Skena e pavarur kulturore vazhdon të jetë e mbyllur, përderisa kriza sa vjen e thellohet. Pa leje për mbajtje aktivitetesh, pasojat tashmë janë të dukshme. Përballë luftës për mbijetesë, përgjigjja e shtetit janë premtimet.
“Shtëpia e Evropës”, duke e parë këtë situatë, ka vendosur që të diskutojë për ndikimin e pandemisë në art dhe kulturë. Prej marsit, njësoj si për skenën e pavarur, as institucionet s’mund të mbajnë aktivitete. Por ata që nuk financohen direkt nga buxheti shtetëror, numërojnë një varg pasojash deri te ato për shkurtimin e stafit.
Të mërkurën, në diskutimin online, “Në kohë të pandemisë: Ndikimi në artin dhe kulturën në Kosovë” – të moderuar nga Arbër Selmani, diskutuan Arif Muharremi nga qendra “Multimedia”, regjisorja dhe drejtoresha e festivalit “FemArt” Zana Hoxha, artistja Zake Prelvukaj dhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Engelbert Zefaj. Si “Shtëpi të Evropës”, Zyra e BE-së në Kosovë e inauguroi këtë qendër kulturore e informative në maj të vitit të kaluar, me hapësirë të re në qendër të Prishtinës.
Arif Muharremi nga programi “Kultura për ndryshim”, që është vazhdimësi e mbështetjes së Bashkimit Evropian me 460 mijë euro të ndara në tri grante, ka thënë se skenës së pavarur i nevojitet ndihmë dhe jo lëmoshë.
“Fillimisht duhet që me sinqeritet të kuptohet që është kohë krize dhe krizat si gjithkund në botë krijojnë frikë. Prandaj në kohë krize duhet të flitet me bindje etike e jo me fjali që krijojnë duartrokitje fushatash. Kjo frikë prej krizës e ka kapluar edhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës, e cila për 20 vjet e madje edhe më shumë, ka kontribuuar në zvogëlimin dhe luftimin e frikës te popullata jonë”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo krizë e pandemisë ka prodhuar nevoja serioze e prej tyre më kryesorja është ajo për solidaritet.