Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Riza Dolaku – maestroja që i dha frymë të re muzikës shqipe

Muzika e kultura shqiptare, të shtunën, kanë humbur maestron e shquar, Riza Dolaku. Kolegë e bashkëpunëtorë të shumtë të tij e kanë kujtuar si emër të përveçëm në muzikën shqipe, pionier në orkestrimet veçmas në rock e jazz. Për jo pak gjenerata muzikantësh ai ishte udhërrëfyes në botën e muzikës

Emri i tij është i pashmangshëm në historinë e muzikës profesioniste në Kosovë. Që në fillet e karrierës së tij do të shquhej si figurë unike për t’u bërë njëri prej orkestruesve më të zottë të muzikës së lehtë, e të jazzit. Muzika e kultura shqiptare, të shtunën, kanë humbur maestron e shquar, Riza Dolaku.

Lajmin për vdekjen e kompozitorit, orkestruesit e dirigjentit e kanë dhënë familjarët. Ai ishte 72-vjeçar. Lamtumira e fundit i është dhënë po të shtunën, në Varrezat e Prishtinës në “Dragodan”.

Kolegë e bashkëpunëtorë të shumtë të tij e kanë kujtuar si emër të përveçëm në muzikën shqipe, pionier në orkestrime, veçmas në rock e jazz.

Riza Dolaku u lind më 1949 në Mitrovicë, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e Mesme të Muzikës e nisi në Prizren dhe e kreu në Prishtinë. Filloi me punë si pianist në produksionin muzikor të Radiotelevizionit të Prishtinës. Më pas u regjistrua në Akademinë e Muzikës në Beograd, u kthye sërish në RTP si instrumentist e udhëheqës i orkestrës revyale deri në largimin kolektiv më 1990. Si kompozitor e orkestrues mori pjesë në festivalet “Akordet e Kosovës”, “Poli Fest”, “Shou Fest”, “Nota Fest”, “Kënga Magjike”, Festivali i Muzikës i Radiotelevizionit Shqiptar, Festivali i Opatisë e të tjerë. Në shumicën prej tyre u shpërblye për orkestrime.

Orkestruesi i rrallë

Edhe “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip Kulturë 3 muaj më parë “Ilirian Ahmeti Trio” me jazz pa kufij tingëllon edhe shqip

“Njihet ndër orkestruesit më të mirë të muzikës së lehtë dhe të jazzit. Ka krijuar për këngëtarët Q. Dushku, B. Islami, G. Pallaska, M. Mengjiqi e të tjerë”, shkruan në zërin për të në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

vitit 2000 nisi punë në Radiotelevizionin e Kosovës si dirigjent i big-bendit. “Është autor albumesh muzikore me këngë të vjetra qytetare dhe përpunime të folklorit shqiptar”, ka shkruar muzikanti Xhevdet Gashi në “Fjalor...”.

S’ka emër të shquar në muzikën e popullarizuar që s’ka bashkëpunuar me maestro Dolakun.

“Humbje e madhe për artin dhe kulturën. Komuniteti artistik dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e përkujton figurën e tij dhe e çmon lart kontributin që ka dhënë në shoqërinë tonë. Ngushëllime familjes dhe gjithë komunitetit artistik”, ka shkruar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku në një telegram ngushëllimi.

Pionier i muzikës moderne

Edhe Emin Riza – intelektuali ekselent që kishte gjithnjë diçka me vlerë për të thënë Shtojca për Kulturë 1 o. më parë Emin Riza – intelektuali ekselent që kishte gjithnjë diçka me vlerë për të thënë

Për jo pak gjenerata muzikantësh ai ishte udhërrëfyes në botën e muzikës.

“Pusho në paqe Riza Dolaku! Do të të kujtojmë me shumë mall. Ngushëllime gjithë familjarëve dhe komunitetit artistik! Faleminderit për muzikën dhe gjithçka tjetër që ndave me ne”, ka shkruar kompozitori Florent Boshnjaku.

I afërt me të ka qenë edhe kitaristi e kompozitori Afrim Macula. “Na iku ky njeri i dashur, i veçantë dhe i madh për nga natyra muzikore”, ka thënë Macula.

Baterisi i shquar Besim Gashi-Babuka e ka kujtuar për këshillat e çmueshme që ka marrë prej tij.

“Riza, siç e quanim ne, ishte një muzicient tepër i rrallë që ka pasur shqiptaria. Në vitet ’70, ‘80 dhe ‘90 Riza ka qenë njohësi më i mirë i harmonisë dhe shkallëve muzikore, posaçërisht në jazz, pop dhe rock muzikë, ku në atë kohë pakkush ka pasur mundësi madje me e kuptu jazzin si kulturë”, ka shkruar Babuka teksa ka veçuar edhe këshillat që ai jepte. “Në bisedat me Rizën ishte kënaqësi dhe privilegj me e dëgju për finesat e muzikës që ai na tregonte. Përjetësisht e falënderoj për këshillat dhe kohën që na e ka përkushtu. Pusho në paqe Riza mjeshtri!”, ka shkruar Babuka.

Edhe Akademik Emin Riza – guri peshërëndë i studimit të trashëgimisë kulturore Kulturë 3 d. më parë Akademik Emin Riza – guri peshërëndë i studimit të trashëgimisë kulturore

Pionier të muzikës moderne në Kosovë, e ka cilësuar jazz-bateristi Nesim Maxhuni. “Falë Zotit la shumë trashëgimi mbrapa, shumë vepra muzikore, edhe dy djemtë super muzikantë! Ngushëllime të gjithë komunitetit artistik. Jeton Dolaku e Faton Dolaku ngushëllime shokët e mi!”, ka shkruar Maxhuni.

Shkodran Tolaj, drejtor i Ansamblit Nacional të Këngëve e Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka thënë se, me vdekjen e Dolakut bota muzikore ka humbur një njeri me virtyte e profesionalizëm të pashoq, mungesa e të cilit do të jetë e pakompensueshme. Ka përshkruar edhe natyrën e tij prej artisti. “Iku bohemi fjalëpak, kompozitori e orkestruesi unik, i cili eci çdoherë në hap me kohën”, ka shkruar Tolaj në një postim në rrjete sociale.