Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Van Goghu eksplorohet me autoportret në Wales

“Musée d’Orsay” në Paris jep hua pikturën e Van Goghut në këmbim të veprës së Renoirit, “La Parisienne”. Në ekspozitën e titulluar, “Welsh Art of the Selfie”, vizitorët do të inkurajohen të bëjnë autoportretet e tyre

Autoportreti i piktorit Vincent van Gogh është zbuluar në Cardiff, teksa shfaqet për herë të parë në Walles. Piktura e mjeshtrit holandez e titulluar “Portrait Of The Artist” dhe e realizuar në vitin 1887, është huazuar nga “Musee D-Orsay” në Paris dhe do të qëndrojë e ekspozuar për ca kohë në Muzeun Kombëtar të Cardiffit. Kjo vepër përbën pjesën qendrore të një ekspozite që eksploron nëse autoportretet e tilla janë në të vërtetë “selfiet” origjinale. Koleksioni përfshin gjithashtu vepra të artistëve ikonikë, Rembrandt, Brenda Chamberlain, Frances Bacon, Bedëyr Williams dhe Anya Paintsil.

Veprat shfaqin metoda dhe qasje të ndryshme artistike ndaj konceptit të autoportretit, të përdorura nga artistët gjatë historisë për të eksploruar identitetet e tyre dhe për t’u shprehur para botës.

Van Gogh, i cili jetoi nga viti 1853 deri më 1890, pikturoi më shumë se 35 autoportrete dhe është pa dyshim një nga fytyrat më të njohura në artin perëndimor.

Dr. Kath Davies, drejtoreshë e koleksioneve dhe hulumtimeve në “Amgueddfa Cymru”, një grup i sponsorizuar nga qeveria ku përfshihen shtatë muze të Uellsit tha: “Kemi kënaqësinë ta mirëpresim autoportretin e Van Goghut në Muzeun Kombëtar të Cardiffit. Autoportretet dhe ‘selfiet’ janë dy gjëra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët – të dyja përdoren për të treguar se kush je si person”.

Tutje, Davies tregoi se si atyre iu afruan përfaqësuesit e “Musée d'Orsay”, të cilët kërkonin ta huazonin një nga pikturat e tyre më të dashura, ”La Parisienne”, e njohur gjithashtu si Zonja Blu nga Renoir.

“La Parisienne” është pjesë e koleksionit të Wallesit nga viti 1952, kur u la trashëgim nga koleksionistja dhe dashamirja uellsiane e artit, Gwendoline Davies. Sipas Daviesit, në fillim ata ishin pak ngurrues rreth kësaj kërkese: “Njerëzit udhëtojnë me kilometra për ta parë këtë vepër dhe mërziten kur ajo nuk është në muze. Ajo shërben si një lidhje emocionale për kaq shumë njerëz”.

Megjithëkëtë, Davies thotë se shkëmbime të tilla nuk janë aq të zakonshme, por një nga kuratorët e artit në Paris kishte kaluar kohë në qytetin Lampeter të Wallesit dhe ndihmoi në zbutjen e rrugës për të arritur deri te marrëveshja që një pikturë e Van Goghut të dërgohej në këmbim të veprës ikonike të Renoirit. Ekspozita “The Art of the Selfie” hapet më 16 mars dhe është në dispozicionin e publikut nga e mbarë bota deri më 26 janar të vitit të ardhshëm. Vizitorët inkurajohen të paguajnë aq sa munden për biletat.

Marrë nga BBC dhe “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku

Artikuj të ngjashëm