Kulturë

Trashëgimia kulturore e Kosovës larg trajtimit si aset ekonomik

“Ne nuk duhet të fokusohemi vetëm te mbrojtja e strukturës materiale të një objekti. Ruajtjen e indit historik të një qyteti duhet ta bëjmë me idenë për ta shfrytëzuar atë, për të na u kthyer edhe në benefit financiar”, ka thënë arkitektja e ligjëruesja Florina Jerliu në ligjëratën ku ka prekur disa tema e shembuj që dëshmojnë se vetëm mbrojtja është e pamjaftueshme për trashëgiminë kulturore

Diskutimet për trashëgiminë kulturore përballen me trende të ndryshme duke nisur prej pyetjeve se si duhet trajtuar ajo. Se ku qëndron trashëgimia kulturore në raport me inteligjencën artificiale është njëra prej çështjeve aktuale. E debate të tilla duket se nuk po mund të gjejnë rrugën të dalin jashtë auditoriumeve akademike, e të bëhen pjesë konkrete e diskursit publik e jo vetëm në rastet kur digjet ndonjë shtëpi e vjetër.

Tema si këto dhe jo vetëm janë hapur të enjten nga arkitektja Florina Jerliu në ligjëratën “Vazhdimësia dhe ndryshimi si përgjigje ndaj sfidave të konservimit dhe menaxhimit të trashëgimisë arkitekturore”, mbajtur në Seminarin e Antropologjisë, organizuar nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ky diskutim, moderuar prej antropologut e profesorit Arsim Canolli, larg nga ligjërimi teorik, ka qenë avokim i saj në lidhje me ndërveprimin e institucioneve e organizatave vartëse.

“Ne jemi duke qëndruar në një pozicion të semaforit, kur ndizet e gjelbra na thërrasin, shpesh na ndezin edhe të kuqen, dhe disa nga këto praktika do t’i ndaj dhe sot”, ka thënë Jerliu në fillim të ligjëratës duke i njoftuar të pranishmit fillimisht me zbërthimin e titullit të cilin e ka trajtuar si një qasje moderne ndaj mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Jerliu, njëherësh ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, ka prekur edhe një temë e cila ka kohë që konsiderohet si mangësi për trashëgiminë kulturore në Kosovë.

“Ne nuk duhet të fokusohemi vetëm te mbrojtja e strukturës materiale të një objekti. Ruajtjen e indit historik të një qyteti duhet ta bëjmë me idenë për ta shfrytëzuar atë, për të na u kthyer edhe në benefit financiar”, ka thënë Jerliu duke ndarë dhe idetë aktuale në qarqet e ndryshme të fushës në Evropë, të cilat inkurajojnë trajtimin e trashëgimisë kulturore si shtyllë në industrinë kreative dhe në zhvillimin teknologjik.

Ka shpalosur edhe një pasqyrë bazuar në kontekstin historik të Kosovës së pasluftës dhe hapave konkretë që ishin marrë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në fillim të viteve 2000.

“Menaxhimi i trashëgimisë arkitekturale fill pas çlirimit ka qenë një fazë e detyrueshme, sepse kemi pasur të bëjmë me një fond të arkitekturës historike të shkatërruar gjatë luftës, të cilën jemi detyruar ta mbrojmë”, ka thënë ajo duke dhënë detaje të tjera të cilat kishin çuar në paraqitjen e problematikave të tjera në periudhën e pasluftës. Humbja e 150 shtëpive tradicionale të banimit në kryeqytet, si rezultat i hovit të madh të rrënimeve në atë periudhë, ka qenë njëri prej shembujve konkretë. Jerliu ka theksuar rolin që kishte Fakulteti i Arkitekturës në procesin e dokumentimit të trashëgimisë arkitekturale si pjesë e kurrikulës së studimeve, por dhe nëpërmjet bashkëpunimeve me institucione të ndryshme.

“Ne si ushtri e vogël kemi mundësuar përpilimin e dokumenteve mbi regjistrimin e gjendjes se objekteve të trashëgimisë arkitekturale në Kosovën e pasluftës. Duke u nisur nga viti 2004 me qytetin e Junikut si një rast i parë i studimit, deri sot e tutje, vazhdojmë me qenë asistencë e Qendrave Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë, ku së bashku me ta punohet në dokumentimin grafik, përshkrues dhe fotografik të arkitekturës, kryesisht të ndërtesave që konsideroheshin në rrezik”, ka shtuar ajo.

