Kulturë

“Unë dhe Millosheviqi” me yjet e radhës, Baldwin impresionohet nga Kosova

Aktori i shquar amerikan William Baldwin tashmë ka ardhur në Kosovë dhe në shesh xhirimi të filmit “Unë dhe Millosheviqi” është ish-kryeprokuror i Hagës. “Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tash them faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, ka thënë Baldwin në Prishtinë, ku ka folur edhe përtej filmit e rolit të tij. Pos tij, ylli i radhës në filmin e Arben Kastratit është edhe aktorja italiane Maria Grazia Cucinota

Në një nga hapësirat ku Prishtina shihet qartazi si në pëllëmbën e dorës dhe ku zhurmat dëgjohen nga rrugët me turma, deri në tarracën e hotelit, në qendër të Prishtinës, “Unë dhe Millosheviqi”, ka bërë bashkë edhe yje të Hollywoodit. Ylli i radhës: Willim Baldwin.

Me skenar dhe regji të Arben Kastratit, rrëfimi nxjerr në pah heroizmin e rremë të një protagonisti, i cili në Hagë takon Millosheviqin. Nëpërmjet thumbimit e ironisë së filmit mes dramës e komedisë, kryeprotagonisti përdor përballjen me ish-udhëheqësin e agresionit serb në Ballkan. Për jetësim të këtij rrëfimi, Kastrati kaherë ka përzgjedhur emra eminentë. Gérard Depardieu është vetëm njëri prej tyre. Destinacioni i parë me aktorin e njohur francez kanë qenë Gjirokastra e Tirana.

E Baldwini tashmë ka ardhur në Kosovë dhe në shesh xhirimi vesh petkun e ish-kryprokurorit. Tash filmit i është bashkuar edhe aktorja italiane, Maria Grazia Cucinota, përderisa më herët, edhe aktori i shquar anglez, Sir Tony Robinson.

Në konferencën për media të hënën mbrëma, Baldwin dhe Maria Grazia Cucinota kanë qenë në qendër të vëmendjes. Balwdin duket se di goxha për atë që ka ndodhur në Kosovë.

William Baldwin: NATO-ja është dashur të ndërhynte më herët në Kosovë

“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tash them faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, ka thënë ai si me shaka.

Për më pak se një javë në Kosovë, ka parë Prishtinën e Prizrenin. Ka fjalë të mira për aktorët shqiptarë, regjisorin, ushqimet shqiptare dhe rininë.

“Filmi s’është një lëvizje historike, e asaj çfarë ka ndodhur këtu. Ka me qenë surprizuese! Do të futeni në rrëfim duke thënë: ‘Shikojeni kastën e aktorëve’”, ka premtuar Boldwin, i cili ka luajtur në “Too Old to Die Young”, “Gossip Girl”, “Forever” , “Blowtorch” dhe në një listë të gjatë filmash ndërkombëtarë.

Ka thënë se Kosova ia ka ngacmuar vëmendjen para se bëhej aktor, atëherë kur është marrë me politikë, duke qenë se ka punuar në shtëpinë e përfaqësuesve në Washington.

“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.

Pavarësisht që rrëfimi ngërthen në vete copëza të luftës, sërish mbetet në hallkat e ngjarjeve të pasluftës dhe nuk është një lloj dokumentimi historik i viteve ‘90. Si i tillë, Boldwin vlerëson se filmi do të jetë atraktiv.

“Ajo që po na bashkon neve, është Arbeni dhe puna që e ka bërë. Arsyeja kryesore pse jemi këtu sot është unifikimi, storia e këtij rrëfimi. Unë e luaj kryeprokurorin në Hagë, ne punojmë bashkë me Marian sepse ajo po e luan rolin e psikologes”, është shprehur ai teksa ka pasur lëvdata për ekipin kosovar.

“Aktrimi i tyre ishte mahnitës, por ata kishin probleme me artikulimin e disa fjalëve në gjuhën angleze, aktorë shumë të mirë, njerëz të mirë. Është interesante ta shoh se si jeta po rikthehet pas COVID-19, ta shoh Prishtinën. Ju keni shumë të rinj, kjo është e bukur”, ka thënë ai.

