Për maestron Vincent Van Gogh, asnjëherë nuk janë thënë të gjitha, e dëshmi për këtë është edhe filmi francez i Maurice Pialatit i vitit 1991 që bashkon në një rrëfim 67 ditët e fundit të gjeniut. Shfaqjes së tij në “Kino Armata” i parapriu dokumentari i shkurtër “Kangë Dashnie” i Flaka Kokollit që zbërthen qëndrueshmërinë e gruas
Gjithherë ka diçka për t’u thënë a zbuluar për Van Goghun. E natyrshme, sepse bota e tij është e pakufishme, e mistershme. Edhe një film i tri dekadave më parë, si “Van Gogh” i regjisorit francez Maurice Pialat, hap kapituj të rinj njohjesh e rinjohjesh. Produksioni francez që ende konsiderohet nga kritikët si një ndër filmat më të mirë për jetën e maestros holandez, është shfaqur të hënën mbrëma në “Kino Armata”, në kuadër të bashkëpunimit me Aleancën Franceze në Prishtinë, Ambasadën e Francës në Kosovë dhe IF Cinema.
Filmi është një dramë biografike për njërën prej figurave më intriguese, Vincent Van Goghun (1853 – 1890), por ndryshe nga shumë të tjerë, Pialat paraqet jetën e piktorit me një qasje që s’është melodramatike apo sensacionale. Përderisa shumë regjisorë paraqesin jetën e tij si atë të një gjeniu që përfundon në tragjedi, ky film fillon dhe mbaron me një temp të qetë. Ardhja e Van Goghut në Auvers-sur-oise, është pa zhurmë, dhe piktori me vete ka vetëm tablotë e tij. Njëlloj vazhdon edhe kontrolli i tij mjekësor, madje çdo takim që ka me banorët e vendit. Lë përshtypjen e një njeriu fare të rëndomtë, që di edhe të pikturojë. Ngjarja merr ritëm me takimin e piktorit me Cathy, një ish-dashnore e tij, e cila tek kujton ngjarje nga e kaluara e tyre, lë publikun të kuptoj edhe personazhin e Vincetit para se të largohej nga qyteti. Personazhi i tij fillon të thyejë qetësinë dhe heshtjen me të cilën audienca mësohet ta shohë në fillim të filmit. Van Gogh vazhdon aferën me Cathyn, fillon një tjetër me Marguerite, vajzën e doktorit nën përkujdesjen e të cilit është, ngacmon rregullisht shërbyesin në hotelin ku qëndron, fillon të qesh më shumë dhe të pijë (gjë të cilën e refuzon vazhdimisht në fillim të filmit) dhe grindet me vëllanë e tij, Theo, duke thyer sjelljen qytetërore që shfaqin të dy në fillim. Përgjatë gjithë kësaj kohe, një gjë mbetet gjithmonë konstante në jetën e tij – pikturimi. Sado i zakonshëm që mund të paraqitet në këtë film, dashuria e tij për këtë art është ajo që sërish e bën Van Goghun ai që është. Mënyra e tij e veçantë për të parë botën, në këtë film, shfaqet nëpërmjet bisedave të vogla që ai ka me personazhet e tjera. Kur Marguerite ankohet se ngjyrat në pikturën që ia bën asaj nuk janë të vërteta, ose kur Johanna e pyet se pse nuk pikturon ujin dhe piktori i përgjigjet duke thënë se ngjyrat e ujit ndryshojnë tërë kohën. Ndoshta edhe duke qenë në dijeni të jetës së tij, as ditët e fundit të tij në film nuk janë shokuese. Teksa gjendja e tij përkeqësohet, dhe ai ka bisedat e fundit me njerëzit përreth, shfaqet skena e personazheve në jetën e piktorit në tre muajt e fundit, në qetësi, duke ngrënë darkë - në skenën tjetër, po aq qetë dhe heshtur, piktori vdes. Skena përmbyllëse e filmit shfaq Margueriten veshur me të zeza duke buzëqeshur me një tjetër piktor të ri. Për portretizimin e piktorit, aktori Jacques Dutronc fitoi çmimin “César” për aktorin më të mirë në vitin 1992.
Ky film u shfaq në “Kino Armatë” si pjesë e serisë së “Valës së re” franceze, ku gjatë gjithë muajit shkurt janë shfaqur filma të kësaj periudhe.
