Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Valdrin Thaqi fitues i çmimit “Artistët e Rinj”

Artistët e rinj janë ata të cilët kanë zënë hapësirën e Galerisë Kombëtare me idetë e konceptet e tyre të veçanta.

Vepra arti që reflektojnë e provokojnë realitetin në të cilin jetojmë, u prezantuan në ekspozitën e finalistëve të edicionit të tretë të çmimit “Artistët e rinj”.

Ndër gjashtë veprat finaliste, ishte ajo e Valdrin Thaqit që këtë vit u përzgjodh më e dalluara. Ky çmim, artistin e dërgon në një rezidencë artistike në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ekspozita e finalistëve të këtij edicioni të çmimit “Artistët e rinj”, u kurua nga Zeni Ballazhi, i cili këto vepra i quajti prezantim të denjë të artit modern në Kosovë.

Edicioni i tretë i çmimit “Artistët e rinj” solli diplomatin Richard Mei në një rol tjetër. Si pjesë e jurisë përzgjedhëse, ai i quajti të gjashtë finalistët fitues.

RICHARD MEI

Zyrtar për komunikim, Ambasada e Amerikës

“Nuk kam asnjë eksperiencë paraprake, por artin e vlerësoj shumë. Jam më se i nderuar që isha pjesë e jurisë përzgjedhëse, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Pata rastin të njoh nga afër çdo vepër arti dhe çdo artist dhe mendoj se çdonjëri nga këta artistë do ta prezantonte Kosovën denjësisht në botën e artit ndërkombëtar. Jam i impresionuar me punët e prezantuara dhe konceptet pas secilës”, u shpreh Mei, zyrtar për komunikim i Ambasadës së Amerikës në Kosovë.

Ekspozita me vepra të artistëve të rinj do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 27 gusht.

Artikuj të ngjashëm