Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Blerta Zeqiri emërohet drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës

Blerta Zeqiri

Blerta Zeqiri është emëruar drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Emërimin e regjisores Zeqiri në këtë post e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Bashkë me ministrin Çeku, në zyrën time pritëm drejtoren e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri. Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit. Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar”, thuhet në postimin e Kurtit.

Zeqiri së bashku me Lum Çitakun dhe Visar Krushën ishin treshja e kualifikuar e kandidatëve që i kishin plotësuar kushtet për postin e drejtuesit të QKK-së.

Vendimi për drejtuesin e QKK-së për 4 vjetët e ardhshëm u mor nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Fillimisht kandidat ishte edhe regjisori Alban Beqiraj, por ai u tërhoq nga konkursi.

Sipas pikëve të mbledhura në testin me shkrim dhe po ashtu me gojë, bazuar në të dhënat e siguruar nga KOHA më së shumti pikë kishte Çitaku, total 98.5 pikë.

Edhe Blerta Zeqiri në krye të Qendrës Kinematografike si “fuqizim i reformës” Kulturë Blerta Zeqiri në krye të Qendrës Kinematografike si “fuqizim i reformës”

Zeqiri ishte e dyta me total 88.1 pika.

Blerta Zeqiri është regjisore e filmave “Martesa”, Kthimi”, “Exit” e “Darka”. Me “Kthimi” më 2012 ajo, midis të tjerash, kishte fituar Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance. Prej dhjetorit të vitit 2013 deri në gusht të vitit 2014 ishte drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, kur ky institucion udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, i cili asokohe kishte garuar në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.