“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri ” është fituesi më i madh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bafta”, të dielën mbrëma. Rrëmbeu çmimet kryesore, atë për filmin më të mirë, filmin më të mirë britanik dhe për aktoren më të mirë, të cilin e mori Frances McDormand, ashtu sikurse edhe çmimin për aktorin më të mirë në rolin dytësor dhe skenarin më të mirë origjinal. Me tri çmime u nda “The Shape of Water” përfshirë atë për regjinë më të mirë që i takoi Guilermo Del Toros, transmeton Koha Ditore raportimin e BBC.
Yjet treguan mbështetjen e tyre për kampanjën “Time’s Up”, duke u veshur me të zeza në tepihun e kuq për të shënuar këtë kauzë. Kësisoj ishin veshur edhe Angelina Jolie, Jennifer Lawrence edhe Kristin Scott Thomas. Sam Rockwell, McDormand dhe Lee Unkrich shfrytëzuan fjalimet e tyre si fitues për të folur mbi diversitetin dhe barazinë në industrinë filmike.
Është një gjë që të gjithë ne duam të dimë rreth “Baftas”: si do të dukej trofeu nëse do të zhytej në bojë të ndritshme të flokëve të kaltër? Fatmirësisht çmimi “EE Rising Star” do të thotë se ne nuk kemi më nevojë të imagjinojmë. Daniel Kaluuya i filmit ‘Get Out” është fitues i këtij çmimi sivjet – çmimi i vetëm në “Bafta”, për të cilin publiku voton – dhe ai është dukur goxha i befasuar.
“Nëna ime është arsyeja përse e kam nisur këtë, arsyeja përse jam këtu dhe arsyeja përse vazhdoj”, ka thënë ai teksa ka pranuar çmimin.
Ai, po ashtu, tha “nivele” rreth 20 herë gjatë fjalimit të tij, duke i dhënë “Baftas” dozën e nevojshme të slengunt londinez.
Në një ceremoni me jo shumë ngjarje, duhet thënë se fjalimi i Frances McDormand u dallua nga të tjerët.
“Faleminderit njerëz britanikë të filmit”, ka thënë aktorja teksa u ngjit në skenë për të marrë çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor. Ylli i “Three Billboards” ka qenë një prej pak yjeve që nuk është veshur me të zeza në tepihun e kuq, për dallim prej shumë të tjerëve që e bënë këtë në mbështetje të lëvizjes “MeToo”.
“Siç ka thënë Martin [McDonagh], kam pak probleme me pajtueshmërinë”, ka thënë ajo duke iu referuar fustanit të saj. “Por dua ta dini se solidarizohem plotësisht me motrat e mia që sonte janë veshur në të zeza. Po ashtu, dua të them se e vlerësoj këtë akt mirë të organizuar për mosbindjen civile”, ka shtuar ajo. Më pas ajo i është referuar mënyrës se si aktivistët politikë e kanë marrë konceptin e filmit dhe e kanë shfrytëzuar për të ndihmuar në këtë kauzë.
“Jam e emocionuar që aktivistët nga mbarë bota janë inspiruar nga seti dekorativ i ‘Three Billboards’ në filmin e Martinit, dhe e kanë vënë në rrugë dhe e kanë bërë të jetë pjesë e diskursit pozitiv publik që po ndodh”, ka thënë McDormand.
Në anën tjetër, gjithmonë është argëtuese kur Salma Hayek është atypari – sikur dikush ta ketë parë paraqitjen e saj të paharrueshme në “Graham Norton” do ta dijë për çka bëhet fjalë.
“Në këtë vit të rëndësishëm dhe historik për gratë, jam këtu në këtë skenë legjendare të vlerësoj meshkujt”, ka thënë aktorja nën të qeshurat dhe brohoritjet nga audienca, teksa prezantoi kategorinë për aktorin më të mirë. Por me kaq nuk përfundoi loja e saj në skenë. Ajo prezantoi të nominuarit – Daniel Day-Lewis, Daniel Kaluuya, Jamie Bell, Timothee Chalamet dhe fituesin Gary Oldman. Por kur hapi zarfin ajo tha: “Dhe fitues është…Frances McDormand”, në një referencë të jashtëzakonshme për incidentin e vitit të kaluar në “Oscars”. Pas një habie të shkurtër nga audienca, ajo menjëherë tha: “jo po bëja shaka. ‘Bafta’ shkon për Gary Oldman”.
