Kulturë

Treshja për drejtor të Qendrës Kinematografike pret ministrin

Që të tre kandidatët që i kanë hyrë garës për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës i plotësojnë kushtet për këtë pozitë. Lum Çitaku ka marrë më së shumti pikë, pasuar prej Blerta Zeqirit e Visar Krushës. Së paku dy prej tyre do t’i propozohen ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në kompetencë të të cilit është vendimi se kush do ta drejtojë këtë institucion për katër vjetët që vijnë

Lum Çitaku, Blerta Zeqiri e Visar Krusha është treshja e kualifikuar si kandidatë që i plotësojnë kushtet për t’u bërë drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Pas testimit me shkrim të mbajtur ditë më parë dhe intervistave verbale të mërkurën, që të tre i kanë plotësuar kushtet për të marrë pozitën e drejtorit të QKK-së. Por vendimi se kush do ta drejtojë këtë institucion për katër vjetët që vijnë mbetet në dorë të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Fillimisht kandidat ishte edhe regjisori Alban Beqiraj, por ai nëpërmjet një shkrese elektronike kishte njoftuar Ministrinë e Kulturës se është tërhequr nga konkursi. E thirrja për të konkurruar ishte hapur më shumë se një vit pasi QKK-ja ka mbetur pa drejtor.

Në bazë të të dhënave që ka siguruar KOHA, i pari me pikë në testin me shkrim dhe atë me gojë është zëvendësuesi aktual i drejtorit të QKK-së, Lum Çitaku.

Në testin me shkrim ai ka marrë 98 pikë, kurse në atë me gojë 99. Kur mblidhen që dyja i bie që pas testimeve si rezultat përfundimtar Çitaku të ketë 98.5 poenë.

Lum Çitaku para se të bëhej zëvendësues i drejtorit ka punuar në QKK si zyrtar për marrëdhënie me publikun. Ka studiuar për antropologji mediatike. Ka afro dy dekada karrierë në filmbërje, arte vizuele dhe mbi dhjetë vjet përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave të reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

Pas tij renditet regjisorja Blerta Zeqiri. Në testin me shkrim ajo ka marrë 88.70 pikë, përderisa në atë me gojë 87.35. Në total ka 88.1 poenë. Blerta Zeqiri është regjisore e filmave “Martesa”, Kthimi”, “Exit” e “Darka”. Me “Kthimi” më 2012 ajo, midis të tjerash, kishte fituar Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance. Prej dhjetorit të vitit 2013 deri në gusht të vitit 2014 ishte drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, kur ky institucion udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, i cili asokohe kishte garuar në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.

Visar Krusha në bazë të vlerësimit nga Këshilli Drejtues del të renditet i treti. Ai ka marrë 79.9 pikë në testin me shkrim dhe 84.45 pikë në atë me gojë. Kur mblidhen të dyja si rezultat përfundimtar, del të ketë 82.2 poenë.

Visar Krusha është skenarist i filmit të shkurtër “Tre minuta vetmi”, serisë “Brenda drejtësisë” dhe producent i filmit “Babai”, nën regji të Visar Morinës. Prej tetorit të vitit 2018, për katër vjet ishte drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë.

Anëtari i Këshillit Drejtues, Luan Daka ka thënë se procesi ka shkuar shumë mirë.

“Ka qenë një proces që, sipas meje, ka shkuar me një rregullsi tejet të madhe dhe për këtë jemi shumë të kënaqur”, ka thënë ai. Daka ka treguar se do të vendoset nëse ministrit të Kulturës do t’i propozohen dy apo të tre emrat për emërim. Në bazë të Ligjit për Kinematografi, emërimi mbetet në dorë të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Këshilli Drejtues i QKK-së, sipas ligjit, ministrit Çeku mund t’ia propozojë të paktën dy kandidatë.

“Për emërimin e drejtorit të QKK, Ministria e Kulturës shpall konkurs publik. Drejtorin e QKK e emëron ministri për Kulturë nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit. Për drejtor të QKK-së emërohet personi që ka arsimim universitar, që ka aftësi organizative e menaxhuese ose kineast a krijues me reputacion”, shkruhet në pikën e parë të nenit 32 të Ligjit për Kinematografi, që është në fuqi prej vitit 2004.

Historia e kësaj pozite udhëheqëse është goxha e gjatë.

Është dashur më shumë se një vit që Ministria e Kulturës të hapë konkurs për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Praktikisht prej korrikut të vitit 2021, kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të atij viti, Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij. Në janar të këtij viti Ministria e Kulturës kishte publikuar konkursin që ishte i hapur nga dita e 24-t e shkurtit deri më 10 mars.

Ish-drejtori Arben Zharku qe shkarkuar më 10 dhjetor 2021. Në atë vendim nuk jepej tjetër sqarim, por i kishte dhënë fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”. Episodi i parafundit i kësaj serie qe ai i fillimit të nëntorit të vitit 2021, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”. Me këtë Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bënte këtë në fund të verës së kaluar, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që ta bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore – largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj Zharku ishte pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi përfundimtar, katër muaj para se të përfundonte mandatin e dytë, në marsin e vjetëm.

Sipas konkursit, kandidatët duhet të kenë diplomë universitare nga fusha e artit dhe kulturës, 7 vjet përvojë pune, prej tyre 4 vjet në vende udhëheqëse. Sipas konkursit, kandidatët duhet të prezantojnë projektin për zhvillimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të kenë aftësi negociuese dhe bindëse për të përfaqësuar interesat e institucionit. Midis të tjerash, udhëheqësi i këtij institucioni ka për obligim të përcaktojë politikat operacionale për përmbushjen e detyrave të QKK-së, të mbikëqyrë dhe vlerësojë punën e personelit, të hartojë projektbuxhetin e të përgatisë raportet javore.

Në janar të këtij viti është zgjedhur edhe udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo pozitë kishte mbetur bosh gati tre vjet. Galeria Kombëtare e Kosovës është pa drejtor që prej gushtit të vitit 2020.