Londër, 10 janar (BBC) − “The Favourite” me Olivia Colmanin në rolin kryesor udhëheq garën e sivjetme për çmimin prestigjioz “Bafta Awards”, me gjithsej dymbëdhjetë nominime. Ky lajm ka ardhur pak ditë pasi Colman mori një çmim “Golden Globe” për rolin e Mbretëreshës Anne në këtë dramë që gërsheton edhe komedinë.
Ky film është shumë më përpara sesa rivalët më të afërt në ceremoninë “Bafta”, e që janë “Bohemian Rhapsody”, “A Star is Born”, “First Man” dhe “Roma”, të gjithë me nga shtatë nominime. Në kategorinë e çmimeve për aktorët më të mirë britanikë në mes të nominuarve janë: Steve Coogan, Christian Bale, Claire Foy, Rachel Weisz dhe Richard E. Grant.
“The Favourite” është i vetmi produksion që është në garë edhe për filmin më të mirë, edhe për filmin më të dalluar britanik. Po ashtu ka dëshmuar popullaritet me suksesin e madh në arka filmike, duke përfituar 4 milionë funte në Britani të Madhe dhe Irlandë qysh në javën e parë të shfaqjes në kinema.
Colman është nominuar edhe për çmimin e aktores më të mirë, derisa bashkyjet e saja Weisz dhe Emma Stone – të dyja janë në garë për aktoret më të mira në rol dytësor.
“Ka shumë dashuri për këtë film”, ka thënë kritiku i filmit Jason Solomons për “BBC Breakfast”. “Tashmë veç po ka shumë sukses në arka filmike dhe ka vetëm një javë që është nxjerrë në publik zyrtarisht. Olivia Colman është figurë shumë e popullarizuar. Mendoj që njerëzit po bien në dashuri me performancën e saj, si Mbretëresha Anne, përkrahur në mënyrë brilante natyrisht edhe nga Rachel Weisz dhe Emma Stone”.
Colman në të kaluarën ka fituar tri çmime “Bafta TV Awards” – për “Broadchurch”, “Twenty Twelve” dhe “Accused” – por kjo është hera e parë që nominohet në seksionin e filmit.
Aktorja Hayley Squires, që ka ndihmuar në shpalljen e të nominuarve, ka thënë se një vit pas fushatave si “Time’s Up” dhe “#MeToo” dhe bisedave që janë bërë aq fuqimisht vitin e kaluar, mendon që është fantastike dhe që është film që udhëhiqet nga tri gra.
“Dhe ato janë në role ku jo domosdo janë për të qenit të bukura por role ku duhen të jenë goxha të shëmtuara dhe të ashpra, dhe vërtet e përkrahin njëra-tjetrën në skenarin e fuqishëm. E pëlqej faktin që ka filmi këto nominime”, ka thënë ajo.
Rami Malek është tjetër yll që shpreson ta përcjellë suksesin me fitoren e “Golden Globe” në “Bafta”. Ai është nominuar për interpretimin e ish-vokalistit të “Queen”, Freddie Mercury në “Bohemian Rhapsody”, që po ashtu është vënë në listën e ngushtë për filmin më të mirë të dalluar britanik. Por nuk është përfshirë në kategorinë e filmit më të mirë.
Coogan nuk ka qenë e përfshirë në sezonin e çmimeve hollywoodiane deri më tani, por është vlerësuar nga “Bafta” për rolin e Stan Laurel në “Stan& Ollie”, që rrëfen historinë e turneut të fundit në Britani të Madhe të duos legjendare të, komedianëve Laurel dhe Hardy. Ai ka marrë gjashtë “Bafta” në të kaluarën – por asnjë për shkak që ka aktruar në një film.
Richard E. Grant e ka falënderuar “Baftan” nëpërmjet një postimi në Twitter duke thënë se ishte “absolutisht i befasuar”.
Joanna Lumley do të jetë nikoqire e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Bafta” për të dytën herë në “Royal Albert Hall” në Londër, më 10 shkurt. Do të jetë një prej ceremonive kryesore një javë para “Oscars”, që mbahen në Hollywood më 24 shkurt.