Kulturë

Teatrot para, gjatë dhe pas pandemisë

Deri në vitin 2020 teatrot lokale nuk kanë pasur buxhet të rregullt për staf dhe projekte. Këto institucione janë përballur me greva të aktorëve dhe struktura e tyre udhëheqëse nuk ka qenë asnjëherë e plotë.

Këto janë disa prej gjetjeve të raportit “Dekada e teatrove lokale”, që është prezantuar të premten në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase”, raporton KOHA.

Pas prezantimit të raportit është mbajtur diskutimi “Teatrot para, gjatë dhe pas pandemisë”.

Zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj, ka thënë se shumë shpejt do të nisë shpërndarja e mjeteve që Qeveria i ka ndarë si masë emergjente për kulturën në pandemi.

Florent Mehmeti, i cili udhëheq me teatrin e pavarur “Oda” ka thënë se ka një disproporcion të madh sa i përket mbështetjes së teatrove publike dhe atyre të pavarura. Sipas tij, kjo politikë duhet të ndryshojë. Ai ka treguar se “Oda” është dashur të shesë asete e të mos vazhdojë kontrata të punonjësve në mënyrë që të mbijetojë gjatë pandemisë.

Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se pavarësisht përmirësimit të gjendjes së teatrove të komunave, dallimi në financim midis tyre dhe Teatrit Kombëtar është shumë i madh.

Përfaqësuesit e teatrove kanë kritikuar qasjen e Qeverisë në raport me mbajtjen mbyllur të teatrove.

Pavarësisht shqetësimeve të komunitetit artistik, komuniteti teatror nuk ka shpresë në ndryshimin e qasjes së Ministrisë së Kulturës ndaj teatrove.

“Kosovo Theatre Showcase” do të vazhdojë me shfaqje e ngjarje të tjera deri në fund të javës.