Maria Grazia Cucinotta: Jam e lumtur që në Kosovë gjithçka ka rilindur

Pak orë pas mbërritjes në Kosovë, aktorja italiane Maria Grazia Cucinotta, e cila njihet për rolin e Isabellës në filmin “Il Postino”, erdhi në konferencën për media mbrëmjen e së hënës. Ka thënë se uron që të vijë sërish në Kosovë, por kësaj radhe për vizitë dhe jo për xhirime.

“Unë jam psikologe, jam duke tentuar ta kuptoj çka po ndodh në këtë film. Jam duke analizuar. Jemi duke punuar bashkë dhe jam me shumë fat sepse Williami, është jashtëzakonisht i madh, jemi duke xhiruar në anglisht, nuk është gjuha ime amtare”, ka thënë ajo.

Ylli italian ka thënë se është ambientuar me rolin pasi ka qenë në kontakt me regjisorin më herët, e që sipas saj zotërimi i rolit mund të jetësohet veç nga bashkëveprimi me çdo pjesë të ekipit.

“Mendoj se mund të hysh në karakter veç kur punon edhe me pjesën tjetër të ekipit, aktrimi s’është veç pjesë e jotja, por ndarja e emocioneve, mendimeve e opinioneve me të tjerët”, ka thënë ajo.

Kur pyetet për luftën e Kosovës, ka thënë se e di saktë çfarë ka ndodhur për shkak të afërsisë regjionale. Përvoja me shqiptarët në Itali e ka bërë të njoftohet edhe më shumë.

“Është shumë keq sidomos kur një regjion është afër dhe e ke frikën se mund të ndodh edhe te ti. Ti s’mund të bësh asgjë, veç t’i hapësh krahët”, ka thënë aktorja italiane.

Sipas saj për këtë çështje kurrë s’i ka dëgjuar të tjerët, e ka lënë të krijojë vetë përshtypjen e saj pas përballjes me Kosovën.

“Jam shumë e lumtur të shoh se çdo send ka mbaruar, gjithçka ka rilindur dhe ka shkuar para. Filmi këtu s’është veç xhirim por edhe mundësi për të treguar te të tjerët për vendin”, ka thënë aktorja, që i është bashkuar kastës së përbërë edhe prej Alessandra Martines, Pamela Bowen, Nathalie Boyer dhe aktorëve të njohur nga Kosova.

Arben Kastrati: Këta emra po bëjnë diplomaci të madhe

Regjisori Arben Kastrati ka thënë për KOHËN se ka qenë proces i vështirë bindja e këtyre emrave, për pjesëmarrje në një film kosovar. “Unë dhe Millosheviqi” ka nisur xhirimet para tre vjetësh, e të cilin Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte refuzuar dy herë radhazi, një herë në vitin 2018 në kategorinë garuese “zhvillim Skenari për film të metrazhit të gjatë” dhe në vitin 2019 në kategorinë e “filmit të metrazhit të gjatë artistik”. Kastrati ka edhe rolin kryesor si hero aksidental, përballë Xhevdet Dodës si Millosheviqi, e Depardieu si avokat.

“Përpara se me ardh ka qenë një problem shumë i madh sepse këta s’kanë pasur ide se fillimisht ku ndodhet Kosova, mandej kur kanë marrë informacione s’kanë qenë fort të hijshme dhe e kanë pasur një ndjenjë të refuzimit. Vazhdimisht më thoshin: ‘Pse s’po e xhironim në Itali ose Francë”, ka thënë Kastrati.

Mirëpo për të ka qenë e rëndësishme ardhja e tyre në Kosovë për dy arsye: fillimisht për shkak se ngjarja ka ndodhur në Kosovë dhe e dyta për shkak të diplomacisë kulturore.

“Këta janë njerëz që kanë autoritet në gjithë botën dhe me ardhjen e tyre këtu mjafton veç fotografi me dërgu nga këtu; si të filmit, vendit, qytetit dhe komentet e tyre mbi qëndrimin këtu janë një diplomaci e madhe”, ka thënë Kastrati.

