Kulturë

Varreza e zbuluar në Poloni, dëshmi e 10 mijë vjet e vjetër për mënyrën e jetesës

Pas zbulimit të varrezës mezolitike në Poloni shkencëtarët do të rikonstruktojnë kafkat si dhe gjatësinë trupore të të rriturve. Analizat e ardhshme do të përqendrohen gjithashtu në prejardhjen e grupit, mënyrën e të ushqyerit,  jetën e hershme

Pas zbulimit të varrezës mezolitike në Poloni shkencëtarët do të rikonstruktojnë kafkat si dhe gjatësinë trupore të të rriturve. Analizat e ardhshme do të përqendrohen gjithashtu në prejardhjen e grupit, mënyrën e të ushqyerit, jetën e hershme

(Science in Poland) – “Arkeologët në Poloni kanë zbuluar një varr të rrallë grupor që daton prej mezolitit gjatë ndërtimit të një gazsjellësi në Poloni. Varreza pranë fshatit Orlovo, në komunën Inowrocław, përmbante mbetjet mortore të katër personave – një burri, një gruaje dhe dy fëmijëve. Mbetjet e tyre ishin të vendosura në mënyrë të tillë sikur të ishin duke u përqafuar. Vlerësohet se ky zbulim daton nga periudha 8000–7000 para erës sonë, pra nga mezoliti, raporton “Science in Poland”.

“Katër persona janë varrosur në këtë varr: një burrë i rritur dhe një grua e rritur, me një fëmijë rreth 7–8 vjeç mes tyre. Në të majtë të burrit ndodhej një fëmijë tjetër, rreth 3–4 vjeç”, ka thënë Justina Marçevka-Długonjska nga Universiteti i Kardinal Stefan Wyszyński në Varshavë. Analizat e ardhshme me karbon 14 do të konfirmojnë nëse ky varr i përket periudhës së mezolitit (epoka e mesme e gurit). Tre faktorë të pavarur sugjerojnë vjetërsinë e varrit, ka thënë arkeologu Piotr Alagjerski, udhëheqës i gërmimeve.

“Faktori i parë është gjeologjia e vendit. Toka e zezë, e cila filloi të formohej në rajonin e Kujavisë para 7000–8000 vjetësh, është dominuese në këtë zonë. Megjithatë, gjatë gërmimeve të varrit nuk hasëm tokë të zezë mbi këtë vendndodhje. Prandaj konkludojmë se gropa e varrit është hapur përpara se të formohej kjo shtresë toke”, ka thënë ai.

Pista e dytë ishte një vegël prej guri, e fshehur poshtë kafkës së njërit prej fëmijëve. “Quhet ‘bërthamë’ – një fragment i thërrmuar. Përdorej për të bërë tehe dhe thika. Ishte një vegël shumëfunksionale e epokës së gurit. Prania e saj nën kokën e fëmijës tregon se nuk ka përfunduar aty rastësisht apo më vonë”, ka thënë Alagjerski.

Faktori i tretë, sipas tij, është ngjashmëria me varreza të tjera mezolitike në Skandinavi e në Francë. 
“Ende nuk kemi pasur një gjetje të tillë në Poloni. Megjithatë, në varreza të ngjashme nëpër botë pozicioni i trupave të të ndjerëve është pothuajse identik – këmbët janë lehtësisht të përkulura, një pozicion shumë i njohur i varrimit. Të ndjerët duken sikur po përqafohen, po mbajnë njëri-tjetrin. Ky lloj pozicioni i trupave zakonisht nuk haset në periudhat më të vona”, ka thënë ai.

Shkaku i vdekjes mbetet i paqartë.

“Në shikim të parë nuk ka shenja dhune në kocka që do të tregonin se të ndjerët janë vrarë nga një grup tjetër. Vdekja e tyre ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një ngjarje e papritur, që mund të ketë çuar në hipotermi, për shembull”, ka thënë Alagjerski.

Analiza e ADN-së do të përcaktojë nëse këta persona ishin anëtarë të së njëjtës familje.
“Vetë pozicioni i trupave e sugjeron këtë, por duam ta konfirmojmë përmes testimit të ADN-së dhe gjithashtu të konfirmojmë gjininë e të rriturve dhe të marrim një tregues për gjininë e fëmijëve, gjë që është shumë e vështirë për t’u përcaktuar te skeletet e fëmijëve”, ka shpjeguar Marçevka-Długonjska.

Gërmimet në lokalitet kanë përfunduar, ndërsa studiuesit nga Fakulteti i Biologjisë dhe Shkencave të Mjedisit në Universitetin e Kardinal Stefan Wyszyński vazhdojnë punën laboratorike.
Shkencëtarët do të rikonstruktojnë kafkat, do të përcaktojnë gjininë dhe moshën e të rriturve në momentin e vdekjes, si dhe do të rikonstruktojnë gjatësinë trupore të të rriturve.

Analizat e ardhshme do të përqendrohen gjithashtu në prejardhjen e grupit, mënyrën e të ushqyerit jetën e hershme.

“Dëshirojmë të zbulojmë nga kanë ardhur të ndjerët dhe ku i kanë kaluar vitet e tyre të para të jetës, si ka qenë dieta e tyre dhe nëse ka ndryshuar gjatë jetës, madje edhe si kanë qenë javët e para të jetës së fëmijëve pas lindjes”, ka thënë Marçevka-Długonjska.

Marrë nga “Since in Poland”