Kulturë

“Toka brenda meje” rrëfen historitë identitare në “Raindance” të Britanisë

Filmi “Toka brenda meje” me regji dhe skenar të Fisnik Maxville do të jepet premierë në Angli nesër në kuadër të programit të festivalit të filmit “Raindance”. Pos kësaj, filmi garon në dy kategori

Rrugëtimi në vende të ndryshme i filmit “The Land Within” (Toka brenda meje) nën regji të Fisnik Maxville po vazhdon edhe një vit pas prej kur u dha premierë botërore.

Rrëfimi në film për kthimin në vendlindje, dashurinë e parë e përballjen me të kaluarën e të tashmen do t’i shpaloset publikut anglez sot, e premte. Festivali i pavarur i filmit “RainDance”, që konsiderohet prej më të mëdhenjve të llojit të tij, është adresa e radhës.

Regjisori i filmit, Fisnik Maxville, ka thënë se të gjitha biletat për filmin veçse janë shitur. Pjesëmarrjen në festivalin anglez e ka vlerësuar të rëndësishme për shkak të cilësisë së filmave që prezantohen në programin e tyre.

“Po shpresoj se filmi do të ketë interes të madh, edhe pse me sa kam kuptuar sot në mëngjes se të gjitha biletat janë shitur. Për ne ka qenë nder shumë i madh që filmi programohet të premten në orën 20:00, që është me të vërtetë një ‘prime time’. Është shumë me rëndësi të marrim pjesë në këtë festival, sepse kanë shumë pak filma dhe që janë jashtëzakonisht të mirë”, ka thënë regjisori e skenaristi i filmit.

Filmi “Toka brenda meje” në edicionin e sivjetmë të Festivalit me traditë 31-vjeçare garon në kategorinë për Regjisorin më të Mirë, si dhe për çmimin “Discovery Aëard”. Përderisa në këtë të fundit, filmi i Maxville garon me shtatë filma të tjerë, në atë për regji është në konkurrencë me regjisorin irlandez Jack Hudson për filmin “Day of the fight” dhe me regjisoren spanjolle Isabel Cioxet e cila garon me filmin “Un amor”.

Filmi që është bashkëprodhim midis Kosovës e Zvicrës është shfaqur premierë gjithandej, ku edhe është shpërblyer me çmime. Sipas Maxville, më i rëndësishmi ka qenë çmimi kryesor – “Filmi më i Mirë” - në edicionin e 15-të të “Pri Film Fest”, që u mbajt këtë shtator.

“Tash po mbyllet gati një vit që filmi është duke udhëtuar pasi ka pasur premierën në ‘Tallinn’ vitin e kaluar në nëntor, sivjet kemi pasur më të vërtetë disa premiera shumë të bukura, si në Zvicër në disa festivale dhe kemi pasur premierën në Meksikë. Për mua ndoshta më e rëndësishme ka qenë që kemi marrë pjesë në ‘PriFest’, ku kemi fituar si Filmi më i Mirë”, ka thënë Maxville.

Filmi i tij edhe e kishte hapur programin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” ku ishte dhënë premierë vendore.

Kosova sivjet nuk ka pasur kandidat për çmimin “Oscar”. Në vitin e dhjetë të mundësisë për të pasur kandidat, Komiteti Përzgjedhës i Qendrës Kinematografike të Kosovës në shtator kishte vlerësuar se konkurrentët e këtij viti nuk janë të denjë për pjesëmarrje.

Anëtarët e Komitetit: Veton Nurkollari, Kaltrina Krasniqi, Sevdije Kastrati, Doruntina Basha, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha dhe Yllka Brada kishin shqyrtuar aplikimet për "Toka brenda meje" me regji të Fisnik Maxville, "Virgjëresha shqiptare" me regji të Bujar Alimanit, "I love you more" të regjisorit Erblin Nushi dhe dokumentarin "Aktorët e Kanës" të regjisorit Mentor Spahiu.

Në një bisedë për KOHËN, Maxville ka komentuar vendimin për të mos dërguar sivjet një film vendor në “Oscar”.

“Ka qenë me të vërtetë vendim shumë i vështirë për mua dhe jo vetëm personalisht, por për gjithë industrinë ka qenë jokorrekt sepse mendoj se duhet të promovohet më shumë. E di se janë disa ankesa që kuptohet se çfarë ka ndodhur, cilat janë ankesat se pse Kosova nuk ka dërguar film në ‘Oscars’. Ka qenë moment shumë i vështirë për mua dhe për industrinë, sepse mendoj se çfarëdo filmi që do të shkonte ta prezantonte Kosovën do të tregonte se jemi aktivë, që kemi filma dhe që po bëjmë filma që po shfaqen në vende ndërkombëtare. Fatkeqësisht ka qenë vendim shumë i vështirë”, ka thënë regjisori Maxville.

Premierën angleze do ta pasojë një sesion me pyetje dhe përgjigje me publikun dhe komunitetin artistik.

Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 2008, ku nxjerrja e mbetjeve mortore në varrin masiv të një fshati sjell sekrete nga e kaluara.

“Një shqyrtim kompleks i dinamikës familjare të vendosur në sfondin e një konflikti etnik. Filmi luan mbi dy afate kohore – një në të tashmen, ku Remo më në fund është në gjendje të trajtojë çështjet e tij të pazgjidhura, dhe një në të kaluarën, kur fati i foshnjës Remo është ndryshuar pas një tragjedie familjare. Faji dhe urrejtja janë tema të simbolizuara në mënyrë të përsosur nga ujqërit që rrethojnë fshatin, duke e lënë Unën të paralizuar derisa të mposhten”, ka shkruar kuratori i filmave në festivalin “Raindance” për “The land within”.

Filmi pati premierën botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni në nëntor të vitit të kaluar. Aty mori Çmimin e parë për Filmin më të Mirë Artistik.

Rrëfimi në film flet për Remon, rol që e luan Florist Bajgora, një emigrant i shtetit zviceran. Krahas tij, në rol kryesor është Una, që e luan Luana Bajrami. Ajo kujdeset për të atin që është i palëvizshëm dhe nuk mund të flasë. Përderisa varrezat masive janë emëruesi i gjithçkaje, bëhet e ditur se ato janë produkt i një urrejtjeje ndëretnike. Vetë Remo është i biri i një shqiptareje dhe një serbi, të cilët u vranë shkaku i urrejtjes ndëretnike.

Në film luajnë edhe aktorët: Arta Muçaj, Armend Smajli, Luan Jaha, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena, Çun Lajçi dhe të tjerë.

E kapitull tjetër vjen vetë nominimi për dy çmime në “Raindance” në Angli, ngjarje që këtë edicion po e zhvillon prej 25 tetorit deri më 4 nëntor në qendër të Londrës. Sipas të dhënave të Festivalit, ngjarja tërheq rreth 16 mijë vizitorë çdo vit, përfshirë 500 profesionistë të industrisë së filmit.

“‘Raindance’ është festivali më i madh i filmit të pavarur në Britani të Madhe. Duke mbajtur edicionin e 31-të në vitin 2023, ‘Raindance’ ka zënë vend në zemër të distriktit të zhurmshëm të filmit në Londrër. ‘Raindance Film Festival’ është njohur zyrtarisht nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA, Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit dhe ‘British Independent Film Aëards’. Filmat e përzgjedhur në listën e ngushtë do të kualifikohen për përzgjedhje nga ‘Oscar’ dhe BAFTA”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes në ueb faqen e tyre.