disa prej veprave të tij. Shumë prej tyre u shfaqën në festivale ndërkombëtare dhe u vlerësuan me çmime. Për artin e tij të rrallë Anagnosti u nderua me titullin “Artist i Popullit” dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar. Përveç kinemasë, ai dha kontribut edhe në politikë si deputet dhe ministër i Kulturës në fillim të viteve ‘90. Ishte gjithashtu ideator i fondacionit “Fan Noli” dhe autor i dramës “Nata e trokitjeve në xham”.
Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren Roza Anagnosti, duke krijuar një nga çiftet më të dashura të skenës shqiptare. Emri dhe filmat e tij do të mbeten përjetësisht pjesë e identitetit kulturor shqiptar.