Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, SIT, ka organizuar edicionin e katërt të aktivitetit, “Tuneli i fundit”. Nëpërmjet tij, SIT-i synon vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës ndaj gruas. Në platformën në formë tuneli, ekspozohen në formë pankartash rastet e ndryshme të grave të vdekura nga dhuna në familje.
Dafina Zhubi, Armenda Aliu, Hatije Dina, Feride Prokshi, Arianita Zahiti, Sevdije Berisha janë vetëm disa nga tetëmbëdhjetë profilet e grave në “Tunelin e fundit”. Ato u përkasin grupmoshave të ndryshme prej 17 deri në 54 vjeç, pa përfshirë edhe vrasjen e dy fëmijëve të tjerë, mosha e të cilëve nuk bëhet e ditur.
Brenda tunelit, i cili ishte vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, secili qytetar mund të lexojë për mënyrën se si ishin vrarë këto gra, vendin ku ishin vrarë ato, si dhe dënimet që kishin marrë vrasësit e tyre. Të gjitha të dhënat janë të plotësuara edhe me vite dhe me emra të vrasësve e ndonjëherë edhe me emra të gjykatësve që kishin shqiptuar dënime të lehta.
Të tetëmbëdhjetë gratë janë vrarë nga burrat: nga bashkëshorti, ish- bashkëshorti, i dashuri, ish-i dashuri, komshiu, kushëriri. Mënyra se si ato ishin vrarë është e ndryshme. Janë histori tmerri, prej përdhunimit të vazhdueshëm, rrahje mizore deri në vdekje, vrasje me armë, me ç’rast mbi trupin e Armenda Aliut ishin shkrepur 15 plumba, vrasje në sy të fëmijëve, në sy të familjarëve, vrasje me thikë, me shufër metalike, me sëpatë...
Sikurse rasti i fundit, vrasja e shtatzënës Hamide Megashi (35) të mërkurën mbrëma, edhe shumica prej grave historitë e të cilave shpalosen në “Tunel...”, kishin lajmëruar më herët autoritetet policore, porse nuk ishte marrë asnjë vendim për mbrojtjen e tyre.
“Tuneli i fundit” u shënua edhe si pjesë e “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është vetëdijesimi dhe ngritja e zërit kundër dhunës me bazë gjinore, përndryshe aktiviteti ‘Tuneli i fundit’ bëhet në përkujtim të viktimave të femicidit, vrasjes së grave dhe vajzave nga burrat”, ka shpjeguar Irma Sadikoviq, udhëheqëse e Departamentit të Shërbimeve Sociale në SIT.
Ajo ka bërë të ditur se ekspozita përfshin gratë e vrara nga paslufta e deri më sot, sikurse edhe vrasje që janë bërë gjatë vitit 2022. Sadikoviq ka folur edhe për interesimin që qytetarët kanë pasur karshi këtij aktiviteti.
“Duke qenë se ky është edicioni i katërt i aktivitetit tonë, audienca pak a shumë e njeh atë. Po ashtu, pothuajse një muaj përpara ne e bëjmë paralajmërimin e tij nëpër rrjete sociale. Kështu, për çdo vit kemi parë rritje të interesimit të qytetarëve, por gjithashtu edhe të institucioneve”, ka bërë të ditur Sadikoviq, e cila ka shtuar se fluksi më i madh i qytetarëve ka qenë në mëngjes.
Si aktivitet shumë të nevojshëm e ka parë “Tunelin e fundit” edhe Haki Haliti, i cili u ndal t’i lexonte profilet e këtyre grave, viktima të femicidit. Vizitorët kanë pasur mundësi të lënë edhe shënime. “Edhe sa?”, ka qenë njëri prej tyre.
“Kjo është një ekspozitë që me të vërtetë ia vlen të bëhet kur dihet se gruaja është viktimë jo vetëm e këtij viti, por edhe e viteve të mëhershme. Vrasjet nga burrat janë bërë si një lloj terapie e ditës në vendit tonë. Shpresoj që kjo ekspozitë të arrijë t’i vetëdijesojë sadopak qytetarët dhe dhunuesit potencialë”, është shprehur Haliti.
“Tuneli i fundit” ndalet të premten edhe në Prizren te Shatërvani, për të vazhduar një ditë më pas edhe në Pejë në sheshin “Skënderbeu”.