Kulturë

Treshja për “Çmimin Special” të “Chopin Piano Festit” – shans në karrierë

Elsa Gashi, Lisa Sahatqiu dhe Melisa Ibrahimi janë në garë për të marrë sivjet çmimin i cili si mision ka identifikimin e talentëve të rinj në vend. Të tria pianistet kanë luajtur një program 45-minutash dhe janë vlerësuar nga pianistja nga Rusia që jeton në SHBA, Zoya Shuhatovich, dhe nga pianistja kosovare Ardita Statovci. Për treshen e pianisteve gara është një mundësi për depërtim në skena ndërkombëtare. Fitueses i mundësohet një koncert në vende gjermanofone, por edhe kurse me pianistë të njohur

Të tria pianistet që synojnë “Çmimin Special” të “Chopin Piano Festit” janë ende adoleshente, por kur behet fjalë për interpretim në piano tregojnë shumë pjekuri. Përshtypje pozitive u kanë lënë edhe pianisteve me nam – Zoya Shuhatovich nga Rusia, që jeton në SHBA, dhe pianistes kosovare Ardita Statovci – që kanë marrë për detyrë t’i vlerësojnë.

Ato nuk ngurrojnë që t’i lavdërojnë, por fjalën përfundimtare do ta japin natën e fundit të edicionit të sivjetmë të “Chopin Piano Festit”, më 30 qershor, kur do të bëhet e ditur fituesja e çmimit që si mision ka identifikimin e pianistëve të rinj e të talentuar në vend.

Çmim ndahet nga Festivali me mbështetjen e dr. Herbert Groeger nga “Bad Honnef” në Salzburg në bashkëpunim me pianisten e njohur Ardita Statovci, e cila ishte nismëtare për organizimin e këtij çmimi special qysh prej vitit 2017.

Elsa Gashi, 15-vjeçare, e cila ndjek mësimet në shkollën fillore “Elena Gjika” dhe në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, doli e para në skenë. Luajti “Etude G-dur Nr. 12” të Johann Baptist Cramer, “Sonatën op.2 Nr.1” të Ludwig van Beethoven, “Simfoninë Nr. 15” të Johann Sebastian Bach, “Waltz në E-mol’ të Frédéric Chopin, “Tokatën” të Feim Ibrahimit dhe “Rondo Capriccioso op.14” të Felix Mendelssohnit.

I gjithë ky vit ka qenë i veçantë për Gashin, pasi që para gjashtë ditësh ka mbajtur koncertin e saj të parë recital. E audicioni ku garoi ka thënë se ishte mjaft emocionues, por edhe sfidues.

“Ishte emocionuese të merrja pjesë e të garoja bashkë me dy koleget e mia shumë të talentuara. Por për mua, më e rëndësishme se çmimi është mundësia që mu dha të marr pjesë e të më dëgjojë live pianistja virtuoze e idhulli im Ardita Statovci, si dhe Zoya Shuhatovich. Komentet e tyre pozitive janë shumë domethënëse për mua”, ka thënë ajo. Ka shtuar se sido që të shkojë gara, ajo është falënderuese për mundësinë që i është dhenë. Ka theksuar se është ende në fillimet e rrugëtimit të saj dhe çdo mbështetje ka rëndësi për të.

Pas Gashit performoi 17-vjeçarja Lisa Sahatqiu, po ashtu nga shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë. U paraqit me “Intermezzo op.118, nr.2” të Johannes Brahms, “Sonatën no.18” e Ludwig van Beethoven, “Etude op. 25, nr. 11” dhe “Nocturne op.48, nr.1” të Frédéric Chopin, “Clair de lune” të Claude Debussys dhe “Widmung” të Schumannit dhe Lisztit.

“Ky çmim ka një rëndësi mjaft të madhe për mua, sepse na ofron mundësinë për të koncertuar në salla të rëndësishme në Gjermani ose Austri, të mbajmë masterkurse nga pianistë të njohur dhe në përgjithësi të fitojmë një eksperiencë të bukur atje”, ka thënë ajo. Ka shtuar se është shumë e rëndësishme për të rinjtë që organizimet e tilla si “Chopin Piano Fest” t’u ofrojnë mundësi që të promovohen si artistë edhe jashtë vendit.

E më pas interpretoi 19-vjeçarja Melisa Ibrahimi. Solli vepra të Frédéric Chopinit, Alexander Scriabinit, Ludwig van Beethovenit dhe Franz Lisztit.

“Për momentin nuk dëshiroj që të them asgjë pasi që mendoj se është më mirë të pres vlerësimin e jurisë”, ka thënë Ibrahimi.

“Çmimi Special” ashtu si dhe herëve të kaluara përfshin një koncert recital në vendet gjermanofone, Gjermani ose Austri, gjatë sezonit 2021-2022, masterklasë, vizitë në vendet historike me rëndësi muzikore në një prej qyteteve në vendet gjermanofone, njohje me kulturën e këtij rajoni, gjersa të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i “Çmimit Special”.

Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Festit”, Besa Luzha, ka thënë se kjo është një mundësi fantastike në etablimin e karrierës së një pianisti apo pianisteje.

“Një mundësi e rrallë dhe e shkëlqyeshme për pianistët e rinj e të talentuar”, ka thënë ajo.

Në vitin 2017 fituese e këtij çmimi ishte pianistja Fortesa Jusufi, e më 2018 “Çmimin Special” e mori Anila Ali. Një vit më vonë laureat qe Andi Duraku. Vitin e kaluar ky çmim nuk u nda, pasi që “Chopin Piano Fest” nuk u mbajt për shkak të pandemisë.