LAJMET E MBRËMJES

Me marsh bëhet thirrje për vëmendje më të madhe nga institucionet për shëndetin mendor

Me moton “Bashkë për shëndetin mendor”, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore organizoi të hënën, në ditën e parë të javës së shëndetit mendor, një marsh, ku shtruan disa kërkesa. Përfaqësues të organizatës thanë se ideja e marshit përveç vetëdijesimit është edhe shpresë për nxitje të reagimit qeveritar për t’iu qasur më seriozisht kësaj problematike

Rritje të fondeve për shërbimet e shëndetit mendor, mundësi edukimi dhe themelim i një ode të psikologëve janë kërkesat që u shtruan në marshin e organizuar të hënën në Prishtinë, në ditën e parë të “Javës së Shëndetit Mendor”.

Marshi “Bashkë për shëndetin mendor” u organizua nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Verona Përçuku, menaxhere në këtë organizatë, tha se qasja në shërbime cilësore të shëndetit mendor është e drejtë themelore, teksa kërkoi nga Qeveria dhe institucionet e tjera të investojnë në programet dhe burimet e edukimit për shëndetin mendor.

“Nën deklaratën se vetëvrasja është e parandalueshme, ne u bëjmë thirrje institucioneve që ta zhvillojnë dhe zbatojnë një strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes dhe bëjmë thirrje për ligjësimin e linjës telefonike kombëtare për parandalimin e vetëvrasjes”, tha Përçuku.

E Arlinda Gashi, aktiviste, theksoi se shëndeti mendor nuk është konsideruar asnjëherë si domosdoshmëri.

marrë parasysh që jo të gjithë njerëzit mund të marrin shërbime të shëndetit mendor, kjo i bie që nuk ka trajtim të mjaftueshëm ose kapacitete të mjaftueshme, ndërsa trajtimi cilësor do të sigurohej veçanërisht me themelimin e odës për psikologë”, tha Gashi.

Drejtori i organizatës Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, Arian Musliu, shpreson që marshi do të nxisë bashkëpunimin më të madh mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

“Ideja e marshit është që përveç vetëdijesimit me nxit edhe reagim qeveritar në krijimin e Ligjit për Shëndetin Mendor sa ma shpejt që të është e mundshme, por edhe ofrimin e qasjes në shërbime mendor prej institucioneve tona publike”, tha Musliu.

Në shenjë solidariteti dhe shprese për të gjithë personat që përballen me probleme të shëndetit mendor u vendosën lule para objektit të Qeverisë.