“Kemi shfaqur regjisorët më të rëndësishëm të kësaj vale. Deri më tash kemi shfaqur filmat e Agnès Varda, Louis Malle, Jacques Rivette, François Truffaut dhe do të vazhdojmë edhe dy javë me këtë tematikë”, ka thënë Eranda Vokshi, programuese e filmit në “Kino Armata”.
Lëvizja filmike franceze “Vala e Re” (La Nouvelle Vague) u shfaq në fund të viteve ‘50 e në fillim të ‘60. Kjo periudhë karakterizohet me refuzimin e konventave tradicionale të filmbërjes, eksperimentim dhe frymë të ikonoklazmës. Regjisorët e “Valës së Re” njihen për qasje të reja të montazhit, stil vizual dhe narrativ, si dhe angazhimin me frymët sociale dhe politike të kohës, duke përdorur shpesh ironinë ose eksplorimin e temave ekzistenciale.
Vokshi ka thënë se filmat e kësaj fryme kanë zgjuar mjaft interesim te publiku. Sipas saj, ka pasur interesim të madh, dhe me raste edhe salla është mbushur, sidomos në filmat që janë më të njohur ose nga regjisorë më me emër.
Si pjesë hyrëse e filmit francez, qe filmi dokumentar i metrazhit të shkurtër, “Kangë Dashnie”, i cili është edhe i pari dokumentar i Flaka Kokollit. Shpalos rrëfimin për një grua të re, Feray Dervis, e cila tregon historinë e saj, martesën në moshë të re, izolimin nga partneri, pasojat psikologjike që ky izolim shkaktoi tek ajo, dhe kurajën e forcën e saj për të dalë nga një gjendje e tillë. Kokolli ka thënë se pas intervistave me persona të ndryshëm, në fund ka vendosur të trajtojë tregimin e Feray, sepse lidhej më së miri me temën e saj – ngujimin.
“Jam fokusuar në ngujimin në nivel fizik, hapësinor dhe emocional. Duke e marrë parasysh edhe qasjen tonë kulturore në raport me dhimbjen e vuajtjen që u shkaktohet grave, forca të cilën e tregon Feray në dokumentar pasqyron një qëndrueshmëri që plot gra e vajza e kanë pjesë të përditshmërisë”, ka thënë Kokolli. Filmi i saj erdhi në kuadër të programit të rregullt të “Kino Armatës”, ku studentëve të shkollës “Neo_School” – një seri projektesh që ua mundëson të rinjve të mësojnë për filmbërjen e t’i konkretizojnë veprat e tyre – u jepet mundësia për të prezantuar punën e tyre.
“’Neo School’ është shkollë e filmit dokumentar i cili është mbajtur dy herë deri tash në Armatë. Kjo shkollë zgjat një muaj edhe fokusohet në trajnim dhe teknika, me dy javë ligjërata dhe mandej pjesëmarrësit vazhdojnë me realizimin e një filmi të tyre”, ka thënë Vokshi, e cila edhe vetë ka qenë pjesë e kësaj shkollës. Deri më tash, janë shfaqur 3 prej filmave të pjesëmarrësve në “Neo_School” që mbajti modulin e dytë prej 31 majit deri më 4 korrik të vitit të kaluar. Për Flaka Kokollin, që si profil ka animacionin, shkolla ishte një eksperiencë krejt e re.
“Unë vij nga një fushë tjetër e filmit, kështu që procesi që e kemi mësuar ne gjatë Neo_School ka qenë shumë i kundërt me çka jam mësuar të punoj zakonisht. Përveç procesit të punës praktike, pjesë shumë e këndshme kanë qenë edhe ligjëratat teorike, sidomos ato që kanë pasur të bëjnë me mënyrën se si me iu qasë stories e dikujt tjetër edhe me nxjerrë diçka që i përgjigjet edhe imazhit të karakterit jo vetëm të regjisorit”, ka thënë Kokolli. Ajo ende dëshiron të vazhdojë me animacion, mirëpo pas kësaj përvoje, thotë se mendon të integrojë edhe zhanrin e dokumentarit në animacion.
Vala e re do të vazhdojë edhe për dy javë në “Kino Armata”. Muajt në vijim pritet të vazhdojë me tema të ngjashme, me filma suedezë, japonezë, e holandezë.
Filmat e shfaqur janë po ashtu edhe pjesë e serisë programore “101”, gjatë të cilit shndërrohet në fushë mësimi për fillestarë dhe entuziastë, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës.
Programi publik i “Kino Armatës” përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe “Instituti Goethe”.