Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ukraina ngre flamurin e fitores në “Eurovision”

Kalush Orchestra e Ukrainës fitoi Eurovision 2022

Dramatike ka qenë finalja e festivalit evropian të këngës “Eurovision”. Ukraina është shpallur fituese e edicionit të 66-të, të mbajtur në Torino të Italisë, të shtunën mbrëma. Ka qenë publiku ai që ia ka dhënë fitoren këngës “Stefania” të “Kalush Orkestra”, një kombinim i folkut ukrainas me hip-hop. “Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”, thuhet në një varg të këngës me të cilën Ukraina e ka gjetur fitoren në më të madhën garë të këngës evropiane

“Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”, thuhet në një varg këngës “Stefania”. Dhe me të Ukraina e ka gjetur fitoren në atë që konsiderohet si më e madhja garë e këngës evropiane.

Dramatike ka qenë finalja e festivalit evropian të këngës “Eurovision”. Ukraina është shpallur fituese e edicionit të 66-të, të mbajtur në Torino të Italisë, të shtunën mbrëma. Ka qenë publiku ai që ia ka dhënë fitoren. Kur janë numëruar ato, e kanë zhvendosur në krye të tabelës prej vendit të nëntë. Me votat e tij ka marrë 631 pikë. Britania e Madhe u rendit e dyta me 466 pikë, Spanja e treta me 459 pikë, Suedia e katërta me 438 pikë, Serbia e pesta me 312.

Ukraina në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit” është përfaqësuar nga “Kalush Orchestra”, rap-grup i përbërë nga reperi Oleh Psiuk, multi-instrumentisti Ihor Didenchuk, balerini Vlad Kurochka, lojtari i sopilkës Vitalii Duzhyk dhe vokalistët Tymofii Muzychuk dhe Oleksandr Slobodianyk. Përfaqësuan shtetin në luftë dhe për ta kjo nuk qe vetëm një garë në muzikë.

Grupi është lejuar të largohet nga Ukraina me urdhër të veçantë, pavarësisht se janë mbi 18 vjeç dhe sipas vendimit të presidentit ukrainas, Vlodymyr Zelensky, ata do duhej të qëndronin brenda vendit për të luftuar. Por, ia dolën në betejën e artit dhe kjo ka peshë për ta. Jo vetëm që triumfuan, por u bënë zëri i vendit të tyre për liri.

“Faleminderit shumë, faleminderit që mbështetët Ukrainën. Kjo fitore është për çdo ukrainas”, ka thënë Oleh Psiuk, themelues dhe lider i grupit, kur “Kalesh Orchestra” ka dalë në skenë për ta risjellë këngën “Stefania”, tash si fituese. E ka përmbyllur fjalimin e tij të shkurtër me atë që është shndërruar në refren prej 24 shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, dhe ndezi luftën midis Evropës: “Slava Ukraini!”

Edhe Fitorja në “Eurovision” sjell “lumturi të jashtëzakonshme” në Ukrainë Showbiz Fitorja në “Eurovision” sjell “lumturi të jashtëzakonshme” në Ukrainë

“Kalush Orchestra” kombinon muzikën tradicionale popullore ukrainase me repin modern dhe hip-hopin. Konkurroi me këngën “Stefania”, e cila u shkrua për nënën e Oleh. Është shkruar në gjuhën amtare ukrainase, derisa në fillim të tekstit këndohet: “Stefania nënë, nëna Stefania/ Fusha lulëzon dhe bëhet gri/ Më këndo një ninullë, nënë/ Dua të dëgjoj fjalën tënde amtare”.

“Stefania” u përzgjodh për “Eurovision” përpara shpërthimit të luftës, por që atëherë ka marrë kuptim më të thellë të lidhur me luftën.

“Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”, është vargu që mori tjetër kuptim.

Për Ukrainën, kjo është hera e tretë që fitoi “Eurovisionin”. Të parën herë e fitoi më 2004, kurse të dytën më 2016. Kthesën e madhe Ukraina e bëri me votat e publikut. Ukraina mori nga publiku 439 pikë, duke kaluar në shifrën totale 631 pikë. Me vota të jurisë Britania e Madhe ishte në epërsi me 283 pikë, pasuar nga Suedia (258) e Spanja (231). Ukraina ishte e katërta me 192 pikë.

“Kalush Orchestra” në natën finale dhuroi një paraqitje emocionuese. Këngëtari i grupit e mbylli performancën me fjalët: “Ndihmojeni Mariupolin, ndihmojeni Azvostalin”. Publiku u ngrit në këmbë për ta duartrokitur, përderisa shteti ukrainas ende pa nisur gara u konsiderua favorit për të fituar sivjet. Mariupoli e Azvostali janë vendet ku po zhvillohen luftimet e ashpra kundër Rusisë.

Në finale të “Eurovisionit” kanë marrë pjesë 20 shtete që u kualifikuan nga dy gjysmëfinalet dhe “pesëshja e madhe”, Franca, Gjermania, Britania, Spanja e vendi pritës, Italia. Shqipëria, që u përfaqësua nga Ronela Hajati me këngën "Sekret", u eliminua në natën e parë gjysmëfinale.

U zhvillua në Torino të Italisë, pas fitores së vendit në garën e vitit 2021 me këngën "Zitti e buoni" nga Måneskin. Organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesi Radiotelevisione italiana (RAI), gara u mbajt në “PalaOlimpico”. Fillimisht u mbajtën dy gjysmëfinale më 10 dhe 12 maj.

