Gjithçka fillon me një imazh të vetëm. Pastaj një tjetër. E një tjetër. Dhe, papritur, një peshk fillon të notojë, një dragua fluturon, ose një robot bie në dashuri me një tjetër robot në një botë të shkatërruar. Kjo është magjia e animacionit, botë ku vizatimet marrin jetë dhe tregojnë histori që i bëjnë njerëzit të qeshin, të qajnë apo të habiten.
Idetë e para të lëvizjes së vizatimeve
Sipas Deccan Herald, ideja për ta bërë një imazh të palëvizshëm që duket sikur lëviz është shumë më e vjetër se mendohet.
Që në lashtësi, artistë në Egjipt dhe Greqi vizatonin figura në lëvizje mbi qeramikë, një mënyrë primitive për të kapur ndjesinë e veprimit. Por udhëtimi i vërtetë i animacionit fillon në shekullin e 19-të.

Një nga shpikjet e para ishte zoetropi, një cilindër që rrotullohej me imazhe të ndryshme brenda. Kur shikohej përmes vrimave anësore, figurat dukeshin sikur lëvizin. Ishte si të shikohej një film i shkurtër brenda një daulleje. Këto pajisje të thjeshta ishin hapat e parë drejt kinemasë dhe animacionit modern.
(Artistët që huazojnë zërin, të quajtur “Foley artists”, përdorin ende objekte të zakonshme për të krijuar tinguj. Për shembull, këputja e selinos përdoret për të imituar thyerjen e eshtrave, ndërsa guaskat e kokosit për tingullin e hapave të kalit!)
Nga Gertie te Mickey Mouse
Në fillim të viteve 1900, nisi epoka e animacionit të vizatuar me dorë. Artistë si Winsor McCay krijuan filma të shkurtër duke vizatuar mijëra figura, secilën paksa ndryshe nga tjetra. Filmi i tij më i njohur, “Gertie the Dinosaur” i vitit 1914, mahniti publikun sepse dinozauri dukej sikur reagonte ndaj zërit të animatorit dhe bashkëvepronte me njerëzit në skenë.

Por emri që e futi animacionin në qendër të vëmendjes ishte Walt Disney. Në vitin 1928, ai prezantoi një mi të vogël dhe të gëzuar në filmin “Steamboat Willie”, një nga filmat e parë me zë të sinkronizuar. Mickey Mouse u bë yll brenda natës.

Vetëm pak vite më vonë, në 1937, Disney prezantoi filmn e animuar “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”, të parin me metrashë të gjatë e të animuar në histori. Publiku mbeti pa fjalë, një histori e treguar vetëm me vizatime që lëvizin!

Epoka e artë e animacionit
Në dekadat që pasuan, animacioni lulëzoi. Studio si Warner Bros krijuan personazhe si “Bugs Bunny” dhe “Daffy Duck”, ndërsa produksioni Hanna-Barbera solli seritë e fmashme “The Flintstones” dhe “Scooby-Doo”. Secila studio kishte stilin e vet, disa më komike, të tjera më emocionale, por të gjitha plot imagjinatë.



Ndërkohë, në Japoni lindi një formë e re arti: anime. Seritë si “Astro Boy” dhe më vonë filmi “Spirited Away” sollën histori të thella, me pamje mahnitëse dhe emocione të forta.


Revolucioni digjital
Në vitet 1990, një studio e vogël me emrin Pixar ndryshoi gjithçka. Filmi “Toy Story” i vitit 1995 ishte i pari i krijuar plotësisht me kompjuter. Ishte një revolucion, animacioni nuk ishte më vetëm vizatim me dorë, por modele digjitale, ndriçim virtual dhe miliona detaje që krijonin një realitet të ri. Nga ajo ditë, u hap një epokë e re me mundësi të pafundme.

Animacioni në ditët e sotme
Sot, animacionin e gjejmë kudo, në filma, seriale, video-lojëra, reklama dhe aplikacione. Me programe si “Blender”, “Toon Boom” apo “Adobe Animate”, kushdo me kompjuter dhe durim mund të krijojë një histori të veten. Ka stile të pafundme: stop-motion, 2D, 3D, e deri te “motion capture”.
Por ajo që e bën animacionin të veçantë nuk është vetëm teknologjia, është fakti që lejon zhvillim e imagjinatës pa kufij.
Mund të shfaqet një dhelpër që lexon gazetë, një planet që flet me një satelit apo një fshesë që mëson të vallëzojë. I vetmi kufizim është krijimtaria e atij që vizaton.
Art që kërkon durim dhe bashkëpunim
Ani pse duket i lehtë, animacioni kërkon shumë punë.
Disa sekonda film mund të kërkojnë qindra vizatime. Animatorët duhet të mendojnë për çdo detaj, si mbyllet një sy, si i lëviz era flokët, apo si ndryshon fytyra kur shfaq emocion. Është një përzierje e shkencës, artit dhe durimit të madh.
Pas çdo filmi të animuar, qëndron një ekip i madh: skenaristë, dienjatorë të personazheve, artistë të skenarit vizual (storyboard), animatorë, inxhinierë zëri, aktorë që huazojnë zërin, redaktorë dhe ekspertë të efekteve vizuale. Secili kontribuon që historia të marrë jetë.
Kur animacioni bëhet mjet ndryshimi
Në ditët e sotme, animacioni përdoret edhe për të trajtuar tema serioze. Filma të shkurtër për ndryshimet klimatike apo dokumentarë të animuar për refugjatët tregojnë se ky medium mund të prekë edhe çështje të ndjeshme me mënyrë emocionale dhe të kuptueshme, sidomos për publikun e ri.