Timothee Chalamet, e shtoi edhe një 1 milion në bazën e fansave të tij, kur i ndihmoi James Ivory të ngjitet në skenë për të marrë çmimin. Momenti i tillë ndodhi kur Ivory – i cili është 89-vjeçar – mori çmimin për skenarin më të mirë të përshtatur për filmin “Call Me By Your Name”. Filmbërësi i njohur për punën e tij me Merchant Ivory, asnjëherë më parë nuk ka qenë i nominuar për “Bafta” për skenarin më të mirë, pasi që gjatë tërë karrierës së tij më shumë është fokusuar në regji me filmat si “Howard’s End”, “The Remains of the Day” dhe “Room with a View”.
Në ndarje çmimesh, monologu i nikoqirit shpesh mund të jetë më interesant sesa vetë çmimet. Duhet rikujtuar fjalimet thumbuese të Seth Meyers, Ricky Gervais dhe Tina Fey e Amy Poelher në “Golden Globes”, apo Ellen dhe Jimmy Kimmel si nikoqirët e fundit të “Oscars”. Ky ka qenë viti i parë për Joanna Lumley si nikoqire e “Baftas” – ajo mori këtë detyrë pas Stephen Fry, i cili udhëhoqi këtë ceremoni 12 herë në tërësi. Ajo ka bërë një punë të mirë në këtë detyrë.
E për Allison Janney, e cila fitoi çmim për aktoren më të mirë në rol dytësor, me portretizimin që i bëri LaVona Golden në “I,Tonya”, ky u bë shpërblimi i dytë pasi që muajin e kaluar e mori të njëjtin në “Golden Globes”. Ajo portretizoi nënën e Tonya Harding në film. Janney është shumë e dashur edhe në rolin e CJ në “The West Wing”, por në të njëjtën formë po ashtu e ka shijuar kohën në ekranin e argjendtë. Tek ka folur në dhomën e konferencës, ajo komentoi mbi shkathtësinë e saj si aktore, dhe ka thënë se secilit rol i qaset në të njëjtën mënyrë, qoftë ai për film apo televizion.
“Asnjërin rol nuk e mendoj si dramë apo komedi, por e kërkoj të vërtetën në rrethana imagjinare dhe sa më i çrregullt që është roli aq më mirë”, ka thënë ajo. Kështu me përfundimin e “Golden Globes” dhe “Bafta” deri në vitin tjetër, sezoni i çmimeve ka marrë vrull kah çmimet “Oscar” që do të ndahen muajin e ardhshëm – nata më e madhe në kalendarin e Hollywoodit.
Në “Bafta” këtë vit nuk pati befasi të mëdha, dhe bastet ishin të tilla që thoshin se “Three Billboards” do të marrë pesë çmime, ndërsa “The Shape of Water” tri. Ky i fundit mori pos atij për regjinë më të mirë, mori edhe çmimin për muzikën e filmit dhe dizajnit për produksion.
Ndërsa ka më shumë gjasa që Sam Rockwell dhe Allison Janney do të marrin çmime në rolet dytësore dhe Frances McDormand dhe Gary Oldman për rolet kryesore, derisa mund të jetë histori tjetër për çmimin e madh: filmin më të mirë.
Sfondi britanik për “Three Billboards” mund të ketë ndikuar në vendimin për të që të marrë çmimin e madh në “Bafta”, por a do të jetë edhe e njëjta gjë për “Oscars”?
Mungesa e nominimeve në kategorinë e regjisorit më të mirë në “Oscars” ka dëmtuar filmin që po rritej – dhe po ashtu përballet me kandidatë të vështirë, si “Get Out” dhe “The Shape of Water”, të cilët kanë qenë hite të mëdha në arkat filmike në ShBA.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar” këtë vit do të mbahet më 4 mars, kështu që edhe pak kohë ka mbetur për ta marrë vesh se kush është fituesi.