Irani është vend me trashëgimi të pasur kulturore, që përfshin 28 lokalitete të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe rreth 840 muze, 300 prej të cilëve administrohen nga Ministria e Kulturës. Izraeli ka aktualisht 9 lokalitete të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku përfshihen Qyteti i Bardhë i Tel Aviv, një lagje me shumë ndërtesa të stilit arkitekturor Bauhaus, kalaja Masada në majë të malit dhe Qyteti i Vjetër i Akre. Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve u kërkoi palëve që t'u përmbahen konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe gjatë konflikteve. Planet e emergjencës u aktivizuan në të dyja vendet, sapo nisi konflikti Izrael-Iran. Me aq sa mundën, ekspertët punuan për të siguruar, hequr dhe zhvendosur asetet kulturore
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), me bazë në Paris, shpërndau një deklaratë pas lëshimit të raketave të para midis Iranit dhe Izraelit në luftimet që nisën para disa javësh, ku theksoi se ka “rrezik të shtuar” për muzetë dhe punonjësit e tyre në Izrael dhe në Iran. ICOM përbëhet nga 8 mijë profesionistë të muzeve në mbarë botën, duke përfshirë anëtarë nga Izraeli dhe Irani. Këshilli Ndërkombëtar u kërkoi palëve që t'u përmbahen konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe gjatë konflikteve.
“Gjithsesi, ne s'mund të bëjmë më tepër se sa të këshillojmë dhe paralajmërojmë”, tregoi Felicia Sternfeld, presidente e Komitetit Kombëtar Gjerman pranë ICOM.
Po sa ndikim pati apeli i Këshillit? Pavarësisht se luftimet u ndalën, situata në terren është ende e nderë. Nga Irani vijnë informacione të vakëta, pasi qeveria vështirë se lejon gazetarë të huaj që të hyjnë në vend dhe e ka kufizuar ndjeshëm praninë e shtypit. Megjithatë, një gjë është e sigurt: planet e emergjencës u aktivizuan në të dyja vendet, sapo nisi konflikti Izrael-Iran. Me aq sa mundën, ekspertët punuan për të siguruar, hequr dhe zhvendosur asetet kulturore.
Irani është vend me trashëgimi të pasur kulturore, e cila përfshin 28 lokalitete të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe rreth 840 muze, 300 prej të cilëve administrohen nga Ministria e Kulturës.
“Irani ka një autoritet të mirë-organizuar dhe profesionist të trashëgimisë kulturore”, tha gjatë një interviste në radion “Deutschlandfunk”, Judith Thomalsky, drejtuesja e departamentit të Teheranit në Institutin Gjerman të Arkeologjisë.
Zyra e drejtuar nga Thomalsky vepron në Berlin që prej vitit 2023, kohë kjo kur mijëra iranianë protestuan kundër regjimit dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë tërhoqi stafin nga institucionet si masë parandaluese. Vetë Instituti e vijon punën e tij me staf vendas, në mjediset e ambasadës gjermane në Teheran, dhe Thomalsky mban aq sa mundet kontakt me rrjetin e saj iranian.
Barbara Helwing, drejtuese e Muzeut të Antikitetit pranë Lindjes së Afërt në Berlin, njëkohësisht paraardhëse e Thomalskyt nga viti 2000-2014, është gjithashtu eksperte për Iranin. Për televizionin lokal gjerman RBB, Helwing tha se ishte në kontakt me kolegët e saj të Muzeut Kombëtar deri para pak ditësh, por më pas nuk ka pasur komunikim pasi regjimi i Iranit ka bllokuar internetin.
“Dimë që muzeu dhe dy ndërtesat e tij të mëdha pranë Ministrisë së Jashtme janë zbrazur”, tregoi Helwing.
Muzeu Kombëtar i Iranit nuk është vetëm më i vjetri, por edhe më i rëndësishmi në vend. I përbërë nga dy ndërtesa të mëdha, në të gjenden më shumë se 300 mijë zbulime arkeologjike nga periudha para-Islamike dhe Islamike, ku përfshihen shumë eksponate guri, qeramike, xhami dhe metalesh.
“Marrëdhënia me trashëgiminë kulturore në Iran është shumë e ngushtë”, thotë Helwing. Identiteti kulturor në Iran bazohet mbi një histori të gjatë dhe vetëdijen se e para perandori në histori, Perandoria Perse në lashtësi (rreth 550 deri në 330 para Krishtit), u krijua në Iran. Sipas Helwing, të gjitha eksponatet muzeale të lëvizshme, u transportuan nxitimthi në bodrume.
Artefaktet e palëvizshme, kryesisht prej guri, u mbuluan me thasë rëre për t'i mbrojtur ato nga sulmet.
Në ndryshim nga Izraeli, Irani nuk ka bunkerë, as për njerëzit dhe as për thesaret artistike.
Mbrojtja e lokaliteteve arkeologjike, të cilat shpesh ndodhen në mjedise të hapura, ka rezultuar shumë më e vështirë.
“Nuk mund të mbrohen. Thjesht duhet shpresuar që ato janë shumë larg shënjestrave të mundshme”, thotë Helwing.
Izraeli ka aktualisht 9 lokalitete të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku përfshihen Qyteti i Bardhë i Tel Aviv, një lagje me shumë ndërtesa të stilit arkitekturor Bauhaus, kalaja Masada në majë të malit dhe Qyteti i Vjetër i Akre.
“Në dijeninë tonë nuk ka pasur dëme të artefakteve arkeologjike, objekteve apo muzeve që janë nën menaxhimin e Autoritetit Izraelit të Antikitetit”, raportuan “Tehran Times” dhe Times of Israel”, duke cituar autoritetin përkatës.
Lokalitetet e trashëgimisë botërore mbrohen zyrtarisht nga bashkësia ndërkombëtare. Konventa e Hagës e vitit 1954 parashikon mbrojtjen e lokaliteteve kulturore gjatë konflikteve të armatosura, ndërsa Konventa e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s siguron ruajtjen e pasurive kulturore midis kombeve.