Morën pjesë 40 shtete, me Armeninë dhe Malin e Zi, që u kthyen pas mungesës në edicionin e kaluar. Rusia ishte planifikuar të merrte pjesë, por u përjashtua për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ishte hera e tretë që Italia organizoi “Eurovisionin”, pasi e ka bërë këtë më parë për garat e vitit 1965 dhe 1991, të mbajtura përkatësisht në Napoli dhe Romë.

“Eurovisioni” i sivjetmë u përcoll fizikisht nga mbi 13 mijë njerëz që ishin të pranishëm në “PalaOlimpico”, që shërben për ngjarje të shumta si koncerte, ekspozita, panaire tregtare, konferenca e të tjera.

Edhe Fituesi i “Eurovisionit” shkon në shtëpi për t'iu bashkuar ushtrisë ukrainase Showbiz Fituesi i “Eurovisionit” shkon në shtëpi për t'iu bashkuar ushtrisë ukrainase

Mbi 12 milionë euro u ndanë nga Qeveria italiane e rajoni i Torinos për organizimin e kësaj finaleje.

Prezantues të gjysmëfinaleve dhe finales ishte treshja, krijuesi i hiteve, Mika, këngëtarja Laura Pausini dhe ylli televiziv, Alessandro Cattelan.

Në edicionin e sivjetmë të festivalit i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropianë, që e organizon “Eurovisionin”, ka vendosur sanksione kundër shtetit rus. Shkak për këtë vendim është bërë lufta që Rusia po bën në Ukrainë. Në shkurt, bordi ekzekutiv i Unionit do të merrte vendimin pas një rekomandimi nga organi drejtues i festivalit, bazuar në vlerat e Unionit Evropian të Transmetuesve.

Në finale, Shqipëria ia dha pikët e saja maksimale Italisë. Përherë ka pasur kritika në adresë të shteteve se votat i shpërndajnë midis fqinjëve. Kroacia sivjet s’i kurseu 12 pikët e saj për Serbinë, e cila në jo pak baste përmendej si favorite.

Në anën tjetër, Shqipëria është kritikuar qysh prej kur kënga e interpretuar prej Ronela Hajatit u zgjodh që të përfaqësojë shtetin ballkanik në Festivalin Evropian të Këngës. E të mërkurën mbrëma, kur u hap edicioni i 66-të i “Eurovisionit”, Hajati është kritikuar edhe për paraqitjen e saj sa i përket veshjes. Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri nuk kanë pasur të drejtë vote nëpërmjet porosive elektronike. Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top-10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012.

Tërthorazi, edhe Kosova sivjet ka qenë në Festivalin kryesor të këngës në Evropë. Rruga deri atje është “gjetur” nëpërmjet Qipros, por që nuk kaloi në finale. Artistja greke, Andromache, e përfaqësoi Qipron me këngën “Ela” (Eja). Duke u bazuar në melodi tradicionale, ekipi i ka dhënë frymë moderne krejt projektit, ku këngëtarja e famshme greke i këndoi dashurisë. Kënga është realizuar nga një grup kompozitorësh të njohur, ku udhëheqës është Alex Papaconstantinou dhe bashkëpunëtorë: Arash, Eyelar Mirzazadeh, Fatjon Miftari, Filloreta Raci-Fifi, Geraldo Sandell, Giorgos Papadopoulos, Robert Uhlmann, Viktor Svensson dhe Yll Limani. Tre prej tyre janë shqiptarë. Melodia e këngës është bazuar në instrumentalin e Fatjon Miftarajt. Përveç kësaj, mjeshtri i gjeneratës së re të muziktarëve në Kosovë është edhe producent i këngës.

Festivali Evropian i Këngës është garë ndërkombëtare që organizohet çdo vit nga Unioni Evropian, pjesëmarrësit e të cilëve janë kryesisht vendet evropiane, por viteve të fundit i është bashkuar edhe Australia, duke e bërë vendin e dytë pjesëmarrës që nuk është pjesë e Evropës, sikurse edhe Izraeli. Vendet pjesëmarrëse paraqesin një këngë origjinale për t'u interpretuar drejtpërdrejt në televizion dhe radio.

Gara e këngës evropiane mbahet çdo vit që nga viti 1956, përveç në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19. Gjermania ka konkurruar më shumë se çdo vend tjetër, duke marrë pjesë në të gjitha edicionet përveç njërit, ndërsa Irlanda mban rekordin për më shumë fitore, me shtatë sosh në total.

Konkursi i këngës mbahet tradicionalisht në vendin që fiton vitin paraprak. Ofron një mundësi për të promovuar vendin dhe qytetin pritës si një destinacion turistik.

Edhe Fituesi i “Eurovisionit”: Do të kthehemi për të luftuar në Ukrainë Showbiz Fituesi i “Eurovisionit”: Do të kthehemi për të luftuar në Ukrainë

Disa nga artistët më njohur të muzikës në botë kanë dalë prej “Eurovisionit” e kanë marrë pjesë në këtë garë si grupi ABBA, Celine Dion, Julio Iglesias , Cliff Richard dhe Olivia Newton-John e të tjerë.

Përgatitën: Blend Bugari dhe Besartë Elshani