Kulturë

Uruguai hap dritaren për mësimin e shqipes

Institucioni arsimor i themeluar më 1985 ofron kursin për mësimin e shqipes

Institucioni arsimor i themeluar më 1985 ofron kursin për mësimin e shqipes

Me iniciativën e studiuesit Juan Manuel Montoro, Universiteti Katolik i Uruguait për herë të parë ofron mundësinë e një kursi të shqipes. Ndonëse një vend me 3.3 milionë banorë është pjesë e një bote hispanofolëse me mbi 600 milionë njerëz. “Audienca jonë potenciale është ky komunitet më i gjerë, ku qasja në burime të të mësuarit për rajone specifike është e kufizuar. Interesi për Shqipërinë dhe Kosovën po rritet, i nxitur nga turizmi, sporti dhe dukshmëria kulturore. Kjo tregon një mundësi reale”, ka thënë ai. Nëpërmjet një kursi prej 60 orësh që do të mbahet të shtunave, kureshtaret për shqipen do të marrin mësimet e nivelit bazik

Qytetarët e botës hispanike që synojnë të kenë njohje me kulturën shqiptare, prej këtij muaji kanë një mundësi reale: kurs për gjuhën shqipe. Universiteti Katolik i Uruguait në Montevideo është duke e ofruar këtë mundësi nëpërmjet mësimit online. Për qytetarët e Amerikës Latine, sikurse edhe ata të vendeve të tjera, opsionet janë të shumta, por zakonisht ofrohen kurse të shqipes nga mësimdhënës anglishtfolës. Kësaj radhe bëhet fjalë për një kurs universitar me mësimdhënëse shqiptare që komunikon në gjuhën spanjolle. Nëpërmjet një kursi prej 60 orësh që do të mbahet të shtunave, kureshtaret për shqipen do të marrin mësimet e nivelit bazik. 

Me iniciativën e Juan Manuel Montoro, institucioni arsimor i themeluar më 1985, për herë të parë ofron mundësinë e një kursi të shqipes. Juan Manuel Montoro në gjashtë vjetët e fundit ka punuar në projekte të ndryshme në Kosovë. 

“Mësimi i shqipes u bë një hap i natyrshëm për ta kuptuar më mirë rajonin dhe për të punuar atje me një legjitimitet më të madh. Në të njëjtën kohë, isha i përfshirë në iniciativa inovacioni në Universitetin Katolik të Uruguait. Bashkimi i këtyre dy rrugëve dukej si një mundësi: të hapim një formë institucionale të mësimit dhe ta hapim atë për të tjerët”, ka thënë Juan Manuel Montoro, në një deklaratë për KOHËN. 

Sipas tij, edhe pse lidhja midis Uruguait dhe Shqipërisë e Kosovës mund të duket e pazakontë, Qendra e Gjuhëve në Universitet e mbështeti menjëherë idenë. 

“Tani e shohim këtë kurs si një eksperiencë pilot. Nëse funksionon mirë, ai mund të bëhet një model me mundësi zgjerimi për mësimin online të gjuhëve të veçanta, duke përfituar si Universiteti ynë ashtu edhe dukshmëria e këtyre gjuhëve dhe kulturave në hapësira të reja akademike”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për këtë nismë, ka thënë se nuk mbështeten në studime formale sa i përket interesimit potencial, por mbi kontekstin. Ka sqaruar se Uruguai është i vogël, megjithatë është pjesë e një bote hispanofolëse me mbi 600 milionë njerëz. 

“Audienca jonë potenciale është ky komunitet më i gjerë, ku qasja në burime të të mësuarit për rajone specifike është e kufizuar. Interesi për Shqipërinë dhe Kosovën po rritet, i nxitur nga turizmi, sporti dhe dukshmëria kulturore. Kjo tregon një mundësi reale. Në një nivel praktik, ne gjithashtu mbështetemi te rrjetet ekzistuese akademike dhe profesionale në botën hispanofolëse që fokusohen te Ballkani, gjë që i jep iniciativës një pikënisje të fortë”, ka thënë Juan Manuel Montoro. 

