Prishtinë, 16 maj – Profesionistë të shëndetit mendor i japin goxha peshë terapisë me art. Ka kohë që janë dhënë dëshmi për këtë e janë konfirmuar edhe të martën mbrëma në Prishtinë, në kuadër të hapjes së ngjarjes “Terapia e artit”, me të cilën shënohet Java e Ndërgjegjësimit të Shëndetit Mendor. Në një hotel në qendër të kryeqytetit me anë të këtij evenimenti u bë hapja e ciklit të një sërë aktivitetesh, që mbahen gjatë javës nëpër lokacione të ndryshme në kryeqytet.
Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) është organizatore e edicionit të dytë të kësaj ngjarjeje, e cila synon që nëpërmjet aktiviteteve artistike ta përdorë artin si mjet terapeutik, i cili promovon shëndet mendor pozitiv, shkruan sot Koha Ditore.
Edona Maloku, Vigan Behluli dhe Mimoza Gashi kanë qenë psikologët që kanë ligjëruar e diskutuar me të pranishmit. Për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët, për herë të dytë në Kosovë, ishte prezent të ligjëronte edhe Jovanny Valera, themeluesi i komunitet virtual “The Artidote”.
Ligjëruesit kosovarë janë fokusuar që të shpjegojnë rëndësinë e shëndetit mendor e të identitetit, si dhe të japin këshilla të rëndësishme për audiencën.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")