Kulturë

“Toka brenda meje” shpërblehet në prestigjiozin “Raindance”

Me përhapjen e rrëfimit të filmit “The Land Within” (Toka brenda meje), po zgjerohet edhe lista e çmimeve. Regjisori i filmit Fisnik Maxville ka marrë edhe një çmim – “Best Director”. Në festivalin me traditë në Angli, “Raindance”, u dha premierë angleze filmi me historitë e bazuara në ato kosovare. Sipas regjisorit, interesimi për filmin gjatë Festivalit shkoi përtej kapaciteteve të sallës.

Filmi nën regji dhe me skenar të Fisnik Maxville ishte në konkurrencë me “Day of the fight” të regjisorit irlandez, Jack Hudson, dhe “Un amor” të regjisores spanjolle Isabel Cioxet. Maxville që triumfoi në këtë kategori, ka thënë se ka qenë garë e fortë dhe se nuk e ka pritur aspak fitoren.

“Me të vërtetë nuk e kam pritur aspak këtë çmim, sepse të nominuarit që kanë qenë për çmimin ‘Best Director’ janë regjisorë që i adhuroj shumë dhe që kanë bërë filma shumë të mirë. Ky çmim ka qenë me të vërtetë një befasi dhe një kënaqësi shumë të madhe”, ka thënë regjisori i filmit “Toka brenda meje”.

Çmime ka fituar gjithandej, secili kishte veçantinë e tij. Sipas Maxville, çmimi në “Raindance” do të ketë ndikim në hapjen e rrugëve të reja për depërtimin e mëtutjeshëm të filmit në Britani të Madhe.

“Këtu në ‘Raindance’ Çmimi e ka një rëndësi shumë të madhe, sepse është një Festival shumë i rëndësishëm në Angli, sidomos filmat e pavarur. Është çmim i rëndësishëm, pasi që edhe publiku anglez do ta shohë më pas filmin sigurisht do të ketë interes edhe prej televizioneve e kinemave”, ka thënë ai.

Të enjten, një ditë para se të jepej shfaqja premierë, Maxville kishte treguar se të gjitha biletat për filmin ishin shitur. Sipas tij, ka pasur edhe shumë të interesuar rreth tematikës së filmit.

“Premiera ka qenë jashtëzakonisht e bukur, janë shitur të gjitha biletat, shumë njerëz të interesuar kanë mbetur pa e parë dhe ‘Q&A’ ka zgjatur diku 45 minuta, pasi ka pasur pyetje shumë interesante. Ka njerëz rreth botës që po interesohen shumë për tematika. Këto tematika tona më shumë po i interesojnë publikut të huaj, sesa neve në Ballkan. Ndoshta është diçka normale, por për mua është një ndjenjë shumë e veçantë. Më pëlqen shumë se si filmi po pritet jashtë”, ka thënë regjisori Fisnik Maxville.

Rrëfimi në film për kthimin në vendlindje, dashurinë e parë e përballjen me të kaluarën e të tashmen iu shpalos publikut anglez në festivalin e pavarur të filmit “RainDance”, që konsiderohet prej më të mëdhenjve të llojit të tij. Premiera në Angli vjen një vit prej kur u dha premierë botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni në nëntor të vitit të kaluar. Aty mori Çmimin e parë për Filmin më të mirë artistik.

Çmimin “Best Director” të “Raindance” e kishte fituar edhe Luana Bajrami për “Luaneshat e Kodrës” në vitin 2021. Në filmin “The Land Within” ajo luan Unën, një prej dy roleve kryesore.

“Toka brenda meje” në edicionin e sivjetmë të Festivalit me traditë 31-vjeçare garoi edhe për çmimin “Discovery Award”. Në kategorinë ku garonin gjithsej shtatë filma, fitoi “Upon Entry” i regjisorëve katalunas Alejandro Rojas and Sebastián Vasquez. Filmi fokusohet në intervistimin intensiv të një çifti të ri që udhëton nga Spanja kur hyjnë në zonën e emigracionit të aeroportit të Nju Jorkut.

Në kuadër të Festivalit janë ndarë edhe gjashtë çmime të tjera. Aktori Michael Pitt ka fituar në kategorinë “Best Performance” për aktrimin e tij në filmin “Day of the fight”. Britaniku Kit Vincent fitoi në kategorinë “Best UK Feature” për filmin e tij “Red Herring”, një autoportret intim pas një diagnoze tumori në tru, siç e përshkruan Festivali. Filmi antropologjik “Pett Kata Shaw” i regjisorit Nuhash Humayun nga Bangladeshi ka fituar në kategorinë “Best International Feature". Dokumentari “We are Guardians” i regjisorëve Edivan Guajajara, Chelsea Greene dhe Rob Grobmanka fituar si “Dokumentari më i Mirë”. “The colours of the world are between black and white” i David Wyte ka fituar për “Kinematografinë më të mirë”, ndërsa drama norvegjeze “Storm” e Erika Calmeyer dhe Johan Fasting ka fituar për “Skenarin më të Mirë”.

Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 2008, ku nxjerrja e mbetjeve mortore në varrin masiv të një fshati sjell sekrete nga e kaluara.

“Një shqyrtim kompleks i dinamikës familjare të vendosur në sfondin e një konflikti etnik. Filmi luan mbi dy afate kohore – një në të tashmen, ku Remo më në fund është në gjendje të trajtojë çështjet e tij të pazgjidhura, dhe një në të kaluarën, kur fati i foshnjës Remo është ndryshuar pas një tragjedie familjare. Faji dhe urrejtja janë tema të simbolizuara në mënyrë të përsosur nga ujqërit që rrethojnë fshatin, duke e lënë Unën të paralizuar derisa të mposhten”, ka shkruar kuratori i filmave në festivalin “Raindance” për “The land within”.

Rrëfimi në film flet për Remon, rol që e luan Florist Bajgora, një emigrant i shtetit zviceran. Krahas tij, në rol kryesor është Una, që e luan Luana Bajrami. Ajo kujdeset për të atin që është i palëvizshëm dhe nuk mund të flasë. Përderisa varrezat masive janë emëruesi i gjithçkaje, bëhet e ditur se ato janë produkt i një urrejtjeje ndëretnike. Vetë Remo është i biri i një shqiptareje dhe një serbi, të cilët u vranë shkaku i urrejtjes ndëretnike.

Në film luajnë edhe aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Luan Jaha, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena, Çun Lajçi dhe të tjerë.

Regjisori Fisnik Maxville, e ka përmendur Romën si adresë të radhës për shpalosjen e rrëfimit në filmin “The Land Within”.