Si të thjeshtë dhe të kapshme e vlerëson temën e filmit “Unë dhe Millosheviqi”, për të cilën ka thënë se është bërë arsye e bindjes së aktorëve.

“Kam pasur frikë se si do ta kuptojnë dhe nëse do ta kuptojnë drejt. Tema është universale, lindja dhe krijimi i një heroi aksidental, këta e kanë kuptuar shumë qartë. U kanë pëlqyer rolet e skenari dhe kanë vendosur të vijnë”, ka thënë Kastrati.

Për të e rëndësishme ka qenë ndërtimi i personazhit në një version, që duket interesant për shikuesit bashkë me lojën e tij. Emërtimin, vetë ka dashur ta lë të tillë që t’ua marrë vëmendjen, sepse, sipas tij, “është Millosheviqi, që e krijon një hero aksidental”.

“Në fund të majit kemi xhiruar me Sir Tony Robinson, një aktor i madh anglez i cili absolutisht ka refuzuar në fillim të vijë, e të xhirojë në Kosovë, mandej me njëqind mijë telefonata e e-maila arrita ta bind me ardh. Por kur erdh, iu ndërrua bindja. Ai është një zë shumë i fuqishëm në Angli, ka filluar të iniciojë heqjen e vizave për kosovarët”, ka treguar ai.

Gjuhët e filmit janë: shqipja, anglishtja dhe frëngjishtja. Planet e Kastratit për rrugëtimin e tij janë të mëdha. Pret që filmi të distribuohet deri në SHBA dhe kjo është arsyeja kryesore e gërshetimit gjuhësor, pas faktit të pjesëmarrjes së aktorëve të huaj. Por sfiduese e cilëson faktin e kushteve pa mbështetje institucionale.

“Parapërgatitjet janë shumë të dhimbshme, pa asnjë mbështetje. Këta kur vijnë mendojnë që kushtet tona të punës kanë me qenë si në Hollywood, ku në set kanë me i pas 200 e 300 vetë. Por ne atë punë zakonisht e bëjmë me 20 – 25 veta, jemi modestë. Por e shikojnë produktin final, jo sa njerëz punojnë, janë bashkëpunues, shumë të këndshëm”, ka thënë ai.

Prej emrave që ka bërë bashkë në film, Kastrati ka thënë se ka marrë edhe mësime.

“Kam menduar që di shumë për këtë zanat, por këta janë ‘crafts man’ prej të cilëve po mësoj çdo ditë. Me Boldwin kemi veç një javë bashkë. Trajtimi i skenarit dhe skenave ka qenë superior, briliant. Aktorët si ai janë shumë të rrallë sepse është super inteligjent, një njeri me instinkt të paparë”, ka thënë Kastrati në konferencë.

Planet janë që xhirimet të përfundojnë deri në vjeshtë, ndërkaq produksioni të mbarojë nga nëntori.

Pjesë e kastës nga aktorët shqiptarë është edhe Blerta Syla-Surroi, e cila e portretizon rolin e përkthyeses.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e filmit. Jam e lumtur për Arbenin që ky projekt po realizohet. Është kënaqësi e madhe që në këtë projekt janë gjithë këta yje. Për një aktore të Kosovës është një ëndërr me qenë në një set me gjithë këta emra të mëdhenj, të kinematografisë botërore”, ka thënë Syla-Surroi.

Producentja e filmit, Shqipe Kamberi ka thënë se qëllimi kryesor i tyre tash për tash është përmbushja e planeve dhe dalja sa më e mirë e xhirimeve.

“Skenari i mirë bën bashkë emra të mëdhenj. Arbeni s’e ka pasur vështirë me i bind këta yje, disa kanë xhiruar, disa do të xhirojnë më vonë. Një pjesë të filmit veçse e kemi mbaruar në Shqipëri, në Gjirokastër dhe Tiranë. Tash për momentin me Boldwin dhe yllin italian Maria Gracia Cucinotta jemi duke i bërë filmimet për disa ditë, për t’i vazhduar me yje të tjerë”, ka thënë ajo duke mos zbuluar emrat e radhës.

VIDEO: