“Këmbët e gjarprit” i Veton Surroit bashkë me “Misionin rus” të Ibrahim Kadriut dhe “Kosova: Fillimi që nuk harrohet” i Azem Vllasit, kanë qenë botimet e “Kohës” më të kërkuarat dje, në Ditën e Librit. Por, edhe botuesit e tjerë janë ndarë të kënaqur me shitjen e botimeve të tyre dje, në kryeqytet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Doruntina Gashi pasditen e së hënës ka blerë gjashtë libra - prej të cilëve dy për fëmijë, një roman dhe tre të fushës së medias. Ajo ka pranuar se nuk i rastis shpesh të blejë kaq shumë libra për një ditë, shkruan sot “Koha Ditore”. Por ka përfituar nga oferta e njërit prej shitësve ambulantë, që në kuadër të festës për Ditën Botërore të Librit, për gjatë gjithë javës do t’i shesë librat me çmim prej vetëm 2 eurosh. I shtuar ka qenë interesimi i blerësve pas kësaj oferte me libra kryesisht të përdorur, botuar dekada më parë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sigurisht është mundësi shumë e mirë, diçka që do të duhej të bëhej edhe më herët edhe më shpesh, për arsye se duke parë në përgjithësi se si i kemi pagat, gjendjen ekonomike jo të mirë, dhe librat tek ne janë shumë të shtrenjtë. Më duken çmimet goxha të larta, dhe më erdhi shumë mirë, u gëzova kur e pashë këtë iniciativë shumë të mirë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se do ta vizitojë tezgën e vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” edhe sot (e martë).
Shitësi ambulant i librave, Florim Beqiri, ka vendosur që për pesë ditë t’u ofrojë lexuesve një mundësi të mirë për ta pasuruar bibliotekën personale.
“Ka pasur shumë interesim sot. Kam shitur 200 libra deri më tani, e që nuk ndodh në një ditë të zakonshme. Zakonisht i shesim katër a pesë libra në ditë. E kam bërë këtë ofertë për Ditë të Librit e do të zgjasë deri në fund të javës, duke nisur nga librat shkencorë, letërsi, për fëmijë, romane e të gjitha”, ka thënë ai.
Veç tij, lexuesit të hënën kanë përfituar edhe nga oferta e Botimeve KOHA, që ka ofruar zbritje deri në 50 për qind për titujt më të vjetër dhe 20 për qind për titujt e rinj.
Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Botimet KOHA, ka thënë se interesimi i lexuesve ka qenë më i madh sesa në ditët e tjera.
“Ka pasur më tepër interesim sot. Sidomos për botimet e reja. Si zakonisht, ‘Këmbët e gjarprit’ i Veton Surroit ka qenë i kërkuar. Bashkë me të edhe ‘Misioni rus’ i Ibrahim Kadriut dhe ‘Kosova: Fillimi që nuk harrohet’ i Azem Vllasit’”, ka thënë Imeri.