Kulturë

Trashëgimia kulturore me vlera botërore në rrezik të vazhdueshëm

trashegemi

(DW) – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, me seli në Paris, kishte lëshuar një paralajmërim të fortë pas sulmeve të para me bomba: ekzistonte një “rrezik në rritje” për muzetë dhe punonjësit e tyre në Izrael dhe Iran. ICOM, i cili përbëhet nga 8 mijë profesionistë muzeorë në mbarë botën, përfshirë anëtarë nga Izraeli dhe Irani, kishte kërkuar që të dyja palët të respektojnë konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore edhe në kohë konflikti.
“Megjithatë, nuk mund të bëjmë më shumë sesa të paralajmërojmë dhe këshillojmë”, ka thënë Felicia Sternfeld, presidente e Komitetit Kombëtar Gjerman të ICOM-it.

A pati ndikim ky apel? Situata në terren është e paqartë, me informacion të kufizuar që vjen veçanërisht nga Irani, pasi qeveria atje pothuajse nuk lejon gazetarë të huaj të hyjnë dhe kufizon ashpër shtypin.
Megjithatë, një gjë duket e sigurt: planet emergjente u aktivizuan në të dyja vendet në fillim të konfliktit Izrael-Iran. Ekspertët punuan për të siguruar, larguar dhe zhvendosur asetet kulturore sa më shumë të ishte e mundur. Aktualisht, nuk është e qartë nëse ka pasur ndonjë dëm.

Irani ka një trashëgimi të pasur kulturore. Janë 28 lokalitete të Trashëgimisë Botërore të shpallura nga UNESCO dhe rreth 840 muze, nga të cilët 300 janë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës.
“Irani ka një autoritet të organizuar dhe profesional për trashëgiminë kulturore”, tregoi Judith Thomalsky, drejtoreshë e degës së Institutit Gjerman Arkeologjik në Teheran.

Zyra e Thomalskyt operon nga Berlini që nga viti 2023, kur mijëra iranianë protestuan kundër regjimit dhe Ministria e Jashtme Gjermane tërhoqi stafin nga institucionet gjermane si masë paraprake. Instituti vazhdon punën në ambientet e Ambasadës gjermane në Teheran me staf lokal, dhe Thomalsky mban kontakte të shpeshta me rrjetin e saj iranian.

Barbara Helwing, drejtoreshë e Muzeut të Lindjes së Afërt në Berlin dhe paraardhësja e Thomalskyt nga viti 2000 deri më 2014, është gjithashtu eksperte për Iranin. Ajo tregoi se ishte në kontakt me kolegët e saj në Muzeun Kombëtar deri vonë. Ka pasur ndërprerje të herëpashershme për shkak se regjimi iranian kishte ndërprerë internetin.

“E dimë që Muzeu dhe dy ndërtesat e tij të mëdha pranë Ministrisë së Jashtme janë zbrazur”, ka thënë. Ajo shtoi se kishte parë fotografi që tregonin vitrina të zbrazura.

Muzeu Kombëtar i Iranit është jo vetëm më i vjetri, por edhe më i rëndësishmi në vend. Ai përbëhet nga dy ndërtesa me nga tri salla secila dhe strehon më shumë se 300 mijë eksponate arkeologjike nga periudha paraislame dhe islame, përfshirë shumë ato prej guri, qeramike, qelqi dhe metali.

“Në Iran, lidhja me trashëgiminë kulturore është shumë e ngushtë”, sqaroi Helwing. Identiteti kulturor i vendit bazohet në një histori të gjatë dhe vetëdijen që perandoria e parë reale në botë, Perandoria e Lashtë Perse – rreth viteve 550–330 para erës sonë –lindi në Iran. Sipas saj, të gjitha eksponatet muzeale u transportuan me nxitim në bodrume.

Objektet e palëvizshme, kryesisht ato prej guri, u mbuluan me thasë rëre për t’u mbrojtur nga sulmet dhe mbetjet fluturuese. Ndryshe nga Izraeli, Irani nuk ka bunkerë as për njerëz, as për thesare të çmuara artistike.

Mbrojtja e lokaliteteve arkeologjike që ndodhen shpesh në zona të hapura është treguar shumë më e vështirë.
“Nuk mund t’i mbrosh realisht”, tregoi. “Mund vetëm të shpresosh që janë mjaft larg nga objektivat e mundshme”.

Sipas gazetës “Tehran Times”, “Taq-e Bostan”, një kompleks arkeologjik nga periudha e dinastisë Sasanide – 224–651 – që përfshin një reliev monumental unik në shkëmb, është në rrezik të veçantë. Gazeta raportoi se Forcat Ajrore Izraelite bombarduan një depo armësh vetëm dy kilometra larg kompleksit. Sipas Helwing, valët tronditëse dhe vibrimet mund të kenë dëmtuar vendin, edhe pse mungon informacioni i saktë.

“Departamenti iranian i Antikiteteve e di çfarë duhet të bëjë”, ka treguar Judith Thomalsky, historiane e specializuar në kohët parahistorike, që ka punuar për mbi 20 vjet në Iran. Ajo gjithashtu beson se nuk është e mundur të mbrohen lokalitetet arkeologjike të hapura si kompleksi i Persepolit, mbishkrimet e Bisotunit dhe Takht-e Soleyman (Froni i Solomonit). Ajo i tregoi gazetës së përditshme “Tagesspiegel” në Berlin se nuk beson se pasuritë kulturore janë në një rrezik të menjëhershëm, por është e pamundur të dihet si do të zhvillohen gjërat.

Institucionet në Izrael, nga ana e tyre, aktivizuan planet emergjente pas sulmeve të para iraniane. Për shembull, Muzeu i Artit në Tel-Aviv siguroi koleksionin e tij të artit izraelit dhe ndërkombëtar në magazina nëntokësore, sipas revistës franceze “Beaux Arts”. Planifikohet të rihapet më 3 korrik.
Ndërkohë, është tashmë e mundur të vizitohet Muzeu i Izraelit në Jerusalem, i cili me 500 mijë eksponate është një nga më të mëdhenjtë në Lindjen e Mesme. Faqja e muzeut informon vizitorët se ka dhoma të sigurta brenda muzeut në raste emergjence.

Izraeli aktualisht ka nëntë Sitet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, përfshirë Qytetin e Bardhë të Tel-Avivit (lagje me arkitekturë Bauhaus), fortesën Masada në majë të malit, dhe qytetin e vjetër të Akos.

“Për aq sa dimë, nuk ka dëme në artefakte arkeologjike nën administrimin e Autoritetit të Antikiteteve të Izraelit dhe as në objektet muzeale”, ka deklaruar autoriteti, sipas “Tehran Times” dhe “The Times of Israel”.

Sitet e Trashëgimisë Botërore janë nën mbrojtje formale të komunitetit ndërkombëtar. Konventa e Hagës e vitit 1954 rregullon mbrojtjen e materialit kulturor në konflikte të armatosura, ndërsa Konventa e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore e vitit 1972 përcakton ruajtjen e pasurive kulturore ndërmjet kombeve.

Nga 6 deri më 16 korrik, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s do të mbajë sesionin e tij të 47-të në Paris. Ndër të tjera, ekspertët do të diskutojnë për vendet e mundshme të ardhshme për Trashëgimi Botërore. Sesioni do të transmetohet drejtpërdrejt. Konflikti Izrael-Iran nuk ishte në rendin e ditës deri më 30 qershor.