Bashkëpunimi midis departamenteve nën ombrellën e UP-së qe një pikë të cilën Jerliu e ka ritheksuar gjatë diskutimit duke dhënë dëshmi se këto bashkëpunime ndërdisiplinare mund të rezultojnë të dobishme.

Njëri prej këtyre bashkëpunime qe dhe iniciativa e vitit 2018, ku bashkë me Departamentin e Antropologjisë dhe Gjeodezisë kishin bërë dokumentimin e qytetit të Janjevës.

“Ajo punë që u bë me qytetin e Janjevës ia ka sjellë Kosovës nëpërmjet fondeve IPA, 2 milionë e 970 mijë euro për konservim. Sot konservimi po zhvillohet, ne e kemi bërë komplet planin për shtëpitë dhe rifunksionalizimin e shtëpive, lagjeve dhe tërë aspektin urbanistik të kësaj qyteze duke e pasur në mendje turizmin kulturor dhe industrinë kreative”, ka thënë ajo.

Mirëpo edhe pse fillimisht ata ishin zgjedhur si partnerë në ketë projekt, epilogu nuk qe i favorshëm për ta, sepse, sipas Jerliut, e kishin kuptuar gjatë procesit që më nuk figuronin si pjesë e projektit.

“Nga ato 2 milionë e 970 mijë euro, ne si Universitet nuk kemi marrë asnjë cent, pavarësisht që ka pasur plane për fonde krejtësisht minimale si mbështetje për qëllimin tonë kryesor, që ka qenë themelimi i një instituti të vogël të hulumtimit në shërbim të krijimit të projekteve IPA për turizëm kulturor”, ka thënë ajo.

Një tjetër projekt qe ai i restaurimit të Kullës së Sahatit në Prishtinë, i cili kishte nisur si projekt pikërisht nga studentët e arkitekturës në UP, e më pas Komuna e Prishtinës ishte angazhuar në implementim.

Nëpërmjet ecurisë së këtij projekti ajo ka ilustruar edhe dështimin e institucioneve, në këtë rast të Komunës së Prishtinës, duke shfaqur lajme në të cilat shihet kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke marrë meritat për projektin, praktikë kjo të cilën vetë Jerliu e quan si dështim të vazhdueshëm institucional.

“Plani fillestar i studenteve tanë që ky objekt t’u kthehet qytetarëve të kryeqytetit si një objekt në të cilin mund të kenë akses dhe ta shohin qytetin nga kulla, u shndërrua në një improvizim me një ndriçim me drita dhe objekti është i mbyllur, aksesi nga qytetarët është i pamundur. Qëllimi i projektit fillestar kishte qenë që të mund të ngjitemi në majë të Sahat Kullës përmes një ashensori, mirëpo çka ka bërë Përparim Rama është që e ka detyruar qytetin ta shikojë majën e Sahat Kullës, e cila del si një shtrembërim i idesë sonë fillestare”, ka thënë Jerliu duke e vlerësuar si sfidë të vjetër kur vjen puna te ballafaqimi me institucionet të cilat rezulton se nuk përfillin bashkëpunimet ndërinstitucionale.

“Kur punojmë në mënyrë të tillë, gjithçka nis nga e para, e cila automatikisht ngadalëson proceset dhe eviton zgjidhje konkrete të problemeve”, ka theksuar Jerliu.

Rasti i fshatit Krushë e Madhe dhe memorializimit të tij, kishte bërë bashkë edhe një herë arkitekturën me antropologjinë, me një qasje krejt të re e cila ndryshe nga planifikimet e bazuara në trashëgimi shpiku një nocion të ri si një eksperiment i cili çon në planifikimin e bazuar në bazë të kujtesës.

“Nisur nga projekti i ‘Trepçës’ ku planifikimi është bërë përmes kujtesës së minatorëve në ‘Trepçë’, kemi parë që është një koncept që mund të zhvillohet më tej dhe si i tillë është duke u përdorur dhe në rastin e Krushës së Madhe”, ka thënë ajo duke njoftuar që nëpërmjet këtij projekti synohet planifikimi urban i fshatit për të promovuar pjesë të kujtesës kolektive të luftës se fundit në Kosovë.

Jerliu e ka përfunduar ligjëratën duke inkurajuar në bashkimin e forcave akademike si një mundësi e mirë e bashkëpunimit ndërdisiplinor.

“Ne duhet të bashkëpunojmë dhe të krijojmë një impakt si akademi, të trasojmë shtegun e mënyrës se si duhet të punohet për të përgjithshmen dhe trashëgiminë kulturore”, ka thënë ajo.