Piktori flaman Anthony van Dyck nderohet me një ekspozitë madhore që bashkon 60 vepra nga muze ndërkombëtarë, institucione kulturore dhe koleksione private, disa prej të cilave shfaqen për publikun për herë të parë. Ekspozita ndjek jetën e piktorit përmes udhëtimeve të tij, portreteve dhe veprave fetare
Veprat më të mira të piktorit belg, Anthony van Dyck, janë bashkuar në një ekspozitë të madhe që nderon artistin, në qytetin që e ndihmoi të bëhej një nga piktorët më të admiruar të shekullit të 17-të, Gjenovë.
“Van Dyck the European. The Journey of a Genius from Antwerp to Genoa and London”, është titulli i kësaj ekspozite retrospektive, e cila bashkon 60 kryevepra të huazuara nga institucione të rëndësishme evropiane, përfshirë Muzeun e Luvrit, muzeun “Prado” në Madrid, Galerinë Kombëtare të Londrës dhe galerinë “Uffizi”, në Firence.
Teknika e jashtëzakonshme e Van Dyckut e çoi atë në krijimin e veprave të mëdha fetare, si altari madhor me titull “Francesco Orero Presented to the Dying Christ by Saint Francis of Assisi and Saint Bernard of Clairvaux”. I porositur nga farmacisti gjenovez, Francesco Orero, ai e paraqet atë së bashku me Shën Françeskun e Asizit dhe Shën Bernardin e Clairvaux, teksa i shfaqet Krishtit në agoni.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Për këtë ekspozitë, altari është zhvendosur për herë të parë nga kisha e “San Michele Arcangelo” në Rapallo dhe është vendosur në Kapelën madhështore të ndërtesës historike “Palazzo Ducale”.
“Është një ekspozitë e jashtëzakonshme, vërtet e pazakontë. Është një ekspozitë në të cilën jo vetëm pikturat e realizuara për familjet gjenoveze, kthehen në shtëpi, por edhe piktura të realizuara në qytete të tjera shumë të rëndësishme nga etapa të ndryshme të jetës së Van Dyckut, si Antwerpi dhe Londra. Shumë piktura vijnë në Gjenovë për herë të parë dhe, mbi të gjitha, është hera e parë që ekspozohen së bashku. Duhet të imagjinojmë se një adhurues i Van Dyckut nuk heziton të udhëtojë edhe nga shtetet e largëta për të parë një koleksion kaq të plotë si ky. Madje as tani nuk është e mundur t’i shohim të gjitha kryeveprat e artistit belg, pasi shumë prej tyre ndodhen në koleksione private”, ka thënë Sara Armella, presidente e “Palazzo Ducale”.
I lindur në Antwerp në vitin 1599 në një familje tregtarësh mëndafshi, Van Dyck tregoi talent që në moshë të vogël.
Ekspozita në Gjenovë hapet me një nga veprat e tij më të hershme, një autoportret i realizuar kur ai ishte rreth pesëmbëdhjetë vjeç. Piktura zbulon tashmë atë që do të bëhej shenja e tij dalluese: aftësinë për të sjellë në kanavacë fytyrat e miqve, fisnikëve dhe figurave të asaj kohe, me një realizëm dhe natyrshmëri të jashtëzakonshme. Me një fjalë: një gjeni i vërtetë.
“Zakonisht nuk më pëlqen ta përdor fjalën ‘gjeni’, por në këtë rast guxojmë dhe mendoj se kemi të drejtë ta përdorim, sepse një gjeni, sipas mendimit tim, është një artist që nuk e humb kurrë magjinë dhe forcën e tij. Dhe kur je përballë artit të Van Dyckut, qoftë në pikturat fetare apo portrete, ndihesh sikur je përballë diçkaje që jeton ende. Pra, puna e tij nuk vjetërsohet kurrë dhe është ai që vazhdon të jetë i dashur universalisht”, ka thënë kuratorja e ekspozitës, Anna Orlando.

I trajnuar në studion e Peter Paul Rubensit, Van Dyck shumë shpejt u largua nga Antwerpi për të nisur një udhëtim të gjatë që do ta çonte në të gjithë Evropën, duke kaluar disa vite në Itali, veçanërisht në Gjenova, ku mbërriti në vitin 1621. Në këtë republikë të pasur detare, që lulëzonte falë rrjeteve globale tregtare, Van Dyck arriti sukses të madh me portretet e tij.
“Kjo është një pyetje shumë e vështirë, sepse do të doja ta pyesja vetë Van Dyckun: ‘Si ia dole ta bësh këtë?’ Ajo që ndiej kur shoh disa portrete të tij është se këta njerëz ende marrin frymë, dhe na vëzhgojnë ende”, ka thënë Orlando.
Ndërsa Sara Armella më tej shtoi: “Ishte një periudhë e jashtëzakonshme, e përcaktuar nga Bruegel si ‘shekulli i gjenovezëve’. Genoa në atë kohë ishte një qytet global. Ishte qendra më e rëndësishme kulturore, sepse ishte qendra më e rëndësishme ekonomike dhe financiare në botë, në atë kohë. Ajo tërhiqte artistë të kalibrit të Rubensit dhe Van Dyckut. Ishte gjithashtu një vend ku kulturat dialogonin dhe, nga ky këndvështrim, ekspozita është e rëndësishme, sepse rinovon rolin e Gjenovës si një kryeqytet ndërkombëtar i kulturës”.
Lidhja e artistit belg me qytetin italian është e thellë, por jo ekskluzive. Ekspozita përfshin gjithashtu vepra të krijuara në qytete të tjera italiane, si dhe në Antwerp e Londër, ku ai u bë piktor i oborrit mbretëror në kohën e Mbretit Charles I. Ajo zhvillohet përgjatë një rruge të gjerë që nuk ndjek një rend kronologjik, por i grupon veprat sipas temave, duke i inkurajuar vizitorët të ndjekin evolucionin e artistit ndër vite, dhe në qytetet e ndryshme ku ai jetoi.
Ekspozita retrospektive “Van Dyck the European. The Journey of a Genius from Antwerp to Genoa and London” do të jetë e hapur për vizitorët deri më 18 korrik të këtij viti.