Shfaqja “Thirrje” me koreografi të Sead Vuniqit dhe Julind Dervishit është simbol i bashkimit në shumë kuptime. Pikë së pari thirrjes si paraprijëse e rezultatit të punëve të përbashkëta. Është një lloj thirrjeje nëpërmjet gjuhës së trupit që vjen nga një balerin i Kosovës e një tjetër i Shqipërisë që bashkojnë koncepte, ide e lojë në skenë.
Puna disamujore e dy balerinëve të dalluar në skenën shqiptare është prezantuar të hënën mbrëma. Në skenën e Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, Sead Vuniqi, balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, dhe Julind Dervishi, pjesë e Trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri, kanë dërguar mesazhe të shumëfishta te publiku. Te njerëzit për bashkim mes tyre, tek artistët për bashkëpunim ndërmjet vete e ndaj dy vendeve për të qëndruar bashkë përballë sfidave. Mbi të gjitha, si thirrje për punë midis dy institucioneve ku ushtrojnë profesionin për vite të tëra.
Koreografia në stil bashkëkohor i shfaq ata duke gjetur forma të ndryshme për të qëndruar të bashkuar. Simboli për këtë është llastiku që i mban ata të lidhur. Edhe kur ai zgjerohet më shumë sesa duhet, ata gjejnë forma për ta sjellë njëri-tjetrin më pranë. E sfidojnë elasticitetin e lidhjes së tyre. Nuk largohet dot pasi ka diçka që i mban afër e të lidhur. Harmonia shpërthen kur të tillë janë.
Tejet atraktive ka qenë koreografia bashkëkohore. Veçmas kur lëvizjet e të dyve janë të harmonizuar. E ndjekin ritmin me muzikë, e shpesh qetësia është koreografia më vete. Si një moment për të reflektuar mbi gjithçka.
Kur njëri bie, tjetri me shumë vështirësi mundohet të mbahet dhe t’i japë jetë. Ata tërhiqen zvarrë, por nuk e lënë njëri-tjetrin të largohet. Gjendja e tyre shpirtërore shfaqen nëpërmjet lëvizjeve. Më në fund lirohen. Aty shfaqet akti moral, i njeriut të lirë, me mendje e trup kah bota dhe njerëzit të cilëve u përket. Nganjëherë ata kuptojnë se lidhja e tyre kërkon një dorë ndihme. Por është prapë një llastik që i mban ata edhe më prapë, një tjetër lidhje për çdo rast. Si lidhje e shumëfishtë ndërmjet tyre.
Bashkëkoreografi i shfaqjes “Thirrje” e balerini Sead Vuniqi ka thënë se kanë punuar edhe nga distanca për shfaqjen e cila u ka marrë kohë me muaj për ta finalizuar.
“Unë dhe Juli jemi shumë të kënaqur me atë që kemi sjellë sonte në Prishtinë me premierën e shfaqjes ‘Thirrje’. Mund të them se ka qenë punë shumë e madhe duke pasur parasysh se largësia na ka pamundësuar të jemi më afër me këtë bashkëpunim. Por prapëseprapë dëshira e vullneti s’na kanë munguar dhe jemi munduar që të paktën t’i sjellim jetë konceptit”, ka thënë Vuniqi.
Ai ka treguar se emërtimi i shfaqjes i ilustron thirrjet e shpeshta ndërmjet tyre për të bashkëpunuar në një projekt.
“Ky është një stil bashkëkohor, pak më ndryshe ndoshta prej çfarë jemi mësuar të shohim, por ideja e koncepti kanë qenë për historitë tona, ka shumë vjet që jemi munduar ta thërrasim njëri-tjetrin. Prandaj ia kemi lënë emrin kështu shfaqjes. E kemi thirrë njëri-tjetrin për bashkëpunim si koreografë, si kërcimtarë”, ka thënë koreografi e balerini Sead Vuniqi pas shfaqjes, duke bërë të ditur se pjesëmarrja e dy institucioneve në një festival kishte qenë vendimtare në marrëveshjen e tyre.
“Është litari që na lidh si shqiptarë. Ajo ka qenë ideja e litarit. Se pa marrë parasysh se ku shkojmë në botë, jemi një. Përgatitjet kanë zgjatur diku pesë a gjashtë muaj. Ne, Baleti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kemi qenë në një festival në Elbasan me shfaqjet tona. Atje kemi rënë dakord për të bërë diçka bashkë”, ka thënë më tej Vuniqi.
Ka bërë të ditur se shfaqja do të jepet edhe në Tiranë e jo vetëm. Tashmë Vuniqi e Dervishi kanë marrë ftesa për ta shfaqur edhe jashtë vendit. E konkretizuar është Austria.
Në koreografinë e shfaqjes “Thirrje” nuk mungojnë momentet e ndjeshme. Ngjajnë në sekuenca mërzie, melankolie a thjeshtë thirrje për reflektim.
Bashkëkoreografi e balerini Julind Dervishi ka shpjeguar se shfaqja shpalos edhe vuajtjet e artistëve.
“Me Seadin kemi vite që njihemi. Është një thirrje, ne u thirrën ndërmjet vete për të bërë një shfaqje. Ideja është për vuajtjet tona si artistë. Por edhe të thërrasim artistë, njerëz, publik, mbështetje, shumë gjëra. Është koncept shumë i gjerë, ka shumë elemente që mund të mendosh shumë gjëra të tjera”, ka thënë Dervishi.
Dora e zgjatur në shfaqje a ajo që rrallë lëshohet, sipas tij, është simbol i lidhjes ndërmjet shqiptarëve kudo.
“Llastiku është ai që na lidh bashkë. Ideja është që kur unë bie, ai më ngre dhe kur ai bie, unë e ngre. Ideja është lidhja e gjakut midis shqiptarëve. Të ngremë njëri-tjetrin për artin dhe të tjera gjëra”, ka thënë Dervishi. E ka përmendur muajin nëntor si kohë kur mund të jepet shfaqja “Thirrje” në Tiranë.
Pos koreografisë e interpretimit, dyshja Vuniqi dhe Dervishi e kanë punuar edhe skenografinë që paraqet një hapësirë minimaliste me mure e dysheme me ngjyrë bezhë dhe katër drita lëvizëse me të cilat manovrojnë shpesh. Asistente e tyre ka qenë balerina Rovena Shqevi, ndërsa kostumet i ka punuar Jeta Meni.
Sipas shpjegimit të shfaqjes “Thirrje”, ajo përshkruhet si “një kërkim artistik i strukturuar koreografikisht për të përcjellë emocionalisht mesazhe të dëshirave të mohuara dhe të penguara vazhdimisht, por jo përjetësisht”.