Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Vallëzim për Ukrainën” me yjet e baletit në Londër

Yjet botërore të baletit do të marrin pjesë në ceremoninë gala që do të mbahet më vonë këtë muaj në Londër, e me të cilën do të mblidhen para për popullin në Ukrainë.

Në “Vallëzim për Ukrainën” do të marrin pjesë artistët më të njohur rusë të baletit, por që jetojnë jashtë Rusisë, së bashku me anëtarë të Baletit Mbretëror të Anglisë dhe me ata të Operës së Parisit. Të ardhurat nga ngjarja do t’i dhurohen Komitetit të Emergjencave të Ukrainës, shkruan britanikja “The Guardian”.

Ceremonia do të drejtohet nga ylli ukrainas i baletit, Ivan Putrov, dhe balerina rumune, Alina Cojocaru. Ata kanë ushtruar bashkë në Kiev, përpara se t’i bashkoheshin Baletit Mbretëror. “Gala është një dedikim për vlerat njerëzore. Uniteti ynë dërgon një mesazh të fortë. Duke marrë pjesë në këtë projekt, ju mund të ndihmoni dikë që u gjend në rrethana të vështira për shkak të dhunës së luftës”, ka thënë Putrov. “Vallëzimi, muzika dhe arti drejtojnë botën, e jo dhuna. Ne, artistët, duhet të përdorim dhuntinë që kemi.”

Ndër yjet e baletit që marrin pjesë janë balerina e njohur ruse, Natalia Osipova, dhe Katya Khaniukova, e cila u largua nga Kievi në vitin 2014 dhe u bë anëtare e Baletit Kombëtar Anglez. Osipova është emër i njohur edhe për publikun në Kosovë, pasi ka bashkëpunuar si koreografe me Baletin Kombëtar të Kosovës. “Pushimi i kalorëseve”, e inskenuar para dy vjetësh, është njëra prej shfaqjeve.

Artistët dhe interpretuesit organizuan një sërë ngjarjesh për mbledhjen e fondeve për Ukrainën.

Më shumë se 200 artistë ukrainas kanë krijuar një koleksion të tokenëve (NFT) për shitje në mënyrë që të mbledhin të paktën një milion dollarë për ukrainasit.

Po ashtu, edhe disa shtëpi ankandesh dhe galeri kanë paralajmëruar ngjarje për mbledhjen e fondeve.

“Fjalët nuk janë asgjë përballë vuajtjeve dhe humbjeve të tilla të jetëve të pafajshme njerëzore. Arti, dashuria dhe humanizmi kanë fuqi të frymëzojnë e madje edhe të shërojnë. Në këtë frymë, ne do të bashkohemi për të vallëzuar dhe për të ndihmuar sa të mundemi”, ka thënë Cojocaru.

Artikuj të ngjashëm