Kulturë

Blerta Zeqiri në krye të Qendrës Kinematografike si “fuqizim i reformës”

Blerta Zeqiri, pas emërimit drejtoreshë e Qendrës Kinematografike, të martën në takim me kryeministrin Albin Kurti, shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Pak orë pasi është zyrtarizuar si drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqirin tok me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka pritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi”, ka konstatuar kryeministri e Zeqiri është zotuar se do të punojë “fort për zhvillimin e mëtejmë të industrisë së filmit”, mision për të cilin ajo ka thënë se ka punuar “vazhdimisht dhe aktivisht bashkë me kolegët filmbërës”

Saga mbi njëvjeçare për udhëheqjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës ka marrë fund të martën. Regjisorja Blerta Zeqiri është emëruar drejtoreshë e këtij institucioni, të paktën për katër vjet, siç e përcakton ligji. Emërimi i saj është finalizuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. E lajmi është bërë publik me pompozitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Me Zeqirin në udhëheqje të QKK-së, sipas kryeministrit Kurti, “fuqizohet tutje reforma në kinematografi”.

Pas konkursit publik, tre veta ishin kualifikuar si kandidatë që mund të merrnin pozitën e drejtorit. Pos Zeqirit, ishin edhe Lum Çitaku e Visar Krusha. Këshilli Drejtues i QKK-së, ministrit të Kulturës Hajrulla Çeku ia ka propozuar dy emra: Blerta Zeqirin e Lum Çitakun. E Çeku, pavarësisht rezultateve që ata kanë arritur në testin me shkrim e intervistën verbale, ka të drejtë në bazë të Ligjit për kinematografi të emërojë cilindo prej tyre. Ka zgjedhur Zeqirin, së cilës partia prej nga vjen edhe ministri Çeku ia kishte dhënë edhe një pozitë, atë të drejtoreshës së Kulturës në Komunën e Prishtinës. E mbajti prej dhjetorit të vitit 2013 deri në gusht të vitit 2014, kur ky institucion udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, i cili asokohe kishte garuar si pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Vetë Zeqiri kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Të martën, sikurse nuk ka ngjarë asnjëherë më parë me asnjë drejtues të institucioneve qendrore të kulturës, menjëherë pas nënshkrimit të vendimit për emërimin e Zeqirit, ajo bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë qenë mysafirë të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Kurtit, Blerta Zeqiri është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Në njoftimin për emërimin e saj, Kurti ka shkruar se ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit.

“Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit. Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar”, ka shkruar ai.

Reformë ishte synuar edhe më 2013 në Komunën e Prishtinës, por pas tetë muajsh Zeqiri ishte tërhequr pa lënë ndonjë projekt të konkretizuar. Me t’u emëruar në krye të QKK-së, Zeqiri është shprehur e vendosur në atë që e ka quajtur mision.

“Ndihem jashtëzakonisht e nderuar që më është besuar udhëheqja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, institucioni më i zhvilluar i vendit. Të gjitha njohuritë e fituara gjatë këtyre dy dekadave që punoj në këtë industri do t’i përdor për zhvillimin e mëtejmë të industrisë së filmit në vendin tonë – mision ky për të cilin kam punuar vazhdimisht dhe aktivisht bashkë me kolegët e mi filmbërës”, ka shtuar ajo në një postim në FB. Ka thënë se atë dhe komunitetin e presin “shumë punë, shumë sfida dhe shumë suksese për filmin kosovar”. “Ju faleminderit ministër për besimin! Do të punoj me zell e me nder për të bërë më të mirën që di!”, ka shkruar ajo.

Për QKK-në, në konkursin e hapur me më shumë se një vit vonesë, i pari me pikë në testin me shkrim dhe atë me gojë ishte zëvendësuesi i drejtorit të QKK-së, Lum Çitaku.

Në testin me shkrim ai ka marrë 98 pikë, kurse në atë me gojë 99. Kur mblidhen që të dyja, i bie që pas testimeve, si rezultat përfundimtar Çitaku të ketë 98.5 poenë. Lum Çitaku para se të bëhej zëvendësues i drejtorit ka punuar në QKK si zyrtar për marrëdhënie me publikun. Ka studiuar për antropologji mediatike. Ka afro dy dekada karrierë në filmbërje, arte vizuale dhe mbi dhjetë vjet përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave të reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

Pas tij renditej regjisorja Blerta Zeqiri. Në testin me shkrim ajo kishte marrë 88.70 pikë, përderisa në atë me gojë 87.35. Në total kishte 88.1 poenë. Blerta Zeqiri është regjisore e filmave “Martesa”, Kthimi”, “Exit” e “Darka”. Me “Kthimi” më 2012 ajo, midis të tjerash, kishte fituar Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance.

