Për më shumë se pesë dekada, filmbërësi gjerman u ka bërë thirrje audiencave për t’u zhdukur në filmat e tij që çojnë në natyra të panjohura dhe në hapësira të qeta emocionale. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së autorit Wenders këtë gusht, salla “Bundeskunsthalle” në qytetin perëndimor gjerman të Bonnit po prezanton një ekspozitë të gjerë në retrospektivë, me anë të së cilës paraqitet puna e tij e stërzgjatur, duke përfshirë filmin, fotografinë, gravurat dhe shkrimet, të gjitha nën motivin e asaj se çka do të thotë ta depërtosh botën
Për autorin Wim Wenders, zhdukja nuk do të thotë dështim, por një mënyrë mirëqenieje.
“Kur zhdukesh, vërtet e braktis veten edhe pse je i pranishëm”, ka thënë ai për DW.
Për më shumë se pesë dekada, filmbërësi gjerman u ka bërë thirrje audiencave për t’u zhdukur në filmat e tij që çojnë në natyra të panjohura dhe në hapësira të qeta emocionale. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së autorit Wenders këtë gusht, salla “Bundeskunsthalle” në qytetin perëndimor gjerman të Bonnit po prezanton një ekspozitë të gjerë në retrospektivë, me anë të së cilës paraqitet puna e tij e stërzgjatur, duke përfshirë filmin, fotografinë, gravurat dhe shkrimet, të gjitha nën motivin e asaj se çka do të thotë ta depërtosh botën.
Për autorin Wenders, lëvizja nuk ka qenë veç për distancë, më shumë ka qenë për të zbuluar. Lindur në Düsseldorf më 1945, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai është rritur në një qytet që ka shkuar drejt rrënimit. Në premierën e ekspozitës, Wenders që shpesh e quan veten shtegtar, ka rikujtuar kontrastin surreal mes Gjermanisë së pasluftës dhe vendeve të largëta që kishte zbuluar përmes enciklopedisë së gjyshit të tij dhe gazetave të babait të tij.
“Ka qenë zbulim i madh për mua dhe kjo forcë më ka udhëhequr gjatë gjithë jetës. Bota ka qenë më e mirë. Gjithnjë kam dashur të di gjithçka për të... Po të rrija në shtëpi, nuk do të isha këtu”, ka thënë ai.
Kureshtja fëmijërore për të eksploruar ia ka vënë themelin karrierës kreative që shtrihet nëpër kontinente dhe zhanre.
Wenders ka filluar të prodhojë filma në vitet ’70, duke u njohur si një nga figurat më prominente në lëvizjen për “Kinemanë e re gjermane”, tok me bashkëprodhuesit filmikë Werner Herzog dhe Rainer Werner Fassbinder. Trilogjia e filmave rrugorë që ka prodhuar: “Alice in the Cities”, “The Wrong Move” dhe “Kings of the Road”, shpalos një nga temat qendrore të tij: njerëzit në lëvizje, emocionalisht dhe fizikisht, duke kërkuar lidhshmëri ose përkatësi.
Nami i tij ndërkombëtar është vulosur me filmin “Paris, Texas” të vitit 1984, një eksplorim frikësues i humbjes dhe shëlbimit, vendosur në pjesën jugperëndimore të SHBA-së. Filmi tregon një burrë që vjen nga shkretëtira pa asnjë kujtim dhe niset drejt një udhëtimi për t’u rilidhur me të birin. I konsideruar mes klasikëve, ky film ia ka siguruar atij çmimin “Palme d’Or” në Cannes dhe atë “BAFTA” për regjisorin më të mirë.
Në filmin “Wings of Desire” të vitit 1987 gjendet një prej motiveve më të preferuara të Wendersit: engjëjt duke pluskuar mbi Berlinin e ndarë të pasluftës, tek e vëzhgojnë jetën poshtë derisa njëri nga ta bie në dashuri me botën njerëzore. Është raportuar se e ka frymëzuar filmin “City of Angels” të vitit 1998 nga Meg Ryan dhe Nicholas Cage, ndonëse disa kritikë e kanë vlerësuar si dëmtim të punës origjinale të Wendersit.
