Një ditë pas premierës botërore, ekipi i filmit “Tori and Lokita” ka qenë sërish në qendër të vëmendjes në Cannes, teksa janë zbërthyer detaje nga filmi. Aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka çmuar punën me dyshen Jean-Pierre dhe Luc Dardenne e filmi i tyre tashmë ka pushtuar kritikat botërore. Ndër të tjera vlerësohet si rrëfim i fuqishëm për të sotmen, nëpërmjet të cilit kundrohet e ardhmja
Premiera botërore e filmit “Tori and Lokita”, ku luan aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka marrë vëmendje botërore. Mediat prestigjioze që mbulojnë kinematografinë kanë raportuar për premierën e së martës në Festivalin e Cannes e po ashtu kanë publikuar edhe kritika. Dominojnë shkrimet për stilin e vëllezërve Dardenne sa i përket trajtimit të dramave sociale.
Sqarime goxha të gjata për procesin e punës, duke nisur nga ideja fillestare për projektin, kanë dhënë edhe Jean-Pierre dhe Luc Dardenne të mërkurën në një konferencë për media në Cannes. Bashkë me një pjesë të ekipit, përfshirë aktorin nga Kosova, Alban Ukaj, ata u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për rreth gjysmë orë para se të pozojnë prapë në ambientet e edicionit të 75-të të festivalit.
Vëllezërit belgë janë të njohur në këtë festival pasi kanë marrë disa çmime. Me “Tori and Lokita” ata kanë ekranizuar nëpërmjet artit fatin e dy të rinjve afrikanë që janë refugjatë në Belgjikë dhe përballen me një realitet brutal duke shkuar deri në skajin sa nisin të shpërndarje substanca narkotike.
Luc Dardenne ka thënë se nëpërmjet filmit kanë dashur të shpërfaqin miqësinë midis dy të rinjve.
“Të nxjerrim në pah miqësinë e cila u ndihmon që të përballen me situatat. Janë shoqëri e minoriteteve”, ka thënë ai.
E vëllai i tij, Jean-Pierre Dardenne, ka thënë se qëllimi ishte që rrëfimi i të rinjve të jetë në qendër dhe nëpërmjet tyre të tregohet se si funksionojnë gjërat në ditët e sotme.
“Kjo ishte ideja fillestare qysh para disa viteve. Donim të tregonim se si fëmijët qëndronin në Belgjikë e nëna e njërit duhej të kthehej në Afrikë. Ngadalë ne e avancuam idenë dhe erdhëm deri te filmi”, ka thënë ai. Sipas Jean-Pierrë Dardenne, fëmijët janë ata që e prezantojnë të ardhmen.
“Njëkohësisht donim të ishte edhe një film aventuresk. Lokita vuan më shumë nga skllavëria që përjeton. Tori lufton ta mbrojë atë. Ai lufton të ruajë atë. Ata janë të burgosur të sistemit dhe mundohen t’i ikin kësaj burgosjeje”, ka thënë ai.
Aktori Alban Ukaj, i cili jeton në Sarajevë, është pyetur për rikthimin e tij në atë që njihet si festivali i festivaleve. Po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne ishte në Cannes edhe më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.
“Kam qenë i befasuar kur kam marrë një porosi nga Jean-Pierre pas Vitit të Ri dhe gjatë izolimit shkaku i pandemisë. Kemi punuar bashkë në ‘Heshtjen e Lornes’ para 13 vjetësh dhe mendoja se aty përfundonte bashkëpunimi dhe se puna me vëllezërit Dardenne ishte një rast që vjen një herë në jetë. Por ndodhi dy herë”, ka thënë Alban Ukaj, në konferencë për media të ekipit të filmit “Tori and Lokita”, të mërkurën në Cannes (Foto: festival-cannes.com)
Në konferencë për media, Ukaj ka thënë se i vjen keq që nuk mund të përgjigjet në frëngjisht, megjithëse për shkak të rolit ka marrë mësime në këtë gjuhë. Ai luan Betimin, një kuzhinier që njëkohësisht është edhe trafikant i substancave narkotike. Nga kritika është përshkruar si personazh me një ftohtësi të tmerrshme.
“Kam qenë i befasuar kur kam marrë një porosi nga Jean-Pierre pas Vitit të Ri dhe gjatë izolimit shkaku i pandemisë. Kemi punuar bashkë në ‘Heshtjen e Lornes’ para 13 vjetësh dhe mendoja se aty përfundonte bashkëpunimi dhe se puna me vëllezërit Dardenne ishte një rast që vjen një herë në jetë. Por ndodhi dy herë”, ka thënë Ukaj.
Ka thënë se është i nderuar me mundësinë që të jetë prapë pjesë e një projekti të dyshes belge. Ka treguar se karriera e tij ka ndryshuar pas “Heshtjes së Lornes”.
