Në një intervistë për “Screen International”, Fisnik Maxville, tregon për procesin e realizimit të filmit të parë të metrazhit të gjatë, “The Land Within” (Toka brenda meje). “E gjetëm një fshat të vogël të quajtur Sllakovc në pjesën verilindore të Kosovës. Atje gjithashtu patëm rastin të punësonim pothuajse gjysmën e popullsisë së fshatit për të punuar me ne...”, thotë ai
Londër, 7 nëntor (“KFTV”, “Screen Daily”) – Në edicionin e 31-të të festivalit të filmit “Raindance” në Britani të Madhe, regjisori i lindur në Kosovë, por që jeton dhe vepron në Zvicër, Fisnik Maxville, mori pjesë me filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë.
“The Land Within (Toka brenda meje) rrëfen historinë e Remos, i personifikuar nga aktori Florist Bajgora, i cili pasi kishte jetuar për dhjetë vjet si refugjat në Zvicër, rikthehet në Kosovë për një rast emergjent në familjen e tij. Krahas tij, në rolin e kushërirës së Remos, luan aktorja me famë ndërkombëtare, Luana Bajrami. Personazhi i saj, Una, kujdeset për të atin që është i palëvizshëm dhe nuk mund të flasë. Ajo është e zemëruar me Remon për shkak të largimit të tij nga fshati, në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit. Por, me kohë raporti mes tyre përmirësohet.
Së bashku, Remo dhe Una përfshihen në zhvarrosjen e një varri masiv lokal, trashëgimi e luftërave jugosllave të viteve ’90. Vetë Remo është i biri i një shqiptareje dhe një serbi, të cilët u vranë shkaku i urrejtjes ndëretnike.
Maxville u lind në Kosovë dhe për 15 vjet kishte jetuar në Zvicër si refugjat.
“Kjo ka lënë gjurmë të thella në qasjen time ndaj tregimit. Tema e personave të zhdukur është diçka që është ende e pranishme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në Kosovë dhe për fat të keq, është një temë që disi vazhdon të rritet”, deklaroi regjisori për portalin “Screen”.
Edhe
“Toka brenda meje” shpërblehet në prestigjiozin “Raindance”
Filmi është xhiruar në dy shtete, Kosovë dhe në Zvicër. Maxville tregoi për nevojat unike të ekipit për xhirime në një fshat të vogël të Kosovës.
“E gjetëm një fshat të vogël të quajtur Sllakovc në pjesën verilindore të Kosovës. Atje gjithashtu patëm rastin të punësonim pothuajse gjysmën e popullsisë së fshatit për të punuar me ne, qoftë në anën e produksionit apo si aktorë dytësorë gjatë skenave të mbushura me njerëz. Xhirimet në vendlindje zgjatën rreth 28 ditë, pastaj i kemi realizuar rreth shtatë ditë xhirime në një pyll në afërsi të fshatit. Kurse pjesën tjetër e kemi xhiruar në Zvicër”, ka thënë ai.
Premiera e filmit “Toka brenda meje” në Angli vjen një vit prej kur u dha premierë botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni në nëntor të vitit të kaluar. Aty mori Çmimin e parë për “Filmin më të mirë artistik”.
Të enjten e kaluar një ditë para se të shfaqej në “Raindance”, Maxville kishte treguar për KOHËN se të gjitha biletat për filmin ishin shitur. Sipas tij, ka pasur edhe shumë të interesuar rreth tematikës së filmit.
“Premiera ka qenë jashtëzakonisht e bukur, janë shitur të gjitha biletat, shumë njerëz të interesuar kanë mbetur pa e parë dhe ‘Q&A’ ka zgjatur diku 45 minuta, pasi ka pasur pyetje shumë interesante. Ka njerëz rreth botës që po interesohen shumë për tematika. Këto tematika tona më shumë po i interesojnë publikut të huaj sesa neve në Ballkan. Ndoshta është diçka normale, por për mua është një ndjenjë shumë e veçantë. Më pëlqen shumë se si filmi po pritet jashtë”, kishte thënë regjisori. Fisnik Maxville u shpall fitues i çmimit “Best Director”. Të njëjtin e kishte fituar edhe Luana Bajrami për “Luaneshat e Kodrës”, në vitin 2021.
“Toka brenda meje” në edicionin e sivjetmë të festivalit “Raindance” garoi edhe për çmimin “Discovery Award”.
Filmi lindi nga dëshira e rij për të shkruar dhe xhiruar një skenar fiktiv, ngjarja e të cilit fillon në Zvicër dhe zhvillohet në Kosovë. Tregon historinë e një burri që lë familjen dhe jetën në Gjenevë, për të udhëtuar në vendin ballkanik për t’u përballur me sekretet e errëta të së kaluarës dhe historinë e vështirë të vendlindjes së tij.
Të martën e shtatë nëntorit “The Land Within” e hapi edicionin e 6-të të “Balkan Film Festival” në Romë. Është pjesë e programit konkurrues të festivalit.
Edhe
“Toka brenda meje” me rrëfimin kosovar në “Raindance” në Angli
Marrë nga “KFTV” dhe “Screen Daily”. Përktheu: Edona Binaku