Së fundi, “Perfect Days” i vitit 2023, një studim i qetë personaliteti, vendosur në Tokio, paraqet një rojë, rutinat e thjeshta të të cilit paraqesin hare, izolim dhe shenjtërinë e jetës së përditshme. Filmi ia kishte siguruar Koji Yakushos çmimin për aktorin më të mirë në Cannes dhe ishte përzgjedhur si filmi përfaqësues i Japonisë për “Academy Awards” më 2024.
Po atë vit Wenders e kishte publikuar filmin “Anselm”, dokumentar në 3D për piktorin dhe skulptorin gjerman Anselm Kiefer, bashkëkohësin e tij, me të cilin kishte tre muaj diferencë në moshë.
“Secili film është një udhëtim më vete, jo veç fizikisht, por është një udhëtim drejt të kuptuarit të diçkaje”, kishte thënë Wenders.
E çka është një udhëtim pa vijë melodike? Muzika gjithnjë ka luajtur një rol kyç në punën e Wendersit. Një shembull që dallohet është filmi “Buena Vista Social Club” i vitit 1999 që ishte nominuar për “Oscar”, në të cilin ai ka gjurmuar historinë e muzikantëve kubanë që ishin ngritur prej territ në famë botërore. Albumi me të njëjtin emër, jo vetëm që ishte shitur mbi 8 milionë herë në mbarë botën, por edhe e kishte rikthyer interesin botëror për muzikën tradicionale kubane, duke fituar edhe një çmim “Grammy”.
Wenders madje ka udhëhequr video muzikore, duke përfshirë “Stay (Faraway, So Close!)” nga U2.
Përtej filmave, Wenders ka qenë edhe fotograf shumë prodhimtar, i njohur për fotografitë që paraqesin hapësira të braktisura, qoshe të stërngarkuara dhe rrugë të gjata e të heshtura. Fotografitë e tij pasqyrojnë prodhimin e filmave, duke u fokusuar në boshllëk, palëvizshmëri dhe dinjitetin e hapësirës.
Ndërkohë eksplorimet e tij vazhdojnë ende. Përveç disa udhëtimeve në Kinë, ai më në fund e ka hequr Indinë nga lista e pritjes për vizitë. “E kam shëtitur Indinë për katër javë. Akoma s’kam qenë në Patagonia, një prej ëndrrave të mia më të hershme... Kurrë s’kam qenë as në Antarktik ose në Pol të Veriut. I kam shmangur territoret e ftohta. I njoh të gjitha skutat e ngrohta të planetit, por jo të gjitha të ftohtat”, ka thënë ai me shaka për DW.
Wenders, gati i trishtuar, e ka rikujtuar epokën paradigjitale, kur mund të zhdukeshe në qytete të reja.
“Në të gjitha qytetet e mëdha të botës jam munduar të humbas kur kam mbërritur aty për herë të parë. Dhe vetëm kur kam arritur të zhdukem, e kam përjetuar vërtet qytetin”, ka thënë ai.
Zhdukja e vërtetë është ndjenjë e rrallë tani që gjithkund ka harta e GPS nëpër telefona dhe kjo e bën akoma më të rëndësishme zhdukjen për autorin Wenders. “Kur zhdukesh, sheh”, ka thënë ai. “Kur e ke një hartë dhe e di udhën, nuk je duke parë asgjë në krahasim me çka sheh kur zhdukesh”.
Me t’u hapur ekspozita në sallën “Bundeskunsthalle”, nuk ka nevojë të jesh adhurues i Wendersit për t’u joshur. Puna e tij i flet secilit që një herë të vetme në jetë nuk është ndier vetvetja ose që ka kërkuar gjithmonë më shumë. Tregimet e tij na kujtojnë se me anë të zhdukjes mund të zbulojmë një mënyrë të re për ta parë, jo veç botën, por edhe vetveten.