“Po ashtu ndryshoi edhe të menduarit e të qenit aktor. Kurse pas procesit me ‘Tori and Lokita’ veç e kam avancuar mënyrën e të menduarit për të qenit aktor. Sidomos ne aktorët nga Ballkani kur shkojmë në një projekt mendojmë për ata pesë minutat tonë, për monologun tonë e rolin tonë”, ka thënë ai. Por pas punës me vëllezërit Dardenne, ka thënë se ka mësuar që e rëndësishme është të tregohet rrëfimi. “Dhe jo sa aktor i mirë apo i dobët je”, ka thënë ai.
Punën me dyshen e njohur e ka cilësuar si dhuratë.
“Kur je më i vjetër nuk mendon më për famën, por për procesin që qëndron me ty gjithmonë. Jam i sigurt që ky proces dhe kjo miqësi do të jetë me ne gjatë gjithë jetës”, ka thënë ai.
Menjëherë pas premierës kritikat për filmin kanë “vërshuar” në media. Pritjet janë të mëdha pasi vëllezërit belg kanë histori të gjatë me Cannes.
Vëllezërit i janë kthyer Cannes pas dy “Palmave të Arta” me “Rosetta” më 1999 dhe “L’enfant” në 2005. Më pas ata me “Heshtjen e Lornës” kishin fituar Çmimin për skenarin më të mirë më 2008 e “Grand Prix” me “Le Gamin au Velo” më 2011. Historia e tyre në këtë festival ka vazhduar me Çmimin për regjinë më të mirë, për filmin “Le June Ahmed” më 2019.
“Cineuropa” ka shkruar se te “Tori and Lokita” dy fëmijët krijojnë një histori për ndjenjat e tyre për njëri-tjetrin duke i lejuar ata të vazhdojnë udhëtimin e tyre së bashku.
“Së bashku, ata shkruajnë një të ardhme, një të ardhme modeste ku Lokita (Joely Mbundu) do të ndjekë një trajnim si shtëpiake, e cila do t’i lejojë asaj të kujdeset për Torin (Pablo Schils)”, shkruhet në kritikë. E Tori përshkruhet si kokëfortë që dëshiron të kujdeset për Lokitan.
Ekipi i filmit “Tori and Lokita” të mërkurën në konferencën për media, një ditë pas premierës botërore kanë dhënë detaje për projektin filmik
“Të vetëm kundër të gjithëve, Tori dhe Lokita eksplorojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të paguar detyrimet e tyre dhe për të qëndruar së bashku. Lokita shkon aq larg sa pranon propozimin e një tregtari të paskrupullt restoranti (Alban Ukaj v.j.), i cili e lë në vetmi absolute në një depo të braktisur për t’u kujdesur për një plantacion kanabisi”, ka shkruar “Cineuropa”.
Sipas “Variety” rrëfimi i lejon Dardennet të realizojnë një prej filmave më të pabesueshëm të karrierës së tyre. Duke pasur parasysh disa prej filmave të kaluar, ky medium konsideron se tashmë dyshja belge “është kthyer në formë”.
“Tori i shkathët nuk do ta lërë Lokiten të lëngojë, aq sa ajo do të ndalojë së kujdesuri për të. Por sapo ai ulet në makinën e Betimit dhe futet fshehurazi në ndërtesë, duke rrëshqitur përmes vrimës së tubit të ajrit, ne kuptojmë se këta fëmijë janë mbi kokën e tyre. Ata janë pastrues dinakë, por nuk mendojnë si kriminelë”, shkruhet në “Variety”. Filmi është krahasuar pak edhe me projektet e regjisorit italian Vittorio De Sica, i cili gjatë shekullit të kaluar shpërfaqte probleme ekonomike nëpërmjet kinematografisë.
E për “The Hollywood Reporter”, Dardennet si gjithmonë kanë ardhur me dramë të pluhurosur dhe të zhytur në sfondin e personazheve.
“Pamja e parë e gjatë, që përbën tërësinë e skenës së parë, vëzhgon Lokitan, një grua të re që është ndoshta 15 ose 16 vjeçe më së shumti, nga afër”, përshkruan mediumi derisa nxjerr në pah gjuhën e trupit të karaktereve. Sipas mediumit, rrëfimi që shpaloset nga dyshja kryesore e filmit vjen nëpërmjet personazheve që e zhysin publikun në thellësinë e tyre.
“Fytyra e saj dridhet nga ankthi, duke paralajmëruar sulmet e panikut që ajo ka shpesh gjatë gjithë filmit”, ka shkruar “The Hollywood Reporter”.
Dyshja e aktorëve joprofesionistë edhe në konferencën e së mërkurës, sikurse në ditën e premierës gjatë parakalimit në tapetin e kuq, pjesëmarrjen në Cannes e ka përshkruar si diçka të pabesueshme.
Pablo Schils, që në film vjen si Tori, ka thënë të jetë tejet i lumtur dhe me një ndjesi speciale.
“Është gjë fantastike të luaj në këtë film”, ka thënë ai.
Joely Mbundu ka thënë se festivali, që sivjet nisi më 17 maj dhe përfundon të shtunën, është një ëndërr për të gjithë.
“Kurrë nuk do ta besoja që do të jem këtu dhe jam shumë e lumtur që kam punuar me vëllezërit Dardenne. Kemi punuar shumë në skena dhe kemi mësuar shumë”, ka thënë ajo.