Në perspektiven e tij, gjuha luan një rol qendror në lidhjen e shoqërive dhe ajo hap qasje në kuptimin kulturor dhe shpesh çon në forma të reja bashkëpunimi në fushat akademike, ekonomike dhe sociale.

“Edhe njohja bazike e një gjuhe ndryshon ndërveprimet dhe krijon besim të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, mësimi i një gjuhe tjetër zgjeron perspektivën personale. Ky kurs ka për qëllim të krijojë atë hapësirë të përbashkët, ku të dy komunitetet zgjerojnë horizontet e tyre nëpërmjet shkëmbimit të drejtpërdrejtë gjuhësor dhe kulturor”, ka thënë ai. 

Në njoftimin e Universitetit sqarohet se regjistrimet janë të mundshme prej 19 janari. Tregohet se kursi në shqip do të jetë i nivelit A1 dhe është i orientuar drejt zhvillimit të aftësive bazë të komunikimit në situata të përditshme, me fokus në përdorimin praktik të gjuhës dhe në prezantimin e kulturës shqiptare dhe të Ballkanit. Mësimdhënëse do të jetë Jehona Kadriu. 

Ajo ka sqaruar se qëllimi kryesor i kursit është t’u ofrojë pjesëmarrësve njohuri bazë dhe praktike të gjuhës shqipe, duke nxitur njëkohësisht njohjen me kulturën, traditat dhe realitetin shqiptar. 

“Të promovojë gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe t’ua ofrojë atyre personave (hispanikë) që nuk kanë pasur mundësi të kenë kontakt më parë, pra që nuk e njohin potencialin dhe pasurinë e gjuhës sonë, në mënyrë që të zgjojë kureshtjen e tyre për traditat dhe kulturën tonë”, ka thënë ajo. 

Bazuar në përvojën e saj akademike ka thënë se ka pak burime për të mësuar shqipen si gjuhë të huaj e edhe ato burime që ekzistojnë zakonisht janë në anglisht. 

“Këtu folësit e spanjishtes do të mund ta mësojnë atë drejtpërdrejt nga gjuha e tyre, në mënyrë interaktive. Edhe për kulturën shqiptare është e rëndësishme që kjo urë të ekzistojë, sepse rrit dukshmërinë e saj dhe ia hap dyert një publiku prej 600 milionë folësish”, ka thënë Kadriu. 

Bëhet fjalë për një kurs bazik. Kadriu ka sqaruar se studenti do të dalë me njohuri shumë elementare të gjuhës, të cilat mund t’i thellojë më vonë, nëse dëshiron. 

“Por më e rëndësishmja është se do të njohë shumë më tepër një rajon në zhvillim, interesant dhe për të cilin ka pak informacion në dispozicion. Pra kursi planifikohet të zhvillohet fillimisht nga niveli fillestar, duke u përqendruar në komunikimin bazë, me synimin që në fazat e mëvonshme të zgjerohet edhe në nivele më të avancuara, në varësi të interesit dhe angazhimit të studentëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, interesimi për Ballkanin, në përgjithësi dhe për Shqipërinë dhe Kosovën më në veçanti, është rritur shumë vitet e fundit. 

“Sa herë që flas me dikë nga Spanja ose Amerika Latine, vërej një interes të dukshëm për kulturën tonë. Megjithatë, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se detyra e promovimit të kursit do të jetë e vështirë dhe se do të na duhet e gjithë mbështetja e mundshme për ta promovuar kursin dhe për të arritur një numër regjistrimesh që ta bëjë atë të qëndrueshëm”, ka thënë ajo. Numri minimal i të interesuarve për të ndjekur kursin duhet të jetë prej 10 vetash. Iniciativa është në ditët e para të saj. Interesimi potencial do ta forconte atë duke krijuar mundësi edhe të përkrahjes institucionale për ata që kanë interes që të njihen me shqipen e kulturën shqiptare.