Varri etrusk, që përmban një skelet dhe dhjetëra artefakte, i zbuluar në Korsikë nga arkeologët francezë, është cilësuar si gjetje e rrallë që mund të hedhë dritë mbi qytetërimin e pasur të Italisë Veriore dhe asimilimin e saj nën Perandorinë Romake.
Arkeologët kanë gjetur sarkofagun shkëmbor që daton nga shekulli IV para erës sonë brenda një nekropoli të madh romak që përmban mijëra varre në Aleria, në lindje të ishullit mesdhetar francez, shkruan Reuters, transmeton Koha Ditore.
Etruskët origjinën e kanë në Toskanë gjatë epokës së bronzit rreth 900 vjet para erës sonë dhe lanë pak gjurmë të shkruara të kulturës së tyre. Rënia e tyre ishte graduale dhe qytetet e fundit etruske u morën nga Roma rreth 100 vjet para erës sonë.
Zbulimi, i bërë i ditur këtë javë, mund të japë detaje të reja mbi ekzistencën e një popullsie të qëndrueshme etruske në Korsikë dhe mund të ndihmojë arkeologët të kuptojnë rënien e ngadaltë të qytetërimit etrusk.
“Është lidhja që mungon, e cila do të na lejojë të bashkojmë ritet funerale etruske, por gjithashtu përforcon hipotezën se para pushtimit romak (në vitin 259 para erës sonë), Aleria ishte një pikë transitore në detin Tiren, duke përzier interesat etruske me të popujve të tjerë", ka thënë udhëheqësi i ekipit Franck Leandri.
“Varri duket se i përket një zyrtari të rangut të lartë pasi përmban rreth 15 vazo qeramike të ngjashme me ato etruske dhe atë që ngjan të jetë një pasqyrë ", ka thënë antropologia Catherine Rigeade. “Kemi disa të dhëna për objekte etruske, por ne dimë shumë pak për subjektet etruske. Këtu i kemi të dyja”, shtoi Rigeade.
Edhe
Anija e fundosur bizantine, një thesar në Adriatik
Në afërsi të varrit arkeologët zbuluan një unazë prej ari që nuk mban pothuajse asnjë gjurmë kohe. Në të mund të ketë qenë një portret femre, ndoshta duke përshkruar perëndeshën Afërditë.
Studiuesit tani do të përqendrohen në skeletin që është mbuluar me pjesë të shkatërruara, përveç kafkës. Ata planifikojnë të thërrasin shkencëtarë të forenzikës për të ndihmuar zbulimin e sekreteve të eshtrave.