Në këtë lloj poezie kinemaje, karakteristikë e artit të tij, regjisori Dhimitër Anagnosti gjeti si t’i përshtaste gjinitë e lirikes, dramatikes, por edhe kuptimin mirëfilli të ekzistencës dhe pyetjes së asaj që qenia e pret dhe e mundon në çdo moment: Pasjeta. Në një varg aforizmash dhe dromcash prozaike, të cilat i përcjell në botimet e viteve të fundit, jep mësime përvoje nga jeta. Nuk i mban, por vendos, t’i ndajë me publikun dhe ia beson çiltërsisht mendimin e mbledhur gjatë, publikut të tij dhe pulson me trishtimin e tij të madh. Është vrojtues dhe i vuajtjes dhe sfidës së shqiptarëve. Në ditët e kalvarit të Kosovës, metaforën e dhimbjes do ta titullonte “Djepat e Kosovës”
Vdekja në trevën ku lindi regjisori i ndjerë shqiptarm Dhimitër Anagnostim është jo thjesht kategoria sublime e jetës që duhet t’i dorëzohemi pa asnjë mëdyshjem por edhe paqtim. Himara e ka përjetuar shumë dhe normalisht vdekjen, si realitet por edhe si çlirim prej kapriçove të ashpra të jetës. Ndaj në agun e 1 shtatorit 2025, kur regjisori do të ndërronte jetë, procedura jetësore ishte fare e thjeshtë: Kaloi në udhën tjetër. Drejt Pasjetës. Një rrugëtim i njohur mirë nga ADN-ja e tij që në krijimtari e gjen të materializuar përveç pelikulës, në poezitë, maksimat dhe krijimtarinë e shkruar. Vjen koha të vdesin\ T’ikin nga kjo botë\ Ritet janë lloj-lloj\ Njësoj vetëm lotët!
Regjisori mbart një krijimtari të shquar, e cila nis fill pas mesit të shekullit të kaluar. Filmat e tij zënë një vend të nderuar në historinë e kinematografisë shqiptare. Disa prej tyre syresh të markuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në shesh-xhirim për herë të fundit do të zbriste me “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), ndërsa i fundit në periudhën e socializmit ishte “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), sipas romanit të Ismail Kadaresë. Dy vite më parë kishte ekranizuar një nga kryeveprat e Çajupit “14 vjeç dhëndër”, realizuar me emrin “Përrallë nga e kaluara” (1987), e cila kapi një kulm sa i përket filmit komedi. Gjithsesi për kritikën, një nga kulmimet e tij do të ishte filmi “Lulëkuqet mbi mure” (1976), ku përmes simbolikës së një jetimore, ai parashtron një metaforë korale për Shqipërinë: Jetime në një botë ku vendin tonë e trajtojnë si pa asnjë përkrahje. Ky film i realizuar në kohën kur metoda e Realizmit Socialist sapo po qetësohet pas spastrimeve të mëdha të iniciuara nga Plenumi IV i PPSH-së dhe fjalimet e ashpra të Enver Hoxhës, bën diferencë dhe me të drejtë nderohet me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Anagnosti mundohet ta lerë pak mënjanë ideologjinë, merr dhe respekton antifashizmin, por jeta dhe metamorfoza e fëmijëve jetimë në një farë mënyre tregon dinamikën e shqiptarëve në shekullin e pavarësimit të tyre. Duke njohur kamerën (u arsimua për të në ish-Bashkimin Sovjetik) dhe duke u vendosur shpejt në karrigen e regjisorit, ndërsa përmbledh si dhunti dëshirën e shkrimit, arriti të sjellë në trashëgiminë e vet shumë drama, romane dhe forma të ndryshme krijimi, nga etydi, poezia, meditimi dhe tregimi i shkurtër. Nga të gjitha na ndjek një vëzhgues i mprehtë nga të tillët që vende të vogla si ne e kanë vështirë t’i nxjerrin shpesh.

E megjithatë, apoteozat që ngrihen zakonisht në ditët e para të pasvdekjes më shumë e dëmtojnë pakëz figurën e tij, ndërsa tregojnë sesa shoqëria jonë ka qenë jo aq e zonja t’i asimilojë krijimtarinë dhe t’i përçojë si duhet mesazhet e tij. Qysh në të gjallë, Anagnosti u kujdes vetë për këtë, duke e njohur këtë lloj forme që e largon personazhin nga e vërteta dhe nga krijimtaria e tij. Prej vitesh nuk fliste për median falë një kodi moral, të cilin ia atribuonte vetes për të lënë kontributin e tij të fliste: “Më gjykoni me veprën time! Aty jam unë”. Ai\ajo që do të mundohej më shumë për ta mikluar të fliste, do merrte përgjigjen nga mjeshtri që do t’ia priste shkurt, ndoshta edhe me pak ashpërsi. Tek e fundit i ishte dedikuar veprës. Dhe, familja e tij ishte pjesë e botës së shesh-xhirimit.

Dhe, arti i tij kontribuoi në një nga format më eprore të komunikimit, pasi kinemaja në formën e saj më themelore, është një gjuhë. Si çdo gjuhë, ajo ka potencialin për të komunikuar jo vetëm nëpërmjet dialogut apo rrëfimit, por përmes një dimensioni më të nuancuar dhe abstrakt që ne shpesh i referohemi si “poezi kinema”? Në këtë lloj poezie kinemaje, karakteristikë e artit të tij, regjisori gjeti si t’i përshtaste gjinitë e lirikes, dramatikes, por edhe kuptimin mirëfilli të ekzistencës dhe pyetjes së asaj që qenia e pret dhe e mundon në çdo moment: Pasjeta. Në një varg aforizmash dhe dromcash prozaike, të cilat i përcjell në botimet e viteve të fundit, jep mësime përvoje nga jeta. Nuk i mban, por vendos, t’i ndajë me publikun dhe ia beson çiltërsisht mendimin e mbledhur gjatë, publikut të tij dhe pulson me trishtimin e tij të madh. Është vrojtues dhe i vuajtjes dhe sfidës së shqiptarëve. Në ditët e kalvarit të Kosovës, metaforën e dhimbjes do ta titullonte “Djepat e Kosovës”: Me djepa u mbushën ekranet e Botës\ Djepa në mes të baltës\Djepa në mes të flakës\Djepa në teh të thikës\ Djepa në ankth të frikës! Dhe, Koha dy masa ka: Arkivolin\dhe djepin në krah\Njeri sup, vdekjen mba’\ Supi tjetër jetën që qa’. Koha, vetë, e thirri Anagnostin në masën e parë atë të Arkmortit, ku u përcoll me respektin e shqiptarëve ngado drejt rrugëtimit në vendin e amshuar, i cili në amanet u blatua në vendlindjen e tij: Vuno!
Skeda e filmave
“Gjoleka, djali i Abazit” (2006)
“Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989)
“Përrallë nga e kaluara” (1987)
“Gurët e shtëpisë sime” (1985)
“Kujtime nga Gjirokastra” (1983)
“Vëllezër dhe shokë” (1982)
“Në shtëpinë tonë” (1979)
“Monumenti” (1977)
“Lulëkuqet mbi mure” (1976)
“Kur hiqen maskat” (1975)
“Cuca e maleve” (1974)
“Përjetësi” (1974)
“Motive nga dita e diel” (1973)
“Malet me blerim mbuluar” (1971)
“Parafabrikatet” (1970)
“Plagë të vjetra” (1968)
“Duel i heshtur” (1967)
“Komisari i dritës” (1966).
