Sa i rëndësishëm është arti? Nuk është i rëndësishëm sa jeta e dashuria. Së fundmi këtë e mësova nga zori. Izolimi relativisht i lehtë u bë copë e grimë kur unë fillova të kisha gjakderdhje dhe u dërgova në spital.
Prej përplasjes sime në dyshemenë e banjës, i mbuluar në gjak deri te humbja e vetëdijes, teksa mjekët më injektonin ketaminë, nuk mund të them se kam menduar për artin aty për aty. Kam menduar sall për time shoqe dhe të bijën.
Sapo u këndella në njësinë e kujdesit intensiv, ato që më bënë përshtypje më së shumti ishin kuraja, mirësjellja dhe aftësia e stafit. Por kjo mund të mos jetë e gjithë gjëja. Imazhet e artit notonin në mendjen time. S’jam i sigurt se kur nisi. Mendoj se mund të ketë qenë në tavolinën e operacionit, derisa anesteziologu ma mbante dorën e më shpjegonte pse duhej ta vinin një tub në ijën time, kur nisa të pikturoja format e buta e të nuancuara të organeve dhe venat posi një degë peme në vizatimet anatomike të Leonardo da Vincit, transmeton KOHA.
Arti i madh nuk është jeta a dashuria, por është mënyra më e mirë nëpërmjet së cilës mund të këmbejmë jetën e dashurinë me njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse kam bërë një varg filmash të shkurtër me “Guardianin” mbi thesaret artistike në muzetë e mbyllur britanikë. Këta filma nuk janë zëvendësim për realen. Është thjesht e pavërtetë që kultura virtuale mund të zëvendësojë vizitën në galeri dhe ballafaqimin me artin e madh. Një videothirrje nuk mund të zëvendësojë prekjen e më të dashurve. Dhe një imazh në ekran nuk mund të zëvendësojë muralet e Mark Rothkos në Tate Modern.
Sa herë që jap ndonjë “Guiardian Masterclass” në Tate Modern, unë gjithnjë përfundoj në dhomën që është plot me këto kanavaca abstrakte të zeza, të kuqe në të errët, si dhe të kuqërremta. Vazhdoj të shoh në ngjyrat e tyre të tymta edhe më shumë dromca të nuancuara të tragjedisë dhe madhështisë kozmike që disi e tejkalon atë. Këto piktura edhe zënë hapësirë, edhe e krijojnë atë.
Ato trajtësojnë një vend imagjinar që është edhe më i madh sesa vetë dhoma – një hapësirë fetare mbase, e gjerë po aq sa një katedrale, madje edhe më e madhe, ashtu që mund të mbajë edhe perandorinë ruse ku ai lindi, New Yorkun ku ai punoi dhe gjithë angështinë e shekullit të tij.
Këto janë kryevepra për fundin e botës dhe një thesar i njëmendtë i koleksioneve të pakundshoqe artistike të Britanisë. Është thënë shpesh se Tate Modern nuk ka shumë kryevepra moderniste para viteve ‘80, por kur Rothko i dha këto piktura ai e ndryshoi gjendjen. Ajo çka është befasuese për muzetë tanë është aftësia e tyre për t’i bërë shtrojerë artit si një bosht i pamatshëm radikal dhe ekstrem përkrah helmetave anglo-saksone, ngjyrave romantike të ujit e thikave asteke.