Arianit Koci është avokat prej vitit 2004. Ofron një varg të gjerë shërbimesh për klientë vendorë e të huaj dhe ka fituar një reputacion të lakmueshëm si ekspert profesional dhe publik në dhënien e shërbimeve ligjore, veçanërisht në fushën komerciale, penale, të ndërmarrjeve, taksave, bankave dhe Ligjit të punës.
Koci është i njohur për këshillimin e ndërmarrjeve kryesore ndërkombëtare industriale dhe komerciale, institucioneve financiare, ashtu sikundër edhe për përfaqësimin e rasteve të profilit të lartë. Rregullisht mbron rastet më serioze dhe ato të profileve të larta. Nga politikanë te producentë muzikorë, aktorë e deri te komentatorë socialë, aktivistë politikë, shërbyes civilë, avokatë, doktorë, drejtorë ndërmarrjesh, botues gazetash dhe gazetarë hulumtues. Koci rregullisht shfaqet në televizione dhe radio për të diskutuar fushat e tij të specializimit.
Dashi – shenja ime e horoskopit. Shenja e parë e horoskopit, si duket e ka determinuar energjinë time për ndërmarrjen e sfidave. Nuk kam si mos ta përmendi se dash ka qenë një prej kompozitorëve më të mëdhenj në historinë e njerëzimit – Johan Sebastian Bach. Pjesë e karakterit tim – të dashit, padyshim është edhe polemizimi. Shpeshherë me zë të lartë. Polemizim i shoqëruar me mirësjellje, e jo dhunë! Pra – ngriti argumentet dhe jo zërin. Edhe pse në fakt, tek unë ndodh ndonjëherë e kundërta, por kësaj nuk mund t’i iki, sepse është pjesë e karakterit tim. Jam person dinamik dhe funksionoj në sistemin e “Perpetuum mobile” – makinës që nuk ndalet, por ndonjëherë jam i ngutshëm, por i kthyeshëm, shkruan sot Koha Ditore.
A. Shkronja e parë e alfabetit. Prapë është e lidhur me karakterin tim, por edhe me fëmijët e mi, Artin dhe Adenë, dy persona që i dua më së shumti në jetë së bashku me bashkëshorten. Janë ata për të cilët unë çdo ditë e nis ditën dhe punën me vullnet, dhe të cilët janë motivi më i madh që më shtyjnë të vazhdoj dhe të punoj çdo ditë e më shumë. Në fakt, shkronjën A e dua më së shumti, mu për shkak se është e para në alfabet e kjo reflekton në faktin se jam i pari edhe në horoskop – dash. Natyrisht, kjo i ka edhe konsekuencat e veta, për shkak se në ditar të shkollës, gjithmonë është dashur i pari të përgjigjem.
Shkolla – aty ku fillon dhe mbaron çdo gjë: institucioni edukativ, i cili na përgatit për jetë. Është shumë e rëndësishme të përsëritet një qëndrim i përbashkët i të gjithë neve: Shkolla të bën profesionist – por nuk të bën dot njeri. Madje, edhe profesionist i mirë, nuk mund të bëhesh – nëse nuk je njeri i mirë. Konsideroj se shkolla dhe edukimi duhet të jenë rruga e përparimit tonë shoqëror e individual. Është për të ardhur keq fakti se sot shkolla si institucion dhe mësuesit si pjesë e tij, nuk gëzojnë respektin dhe mbështetjen e duhur shoqërore nga shteti dhe shoqëria jonë.
Urat që lidhin njerëzit dhe veprat e tyre. Si person shumë social, ura tek unë simbolizon të shenjtën: shoqërimin me njëri-tjetrin. Pa interaksion shoqëror, jeta nuk ka kuptim. Në anën tjetër, figurativisht, por edhe në jetën reale, urat shërbejnë që ta shkurtojmë rrugën dhe t’i tejkalojmë detin apo lumin e rrëmbyeshëm. Prandaj, urat në jetën time kanë rëndësi të madhe.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)