Visar Krusha në bazë të vlerësimit nga Këshilli Drejtues dilte të renditej i treti. Ai ka marrë 79.9 pikë në testin me shkrim dhe 84.45 pikë në atë me gojë. Kur mblidhen të dyja, si rezultat përfundimtar del të ketë 82.2 poenë. Visar Krusha është skenarist i filmit të shkurtër “Tre minuta vetmi”, serisë “Brenda drejtësisë” dhe producent i filmit “Babai”, nën regji të Visar Morinës. Prej tetorit të vitit 2018, për katër vjet ishte drejtor i teatrit “Dodona”, në Prishtinë.

KOHA ka provuar që të martën pasdite të flasë me Zeqirin sa i përket programit të saj për QKK-në. Ajo i ka pranuar porositë elektronike, por nuk është përgjigjur. Nuk u është përgjigjur as thirrjeve telefonike. Njëjtë ka vepruar edhe Lum Çitaku, kur i është kërkuar që të japë një koment për procesin e zgjedhjes së drejtorit. E Visar Krusha ka thënë se nuk ka çfarë të komentojë.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të QKK-së, Xhejlane Tërbunja, ka thënë se procesi i rekrutimit ka qenë jashtëzakonisht i mirë.

qenë transparent, i drejtë, i qetë dhe mbi të gjitha ashtu siç u ndodh njerëzve të civilizuar në vendet përparimtare, ku vetëdija shoqërore dhe intelekti janë në nivelin e duhur. Çdo ndryshim që tenton ta bëjë njeriu, ka për qëllim që të jetë ndryshim për të mirë. Ne shpresojmë shumë që ky ndryshim të jetë i tillë. Pra, i mirë”, ka thënë Tërbunja, e cila javën e kaluar, kur KOHA raportoi për kandidatët dhe rezultatet e testimeve, reagoi nëpër rrjete sociale duke akuzuar gazetarët e gazetarinë. “Kuku sa bala ishit”, ka qenë fundi i komentit të saj publik.

Të martën, pas publikimit të vendimit, ka treguar se ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i janë propozuar dy emra.

“Te dy këta emra për neve kane qenë të mirë dhe të përshtatshëm për QKK-në. Tek e fundit, askush, asnjëherë nuk ka arritur t’i kënaqë të gjithë, sepse askush nuk ka qenë dhe nuk do të jetë perfekt”, ka thënë ajo.

Është dashur më shumë se një vit që Ministria e Kulturës të hapë konkurs për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Praktikisht prej korrikut të vitit 2021, kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të atij viti, Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij. Në janar të këtij viti Ministria e Kulturës kishte publikuar konkursin, që ishte i hapur nga dita e 24-t e shkurtit deri më 10 mars.

Ish-drejtori Arben Zharku qe shkarkuar më 10 dhjetor 2021. Në atë vendim nuk jepej tjetër sqarim, por i kishte dhënë fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”. Episodi i parafundit i kësaj serie qe ai i fillimit të nëntorit të vitit 2021, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore, “largim nga shërbimi publik”. Me këtë Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bënte këtë në fund të verës së kaluar, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që ta bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore – largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj Zharku ishte pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi përfundimtar, katër muaj para se të përfundonte mandatin e dytë, në marsin e vjetëm.

Sipas konkursit, kandidatët duhet të kenë diplomë universitare nga fusha e artit dhe kulturës, 7 vjet përvojë pune, prej tyre 4 vjet në vende udhëheqëse. Sipas konkursit, kandidatët duhet të prezantojnë projektin për zhvillimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të kenë aftësi negociuese dhe bindëse për të përfaqësuar interesat e institucionit. Midis të tjerash, udhëheqësi i këtij institucioni ka për obligim të përcaktojë politikat operacionale për përmbushjen e detyrave të QKK-së, të mbikëqyrë dhe të vlerësojë punën e personelit, të hartojë projektbuxhetin e të përgatisë raportet javore.