Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ukrainasit mobilizohen për shpëtimin e trashëgimisë kulturore

Shumë njerëz besojnë se shkatërrimi i aseteve kulturore është plan i Kremlinit në mënyrë që ta “zhdukë” Ukrainën si shtet të pavarur. Lilya Onyshchenko thotë se rusët janë barbarë dhe se nuk iu intereson se çfarë po shkatërrojnë.

“Nuk e kam takuar Hitlerin, mirëpo mendoj se Putini ia kalon atij. Ai ka mendjen e një dreqi”, shtoi ajo, gjersa qëndronte në qendrën historike të një prej qyteteve më të rëndësishme kulturore evropiane. Derisa ajo fliste, punëtorë të ndërtimit ishin duke vendosur skele rreth një ndërtese të periudhës së Renesancës. Ata mbuluan figurën që shfaq Jezu Krishtin në kopshtin e Gethsemanit, duke u arrestuar nga ushtarët romakë.

“Nëse na humb kultura, na humb edhe identiteti”, thotë Onyschenko, kryesuese e Zyrës së qytetit për mbrojtjen e trashëgimisë. “Lvivi ka pasur gjithmonë diversitet kulturor. Polakët, gjermanët, çifutët, armenët dhe hungarezët kanë kontribuar në ndërtimin e tij”. Ndër të tjera, ajo tregoi se së bashku me kolegët e saj po punonin në përpilimin e një liste për objektet që duhet ruajtur. Ushtria ruse ka granatuar qytete shumë të populluara dhe ka vrarë qindra njerëz.

Më shumë se 2 milionë refugjatë kanë kërkuar vendbanim diku tjetër, duke shënuar eksodin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Përveç kësaj katastrofe humanitare, asetet kulturore janë bombarduar dhe dëmtuar gjithashtu.

Ndër to është Muzeu i qytetit të Ivankivit, i cili posedon dhjetëra punime të artistes së folklorit ukrainas, Maria Prymachenko, disa prej të cilave tashmë kanë humbur. Javën e kaluar forcat ruse shkatërruan një katedrale në Kharkiv duke e hedhur në ajër.
Në një videoincizim të martën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse kanë rrafshuar një kishë të drunjtë të shekullit 19 në një lagje në regjionin Zhytomyr.

Edhe Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, dëmtohet një katedrale shekullore në Kiev Botë Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, dëmtohet një katedrale shekullore në Kiev

Shumë ukrainas besojnë se këto nuk janë thjesht aksidente. Verën e kaluar Putini deklaroi se Ukraina dhe Rusia janë “një popull” ndërsa Zelensky kundërshtoi duke thënë se qëllimi kryesor i Rusisë është zhdukja e Ukrainës si shtet i pavarur dhe kjo përfshin edhe gjuhën, popullin dhe kulturën.

“BRSS-ja ka qenë totalitare. Ai regjim tentonte të vendoste çdo gjë në një stil të caktuar artistik, që ishte realizmi socialist. Të njëjtën gjë e bën Moska ndaj kulturës së Ukrainës. Por kultura është ajo që na definon neve dhe identitetin tonë”, shtoi ajo.

Honchar, drejtore e Muzeut përkujtimor të regjimeve totalitare të qytetit, ka thënë se artistët ukrainas i kanë rezistuar dominimit nga Moska gjatë kohës komuniste e dhe sot. Këngëtarë, aktorë dhe muzikantë janë bashkuar me forcat e Ukrainës dhe po luftojnë kundër Rusisë. Ndër ta aktori Pasha Lee, që u vra në granatimet në Irpin, jashtë Kievit.
Një grup i krerëve të muzeve kanë marrë një iniciativë për të dërguar fonde për punonjësit kulturorë në gjithë shtetin. Këtu ata përfshijnë stafin e muzeve dhe librarive, të cilat gjenden në vendet nën okupimin rus. Asnjëra nga këto vende nuk kishte marrë mbështetje financiare nga Komisioni Evropian, ndërkaq donacionet e tjera që vinin përdoreshin kryesisht për ushqim.

“Rusët janë të mësuar të jetojnë në një sistem totalitar. Ndërkaq, ne ukrainasit mendojmë ndryshe”, ka treguar Honchar. “Ideja se Rusia dhe Ukraina janë të njëjta është një mit totalitar i krijuar në Moskë. Lenini nuk na ka krijuar neve. Ne jemi ndryshe”. Ndërsa Muzeu që ajo drejton në Lviv tashmë është mbyllur për vizitorë.
Vetëm këtë javë disa asete kulturore janë fshehur duke përfshirë një skulpturë të Jezusit, e cila ishte zhvendosur nga Lvivi prej një kishe armene të shekullit 14. Gjithashtu, skulptura në fjalë, ishte larguar për t’u fshehur nga forcat naziste kur mbërritën në qytet, në vitin 1941. Fatmirësisht, arkitektura historike e Lvivit i ka shpëtuar Luftës së Dytë Botërore.

Disa punëtorë në Lviv shpëtuan katër shatërvanë gëlqerorë të stolisur me skulptura mitike, të cilat përfshinin figurat e njohura të “Neptunit me sfurkun tredhëmbësh”, “Amphitriti”, “Gruaja e Neptunit” dhe “Diana e Adonisi”, të gjitha këto punime të periudhës së neoklasicizmit gjerman.
Në Kiev situata është më keq.

Lazare Eloundou, drejtor i Qendrës për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s, ka thënë se po pranojnë lajme se trashëgimia kulturore në Ukrainë po shkatërrohet çdo ditë e më shumë.

“Të rëndësisë së veçantë ishin Kharkivi dhe Chernihivi, të cilat u dëmtuan. E gjithë jeta kulturore ka pësuar dëme dhe ne shqetësohemi se çfarë do të ndodhë më tej”, ka thënë Eloundou.

Edhe Zelensky akuzon Rusinë se “qëllimisht” ka shënjestruar vendin e UNESCO-s në Ukrainë Botë Zelensky akuzon Rusinë se “qëllimisht” ka shënjestruar vendin e UNESCO-s në Ukrainë

Zyrtarë të UNESCO-s janë në kontakt me profesionistët kulturorë në Ukrainë. “Po ndërmerren hapa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ne po u ndihmojmë aq sa po mundemi. Po punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe po vëzhgojmë përmes satelitëve dëmet që po bëhen. Do të punojmë bashkërisht në sjelljen e një plani”, ka thënë ai.

(Përktheu: Leutrime Rekaliu)